2014-04-29 13:01:17

thirrja e Levit (Mk 2,13-17)


Pjesa e sotme e Ungjillit sipas Markut flet për thirrjen e Levit. Jezusi është gjithnjë në lëvizje nga një vend në tjetrin, turmat shkojnë tek ai dhe ai i mëson. Marku e paraqet Jezusin në lëvizje dhe të rrethuar me shumë njerëz. Sigurisht, Jezusi u flet të gjithëve, kudo, por mësimi i tij nuk është vetëm i përgjithshëm dhe interesi i tij nuk është vetëm universal. Jezusi, “duke kaluar, pa Levin, birin e Alfeut”.RealAudioMP3
Shikimi i Birit të Hyjit është mbi të gjithë, por edhe mbi secilin. Në Krishtin e mishëruar, Hyji ka ardhur për të kaluar pranë çdo njeriu. Levi ishte “ulur ku mblidheshin tatimet”, pra nuk kishte shkuar për të dëgjuar Jezusin, por Jezusi kalon pranë tij. Dhe e sheh. Krishti nuk ka ardhur për të shpallur një doktrinë, por për ta parë njeriun në gjendjen e tij të përditshme. Levi ishte izraelit dhe mblidhte tagrat për pushtuesit romakë. Hebrenjtë e “shihnin” Levin si tradhëtar të atdheut, sepse u shërbente pushtuesve, dhe si të papastër, sepse përzjehej me paganë. Sigurisht, ai kishte ndjerë mbi vete peshën e shumë shikimeve, që mund të tërhiqte një mbledhës tagrash dhe, për më tepër, një mbledhës tagrash për llogari të pushtuesve.
Jezusi e shikon dhe i thotë: “Më ndiq!”. Shikimi i Jezusit është i lirë nga çdo paragjykim fetar dhe moral. Biri i Hyjit sheh tek çdo njeri nevojën për plotësinë e jetës, që shpesh herë na shtyn ta kërkojmë lumturinë në vendet e gabuara dhe të ndaluara nga ligji moral, fetar e kombëtar. Jezusi nuk shikon punën e njeriut, por njeriun. Dhe e thërret: “Më ndiq!”.
Marku na tregon me pak fjalë gatishmërinë e Levit: “Ai u çua dhe shkoi pas tij”. Levi nuk është i vetmi tagrambledhës dhe “mëkatar” që shkon pas Jezusit. Në shtëpinë e tij “shumë tagrambledhës e mëkatarë u ulën në tryezë me Jezusin dhe me nxënësit, sepse ishin të shumtë ata që shkonin pas Jezusit”. Që në fillim të Ungjillit sipas Markut duhet të mësohemi me një Jezusi të rrethuar nga njerëz mëkatarë. Sepse Jezusi ka ardhur për të mundur mëkatin dhe për të shpëtuar njeriun.
Këtë gjë nuk e kuptojnë farisenjtë dhe skribët, prandaj ankohen “pse Jezusi ha dhe pi në shoqërinë e tagrambledhësve dhe mëkatarëve”. Ulja në tryezë, të ngrënit dhe të pirët me dikë, tregon afërsi dhe miqësi. Mësuesi i Nazaretit nuk ka ardhur t’u mësojë njerëzve doktrinën, por miqësinë e Hyjit. Miqësia e Hyjit e shëron njeriun, e pastron nga mëkati dhe e çliron nga pesha e së keqes. Duke iu përgjigjur ankesës së skribëve dhe të farisenjve, në këtë fillim të Ungjillit sipas Markut, Jezusi tregon arsyen dhe qëllimin e ardhjes së tij: “Nuk kam ardhur për të thirrur të drejtët, por mëkatarët”.
Në Letrën e Parë të Shën Gjonit apostull shkruhet kështu: “Nëse themi se jemi pa mëkat, gënjejmë veten dhe e vërteta nuk është në ne” (1Gjn 1,8). Mëkati, që para Jezusit ishte shkaku i dënimit të njeriut, me Jezusin kthehet në mundësinë e njeriut për t’u takuar me Hyjin dhe për të gjetur lumturinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.