2014-04-28 14:09:37

Gjon Pali II. Udhëtimi në Meksikë: teologjia e çlirimit


Tre muaj pas zgjedhjes, Papa Gjon Pali II vendosi të shkojë në Meksikë. Këtij udhëtimi të vështirë, ia kushtojmë emisionin e sotëm, në gjurmët e jetës së shenjtit polak, sipas librit “Kam jetuar me një shenjt” të kardinalit Stanislau Xhivish, intervistuar nga gazetari italian Gian Franco Svidercoschi.
“Qe një vendim kundër rrymës – pohon kardinali. Në Kurien romake, disa ishin kundër. Kundër, për shkak të gjendjes meksikane kaq të ndërlikuar, por edhe për të gjitha të papriturat, që mund të karakterizonin udhëtimin e parë. Etapa e parë, gati e rastësishme, e një shtegtimi, që do ta çonte Atin e Shenjtë t’i binte shtatë herë rrotull tokës. Pikërisht! Një risi tjetër, diçka e ndryshme e kësaj papnie. Që favorizoi si përmasën universale të katolicizmit, ashtu edhe forcimin e lidhjeve ndërmjet Selisë së Shenjtë e Kishave lokale. A nuk ishte edhe frenim i të ashtuquajturit “centralizëm romak”?
Populli meksikan ka qenë gjithnjë shumë fetar, por atëherë, Meksika dominohej nga një kastë masone e antiklerikale. Papa, në fjalimin e tij para ipeshkvijve amerikanolatinë në Puebla, deshi të sqaronte qëndrimin ndaj teologjisë së çlirimit, tepër e diskutuar në gjirin e Kishës, me përkrahës e kundërshtarë po aq të zjarrtë.
Gjon Pali II nuk e dënoi, por denoncoi problemet që përmbante. “Marksizmi, përkrahës i luftës së klasave, i revolucionit me dhunë – kujton kardinali Xhivish - natyrisht, nuk mund të përdorej si zgjidhje për të këqiat e Amerikës Latine. Përveç kësaj, ekzistonte rreziku, mjaft real, që ilaçi të ishte më i dëmshëm se vetë sëmundja.
Por është e vërtetë se Gjon Pali II miratoi shprehimisht një teologji çlirimi, që kishte “opcionin për të varfërit”, duke respektuar vendimin e madh sipas Ungjillit, marrë nga Kisha amerikanolatine. E më vonë, pas publikimit të Udhëzimeve të para të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, që ndalej vetëm në aspektet negative, Papa deshi – e përsëris – deshi një dokument të dytë, ku të viheshin në dukje edhe anët e shumta pozitive të kësaj teologjie”.
Pikërisht nga ai udhëtim i parë në Meksikë, filluan përpjekjet për ta etiketuar Gjon Palin II: ishte konservator, apo progresist; i majtë, apo i djathtë; bir i Koncilit, apo e kundërta e tij? Kardinali Xhivish sqaron:
“Ishte besnik ndaj Traditës, kjo po, natyrisht: por njëkohësisht ishte edhe për dialog me rrymat e reja teologjike, për një konfrontim konstruktiv ndërmjet fesë e arsyes, siç konfirmoi në enciklikën “Fides et ratio”. E as nuk u tërhoq para sfidave të shoqërisë post-moderne, nga ndërlikimet, nga pluralizmi, por u përpoq të korregjonte nga brenda kufizimet dhe problemet e tyre… përdori një gjuhë të re e, siç bëri në tetor 1989, duke folur para Parlamentit të Evropës në Strasburg, ia mbylli dyert çdo kthimi të mundshëm të ‘tundimit integralist’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.