2014-04-30 13:35:08

Kardinali Parolin kremton meshën për 40 vjetorin e marrëdhënieve të Australisë me Selinë e Shenjtë


Historia e “tokës së mrekullueshme të Australisë” mban gjurmët e punës së Kishës katolike në rrafshin shëndetësor, arsimor dhe në atë të bamirësisë. Pohimin e bëri sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin mbrëmë në Vatikan, gjatë kremtimit të meshës për 40 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Australisë. Kardinali kryesoi meshën, ku bashkëkremtuan, ndër të tjerë, edhe prefekti i Sekretarisë për Ekonominë, kardinali George Pell, Kancelari i Akademisë Papnore të Shkencave dhe të Shkencave Shoqërore , ipeshvi Marcelo Sanchez Sorondo, dhe me ipeshkvi ndihmës i Sydney-t, Peter Comensoli.
Ndër pjesëmarrësit e shumtë në meshë ishin edhe senatori australian John Hoggs me bashkëshorten dhe ambasadori pranë Selisë së Shenjtë John McCarthy. Gjatë homelisë, Kardinali Parolin përmendi veçanërisht shenjtoren e parë australiane, Maria e Kryqit MacKillop (1842-1909), themeluesja e kongregatës së Motrave të Shën Jozefit të Zemrës së Shenjtë të Krishtit.
Dëshmia e Shën Marisë Mac Killop, pohoi Sekretari i Shtetit, është prova e pamohueshme e rolit të katolikëve në Australi. E megjithatë, “sikurse e dinte mirë edhe vetë shenjtorja – theksoi kardinali Parolin – puna nuk është kurrë e përfunduar. Mbeten ende shumë gjëra që duhen bërë, jo vetëm në fushat tradicionale të bashkëpunimit, por edhe në përballjen me sfidat e reja, veçanërisht në mbështetje të respektimit të të drejtave njerëzore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.