2014-04-28 14:09:25

Gjoni XXIII: Vitet e topave


Rikthehemi tek jeta e Gjonit XXIII, kur ishte prift i thjeshtë, duke vijuar leximin e librit të Terezio Boskos “Gjoni XXIII- Papa i mirë”, që e zgjodhëm për të njohur jetën e Shenjtit të ri.“Vitet e topave” titullohet fragmenti i sotëm, në të cilin dom Anxhelon e takojmë në frontin e Luftës I Botërore.

Maj 1915. D’Anuncio në Kuatro, bën thirrje për luftë. E quan “zjarr, që do ta pastrojë rininë e Italisë”. Duket sikur një erë çmendur tërbohet në të gjitha shtigjet e gadishullit. Në orën 15.30 të 23 majit, qeveria austriake merr deklaratën e luftës. Italia hyn në Luftën I Botërore.
Edhe dom Anxhelo merr fletëthirrjen për ushtri. Shkruan:
“Nesër nisem. Ku do të më çojnë? Në front? Nuk e di! Dëshiroj një gjë të vetme, vullnetin e Zotit, sot e përgjithmonë, e lavdinë e tij, në flijimin tim të plotë”.
Caktohet rreshter në spitalin e Bergamos.
Ndërkaq në front fillon beteja e parë e shkatrrimtare, ajo e Izoncos. Për dy javë me radhë Armata e dytë dhe e tretë nisen për sulm nga llogoret e Tolminos e të Goricies. Mbi rrafshnaltën gëlqerore nis martirizimi i këmbësorisë italiane: bajoneta, kundër telave me gjemba. Në pak ditë mbeten në fushë të betejës më se 15.000 vetë.
Rreshteri Anxhelo Ronkali shikon si vërshon në spital një ushtri e tërë me të plagosur, që trondisin edhe muret me britmat rrënqethëse. Në bebëzat e syve, që u digjen nga ethet, lexohet tmerri i sulmit me armë të bardha.
24 tetor 1917. Një emër përshkon Italinë. Endet si fantazmë, që mbjell kudo frikë e tmerr: Kapporeto. Austriakët thyejnë vijën e mbrojtjes e vërshojnë në fushën venete. Nisen drejt Piaves rezervat e fundme të djalërisë së 1899.
Don Anxhelo, i emëruar kapelan ushtarak, shikon si shtohen gjithnjë më shumë valët e të plagosurve. Spitalet e Bergamos nuk mjaftojnë.
Të gjitha kishat e qytetit i nënshtrohen nevojave të luftës e mbushen përplot me trupa të copëtuar. Don Anxhelo sillet ditë natë ndërmjet ushtarëve, me garza e dizinfektues në duar. Pas çdo fashimi, edhe një fjalë feje e mirësie. Po sa e sa i shuhen në dorë. Djem nënash! Sa!
Më në fund, kumti i madh: paqja! Sapo ngrihen përsëri në këmbë, të plagosurit rinisen drejt familjeve të tyre. I shtrëngojnë dorën e i thonë:
- Faleminderit, kapelan. Do të përpiqemi të jemi të mirë, që Zoti të mos na e çojë kurrë më shuplakën e luftës.
Baba Batista e nënë Mariana fshijnë lotët e përqafojnë përsëri tre djemtë, që kthehen gjallë e shëndosh nga fronti. Don Anxhelo përsërit:- Paqe mbi tokë! S’ka gjë më të bukur! Gjë më të madhe!







All the contents on this site are copyrighted ©.