2014-05-01 11:03:01

Ungjilli i Punës i Papës Françesku


Kisha kremton sot festën e Shën Jozefit Punëtor. Kjo festë, e themeluar nga Piu XII më 1955, për t’i dhënë një kuptim të krishterë Ditës Ndërkombëtare të Punës, kremtohet prej disa vitesh në kushtet e një krize të stërzgjatur, në të cilën të papunët e gjithë botës janë rreth 202 milionë dhe numri është në rritje. Papa Françesku, gjatë këtij viti të parë të papnimit, është shprehur me fjalë shumë të forta në lidhje me këtë temë.RealAudioMP3
“Kur shoqëria është e organizuar në mënyrë të tillë, që jo të gjithë e kanë mundësinë për të punuar..., ajo shoqëri nuk është në rregull: nuk është e drejtë”. Papa Françesku përdor fjalë të ashpra kundër modelit të sotëm të zhvillimit, që lë pa punë shumë njerëz. “Kjo ekonomi vret” – shkruan në “Evangelii Gaudium” – sepse lejon të sundojë “ligji i më të fortit, ku i fuqishmi e gëlltit të dobëtin”. Sot – pohon Ati i Shenjtë – kemi një “tirani të re, të padukshme, nganjëherë virtuale”: është “tregu i hyjnizuar”, ku mbretëron “spekulimi financiar”, “korrupsioni i degëzuar” dhe “evazioni fiskal egoist”. Me punëtorët e furrnaltës së Ternit, e shpjegoi dramën e papunësisë me këto fjalë:
Është rrjedhojë e një sistemi ekonomik të paaftë për të krijuar punë, sepse ka vënë në qendër një idhull, që quhet para. Për këtë arsye, subjektet e ndryshme politike, shoqërore dhe ekonomike janë të thirrur të përkrahin një tjetër parashtrim, të themeluar mbi drejtësinë dhe solidaritetin. Kjo fjalë, në këtë çast, rrezikon të përjashtohet nga fjalori. Solidaritet: duket si fjalë e pistë! Jo! Solidariteti është i rëndësishëm, por ky sistem nuk e do shumë, parapëlqen ta përjashtojë”. (Fjalimi me punëtorët e shkritores së Ternit, mars 2014)
Kultura e sotme e mbeturinave – thekson Papa Françesku – ka krijuar “diçka të re”: “të përjashtuarit nuk janë ‘të shfrytëzuar’, por mbeturina, ‘teprica’”. Gjatë meshës së një majit të vitit të shkuar, Papa bëri këtë pohim:
“Njerëzit janë më pak të rëndësishëm se gjërat që u sjellin përfitim njerëzve me pushtet politik, shoqëror, ekonomik. Në çfarë pike kemi mbërritur? Në pikën ku nuk jemi të vetëdijshëm për dinjitetin e njeriut, për dinjitetin e punës”. (Homeli në shtëpinë e Shën Martës, 1 maj 2013)
“Ku nuk ka punë – vëren Papa – nuk ka dinjitet”: dhe kjo situatë nuk është e rastësishme, sepse sot shumë “sisteme shoqërore, politike dhe ekonomike e kanë bërë një zgjedhje, që do të shotë: të shfrytëzosh njeriun”. Dhe në Evangelii Gaudium Papa flet për shkllavëritë e reja, për punën që i skllavëron njerëzit: “Në qytetet tona – shkruan – ka zënë rrënjë ky krim mafioz e çoroditës dhe shumë vetë i kanë duart të zhytura në gjak, për shkak të një farë bashkëfajësie të rehatshme dhe të heshtur”:
Këta njerëz, në të gjithë botën, janë viktima të atij lloji të skllavërisë, ku njeriu i shërben punës, ndërkohë që duhet të jetë puna ajo që u shërben njerëzve, që të kenë dinjitet. U kërkoj vëllezërve dhe motrave në fe, si dhe të gjithë burrave dhe grave me vullnet të mirë, të luftojnë me vendosmëri kundër tregtisë njerëzore, ku bën pjesë puna skllavëruese”. (Audienca e përgjithshme, 1 maj 2013)
Papa Françesku citon Gjon Palin II, kur thotë se Kisha “nuk mundet as nuk duhet të rrijë jashtë luftës për drejtësi”, sepse “nevojitet një zë profetik”, në një kontekst që synon t’i lërë pa zë të varfrit, ndërsa të tjerët “nuk duan të heqin dorë nga privilegjet e veta”. Prandaj Papa bënë këtë thirrje:
“Të dashur vëllezër e motra, mos pushoni kurrë së shpresuari në një të ardhme më të mirë. Luftoni për këtë, luftoni. Mos bini në kurthin e pesimizmit, ju lutem. Nëse secili do të bëjë çfarë i takon, nëse të gjithë do të vënë gjithmonë në qendër njeriun me dinjitetin e tij dhe jo paranë, nëse do të përforcohet solidariteti dhe shpërndarja e të mirave në mënyrë vëllazërore, duke u frymëzuar tek Ungjilli, është e mundur të dalim nga këneta e një stine ekonomike dhe papunësie të lodhshme e të vështirë”. (Fjalimi drejtuar punëtorëve të furrnaltës së Ternit, 20 mars 2014)








All the contents on this site are copyrighted ©.