2014-04-29 17:09:51

Gjatë ditës së sotme Ati i Shenjtë mori pjesë në mbledhjen e tetë kardinajve këshilltarë


Edhe sot, si zakonisht, me përjashtim të ndonjë mungese për angazhime të veçanta, Ati i Shenjtë mori pjesë në mbledhjen e këshillit të tetë kardinajve, që ai vetë ka caktuar për reformën e kurjes romake. Në këtë mbledhje, tha drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit Atë Federico Lombardi, mori pjesë edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin.
Sipas njoftimit të Atë Lombardit, kardinajtë, të cilët gjatë mbledhjeve të mëparshme kishin shqyrtuar Kongregatat e Kurjes Romake, tani po marrin në analizë Këshillet Papnore, fillimisht me shkëmbim mendimesh të përgjithshme e pastaj për secilin këshill në veçanti. Mund të pritet, shpjegon njoftimi, që gjatë këtij takimi “të plotësohet një paraqitje e parë e përsiatjeve për dikasteret”. Mbledhja e ardhshme e kardinajve do të mbahet më 1 – 4 korrik. Meqë ka ende shumë punë për t’u bërë, nuk duhet të presim që përfundimet të dalin brenda këtij viti, thotë në fund njoftimi.








All the contents on this site are copyrighted ©.