“Puna dinjitoze, drejtësia shoqërore dhe çrrënjosja globale e varfërisë”. Kjo është
tema e Seminarit që po zhvillohet në Romë sot e nesër, nën kujdesin e Këshillit Papnor
Drejtësi e Paqe, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Punën dhe disa shoqata
të tjera me frymëzim katolik. Në fjalën e hapjes së punimeve, presidenti i dikasterit
vatikanas, kardinali Peter Turkson, denoncoi sistemin ekonomik, që vë në qendër paranë
dhe shkakton papunësi, punë të pamjaftueshme dhe të paqendrueshme, duke ushqyer kështu
varfërinë. “Pavarësisht nga përparimi i madh që ka sjellë industrializimi dhe globalizimi
– nënvizoi kardinali turkson – varfëria vijon të torturojë miliarda vëllezër e motra
në botë”. Prandaj është e ngutshme të gjendet një zgjidhje ekonomike alternative,
e mbështetur mbi drejtësinë dhe solidaritetin, siç porosit doktrina shoqërore e Kishës,
që nga Rerum Novarum e Leonit XIII deri tek mësimet e Papës Françesku. Imzot Vitillo,
përfaqësues i Karitasit Ndërkombëtar në Gjenevë, na shpjegon zanafillën dhe qëllimin
e këtij seminari: Prej më shumë
se një viti kemi punuar së bashku për të përgatitur një dokument mbi pikësynimet e
reja të zhvillimit njerëzor: e ashtuquajtura “post-2015”. Kemi përgatitur një dokument
të përbashkët, ku kemi përfshirë të gjitha përparësitë e punës sonë, si angazhimi
për të papunët, për ata që nuk kanë punë të mjaftueshme, ose punojnë në kushte shumë
të vështira dhe të rrezikshme, për emigrantët, që shfrytëzohen, për viktimat e trafikut
njerëzor, etj.. Kemi bashkëpunuar për ta përgatitur këtë dokument, me qëllimin për
ta përdorur bashkarisht me qeveritë dhe agjencitë e Kombeve të Bashkuara, në mbështetje
të punës dinjitoze për “post-2015”. Çfarë duhet kuptuar me “punë dinjitoze”?
Para së gjithash është diçka që shkon përtej rritjes së rrogës. Në themel të
saj duhet të jetë respekti për dinjitetin njerëzor. Kisha ka një histori të gjatë
në këtë fushë: ka punuar, me anë të doktrinës, për të vënë njeriun në qendër të debatit,
për të tejkaluar prirjen për të mbajtur parasysh vetëm përfitimin dhe tregtinë. Pastaj
duhet të merremi edhe me gjërat praktike: të flasim për një rrogë me të cilën një
punëtor duhet të ushqejë e të mbajë familjen, në një shtëpi dinjitoze. Në këtë proces,
duhet të mendojmë për të drejtën e punëtorëve për t’u organizuar, duhet të ngulim
këmbë që puna e tyre të zhvillohet në kushte dinjitoze. Në fund, duhet të kenë lirinë
të zhvillojnë interesat e veta dhe të bashkëpunojnë me sipërmarrjet dhe me shoqëritë
tregtare. Në këtë seminar kemi edhe një përfaqësi tregtarësh katolikë, të cilët janë
të gatshëm të bashkëpunojnë me punëtorët. Pra, kemi të bëjmë me një lëvizje,
nga ana e botës katolike, për të zhvilluar temën e punës, që shpesh herë lihet mënjanë,
për shkak të politikave spekulative në dëm të të drejtave të punëtorëve... Po,
është pikërisht siç thotë shpesh Papa Françesku: duhet ta vëmë punën në qendër të
vëmendjes e jo të përqëndrohemi vetëm tek paratë dhe përfitimet. Duhet ta lidhim këtë
temë me zhvillimin në përgjithësi, sepse puna dinjitoze e zhvillon botën dhe të mirën
e përbashkët.