2014-04-30 13:33:40

Gjoni XXIII: Telegram i shifruar nga Vatikani


Vijojmë shfletimin e librit të Terezio Boskos “Gjoni XXIII- Papa i mirë”. Në faqet pasuese e ndjekim Papën Ronkali gjatë një shtegtimi, që pak nga pak do ta çonte në fronin e Shën Pjetrit. “Telegram i shifruar nga Vatikani”, titullohet fragmenti, që zgjodhëm për emisionin e sotëm. Na çon, pas nuncit apostolik imzot Ronkali, nga Stambolli, në Paris...RealAudioMP3


6 dhjetor 1944. Një telegram i ri vjen nga Vatikani. Imzot Ronkali e deshifron vetë. Telegrami e lajmëron se është emëruar Nunc Apostolik në Paris.
- Duhet të jem gabim! Nuk mund të merret një burrë 63 vjeç e të niset pa frymë prej Stambolli, në Paris!
Por shumë shpejt nga Roma arrin edhe një letër: përmbajtja e telegramit është e saktë.
Nata e Krishtlindjes! Imzot Ronkali i përqafon njërin pas tjetrit meshtarët e tij, gjunjëzohet një çast në kishë e niset sakaq për në aeroport. E pret një avion ushtarak.
Në Romë, takohet menjëherë me Piun XII. I mjaftojnë vetëm pesë minuta për t’u njohur me situatën në Paris e në Francë.
Nunci i mëparshëm, imzot Valeri, ishte larguar gati me forcë nga Qeveria e Çlirimit Kombëtar. Po ajo qeveri kërkon edhe largimin e 30 ipeshkvijve, që akuzohen për bashkëpunim me gjermanët. Duhet maturi e durim për t’ia gjetur fillin këtij lëmshi.
Imzot Ronkali vë buzën në gaz:
- E mora vesh. Në Paris duhet një, që ka shumë durim. Bindje e paqe. Të shkojmë e Zoti na ndihmoftë.
Lufta II Botërore po jeton dimrin e vet të fundmë. Në Itali arrin kulmin guerrilja partizane.
Në Francë, pas zbarkimit në Normandi, Aleatët çajnë perden e hekurt të gjermanëve e vërshojnë në vend. Parisi vlon si vullkan. Më 25 gusht është i lirë!
Më 1 janar imzot Ronkali pret në një sallë të akullt të Parisit. Pas një trokitjeje të shpejtë takash, hyn gjenerali De Gaulle, shtatlartë, i ngrirë në divizën e përsosur.
Imzot Ronkali paraqet letrat kredenciale dhe mban një fjalë të shkurtër, thurur me fjalë të zgjedhura e të matura.
Menjëherë pas, Nunci i ri i përvishet punës, për të zgjidhur problemin e “ipeshkvijve të padëshirueshëm”. Pa u ngutur fare, me qetësi të plotë, shfleton dokumentacionin, mbi bazën e të cilit këkohet largimi. Pastaj kthehet rishtaz tek De Gaulle:
- Shpresoj se nuk e keni në mend të hapni ndonjë proces, mbi bazën e këtyre marrëzirave. Janë thashetheme gazetash, jo prova.
De Gaulle pranon se kjo është e vërtetë. Pas shtatë muaj bisedimesh, vetëm pesë ipeshkvij japin vetë dorëheqjen. Lëmshi është zgjidhur.









All the contents on this site are copyrighted ©.