2014-04-30 16:23:16

Papa në audiencën e përgjithshme: Zoti na dhëntë hirin e intelektit për t’i kuptuar gjërat si Ai


Është hiri i intelektit ai, që u krijon njerëzve të fesë mundësinë ta lexojnë, e edhe ta kuptojnë çdo gjë, me sytë e me zemrën e Zotit. Ky ishte mendimi kryesor i katekizmit të Papës Françesku, mbajtur në audiencën e sotme të përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e rreth 60 mijë shtegtarëve dhe besimtarëve.RealAudioMP3

Për t’i kuptuar punët e jetës, përdorim inteligjencën, për t’i kuptuar punët e Zotit, kemi nevojë për intelektin. E para është veti njerëzore, i dyti, dhuratë e Shpirtit Shenjt. Papa Françesku shpjegoi dallimin ndërmjet dy fjalëve, që fjalorët i vlerësojnë si sinonime. Por në përmasën e fesë nuk janë kështu. Në përmasën e fesë, ndërmjet intelektit e inteligjencës është një greminë e thellë, sepse, shpjegoi Papa, ndryshe nga inteligjenca, intelekti është hir hyjnor, që i jep të krishterit aftësinë për të depërtuar përtej pamjes së jashtme të realitetit e për të shqyrtuar thellësitë e mendimit të vetë Zotit e të planit të tij të shëlbimit:
“Kjo dhanti na bën t’i kuptojmë gjërat, ashtu si i kuptoi Zoti, si i kupton Zoti, me inteligjencën e Zotit. Sepse njëri mund ta kuptojë një situatë edhe me inteligjencën njerëzore, me urti, e kjo nuk është gjë e keqe. Por, ta kuptosh një situatë në thellësi, si e kupton Zoti, është pasojë e kësaj dhantie. E Jezusi deshi të na dërgonte Shpirtin Shenjt, që ne ta kishim këtë dhanti. E kështu, të gjithë të mund t’i kuptojmë gjërat, ashtu si i kupton vetë Zoti, me inteligjencën e Zotit. Është dhuratë e bukur, që na e ka bërë Zoti ne të gjithëve”.
Dhuratë, që nuk do të thotë automatizëm, sepse për “intus legere” domethënë, “për të lexuar brenda”, siç thoshin latinët, nga të cilët vjen edhe fjala “intelekt”, është e nevojshme një jetë feje, me të cilën lidhet pazgjidhshmërisht ky hir, pohoi Papa, e shtoi: “Kur Shpirti Shenjt banon në zemrën tonë, kur e ndriçon mendjen tonë, na ndihmon të rritemi ditë pas dite në kuptimin e gjërave, që tha e që bëri bëri vetë Zoti”:
T’i kuptosh mësimet e Jezusit, ta kuptosh Fjalën e Tij, ta kuptosh Ungjillin, ta kuptosh Fjalën e Zotit! Njeriu mund ta lexojë Ungjillin, e edhe të kuptojë ndonjë gjë, por nëse ne e lexojmë Ungjillin me këtë dhuratë të Shpirtit Shenjt, mund ta kuptojmë thellësinë e Fjalës së Zotit. E kjo është dhuratë e madhe, dhuratë e madhe, që të gjithë duhet ta kërkojmë, e ta kërkojmë së bashku: na e jep, o Zot, dhuratën e intelektit”.
Një dhuratë, që na krijon mundësinë t’i kuptojmë edhe punët e jetës, por të para në këndvështrimin e Zotit, vijoi Papa e, në përfundim të katekizmit, solli shembullin e dishepujve të Emausit që, të trishtuar, madje të dëshpëruar, kthehen në shtëpi, pa e njohur Jezusin, që ecën përkrah tyre. E njohin vetëm atëhere, kur ai vetë nis t’u shpjegojë Shkrimet e Shenjta, që kanë të bëjnë me vdekjen e ngjalljen e Tij. Vetëm në atë çast, kujtoi Papa, mendjet e tyre ndriçohen e në zemra u rindizet shpresa e shuar:
E kjo është vepra e Shpirtit Shenjt në ne: na e hap mendjen, na e hap, për t’i kuptuar më mirë punët e Zotit, punët e njerëzve, situatat, të gjitha gjërat. Është tejet e rëndësishme dhurata e intelektit për jetën tonë të krishterë.
T’ia lypim Zotit, që të na e japë, të na e japë ne të gjithëve këtë dhuratë, për të kuptuar, ashtu si i kupton Ai, gjërat, që ndodhin e për të kuptuar, posaçërisht, Fjalën e Zotit në Ungjill”.
Në përmbledhjen e katekizmit në gjuhë të ndryshme, Papa Françesku kujtoi disa herë Kanonizimin e Gjonit XXIII e të Gjon Palit II, duke përshëndetur grupet e ndryshme të shtegtarëve, që vijojnë të vërshojnë çdo ditë si përrua, në Bazilikën e Shën Pjetrit, për t’u gjunjëzuar para varreve të dy Papëve të Shenjtë. “Vizita juaj, uroi Papa Françesku në përfundim të audiencës, qoftë rast i përshtatshëm për ta thelluar përkatësinë tuaj në radhët e Popullit të shenjtë të Hyjit”.









All the contents on this site are copyrighted ©.