2014-04-29 12:44:02

Papa: bashkësia e krishterë jeton në paqe, dëshmon Krishtin dhe ndihmon të varfërit


Çdo bashkësi e krishterë duhet ta krahasojë jetën e vet me atë të Kishës së parë e të shohë nëse është akoma në gjendje të jetojë në “harmoni”, të japë dëshminë e Ringjalljes së Krishtit dhe të ndihmojë të varfërit. Kështu tha Papa Françesku në homelinë e meshës, së kremtuar sot në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3
Me tri penelata, Ati i Shenjtë pikturoi ikonën e bashkësisë së krishterë, ashtu siç përshkruhet në Veprat e Apostujve. U ndal në tre tiparet e këtij grupi njerësish, të aftë të jetonin në harmoni të plotë, të dëshmonin Krishtin jashtë bashkësisë së tyre, të mos lejonin që asnjë nga anëtarët të vuante në mjerim. “Tri veçoritë e popullit të rilindur”, komentoi Papa, i cili reflektoi mbi gjithçka vuri në dukje Kisha gjatë Javës së Madhe të Pashkëve. E rilindur nga Lart, nga Shpirti i Shenjtë, që jep jetën, pohoi Ati i Shenjtë. Kjo ishte bërthama e parë e “të krishterëve të rinj”, që akoma as që quheshin kështu:
“Kishte një zemër të vetme e një shpirt të vetëm’. Paqen. Një bashkësi e paqes. Kjo do të thotë që në atë bashkësi nuk kishte vend për thashetheme, për smirë, për shpifje, për dëshmi të rreme. Paqe. Falje: ‘Dashuria mbulonte gjithçka’. Për ta cilësuar një bashkësi të krishterë, duhet të pyesim si është sjellja e të krishterëve. A janë të butë, të përvuajtur? Në atë bashkësi, a ka grindje për pushtet? Grindje për shkak të smirës? A ka thashetheme? [Nëse është kështu], nuk janë në udhën e Jezu Krishtit. Kjo veçori është shumë e rëndësishme, shumë e rëndësishme, sepse djalli përpiqet të na ndajë gjithmonë. Është babai i ndarjes”.
Problemet nuk mungonin edhe në bashkësinë e parë të krishterë. Papa Françesku kujtoi luftën e brendshme doktrinore, luftën për pushtet. Përmendi ankimin e vejushave, që ndjenin se nuk i ndihmonte kush, përmendi Apostujt, të cilëve iu desh të bëheshin diakonë. Megjithatë, ai çast i fuqishëm fillestar përcakton përgjithnjë thelbin e bashkësisë së lindur nga Shpirti i Shenjtë. Një bashkësi në harmoni e, së dyti, një bashkësi dëshmitarësh të fesë, me të cilët, Papa Françesku i fton të konfrontohen besimtarët e sotëm:
“A është bashkësi që dëshmon Ringjalljen e Jezu Krishtit? Kjo famulli, kjo bashkësi, kjo dioqezë, a beson vërtet se Jezu Krishti është ngjallur? Apo thotë: ‘Po, është ngjallur”…por zemrën e ka larg nga kjo forcë. Duhet të dëshmojmë që Jezusi është i gjallë, është mes nesh. E kështu mund të kuptojmë si shkon një bashkësi”.
Tipari i tretë me të cilin duhet të masim jetën e një bashkësie të krishterë është qëndrimi i saj ndaj të varfërve. E Papa Françesku vuri theksin mbi dy pika:
“Së pari: si është sjellja jote, ose qëndrimi i kësaj bashkësie ndaj të varfërve? Së dyti: kjo bashkësi është e varfër? E varfër në zemër, e varfër në shpirt? Ose, beson veç në pasurinë e saj? Në pushtetin? Harmoni, dëshmi, varfëri e kujdes për të varfërit. Këtë i shpjegonte Jezusi Nikodemit: këtë rilindje nga Lart. Pasi i vetmi që mund ta bëjë këtë është Shpirti i Shenjtë. Kjo është vepër e Shpirtit të Shenjtë. Kishën e bën Shpirti. Shpirti krijon bashkimin. Shpirti të nxit drejt dëshmisë. Shpirti të bën të varfër, sepse Ai është pasuria, që të lejon të kujdesesh për të varfërit”.
Shpirti i Shenjtë, u lut në fund Papa Françesku, na ndihmoftë të ecim në rrugën e të rilindurve për hir të forcës së Pagëzimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.