2014-04-27 13:27:23

Shenjtorët e javës 28 prill – 4 maj


Më 28 prill përkujtohet Shën Luigi Maria Grinjon nga Monfort. Përshkoi rajonet e Francës perëndimore duke predikuar misterin e Urtisë së amshuar, Krishtin e mishëruar dhe të kryqëzuar, dhe duke i mësuar njerëzit të shkojnë tek Jezusi nëpërmjet Marisë. Mblodhi meshtarë e besimtarë në shoqërinë e vet apostolike dhe shkroi rregullat e Misionarëve të Shoqërisë së Marisë. Ndër shkrimet e tij kujtojmë “Traktatin mbi devocionin e vërtetë ndaj Virgjërës së Shenjtë” dhe “Dashurinë për Urtinë e amshuar”. Vdiq më 28 prill 1716.
Më 29 prill përkujtohet Shën Katerina e Sienës. U lind më 1347 dhe nuk u shkollua. Prindërit deshën ta martonin në moshën 12 vjeçare. Ajo kundërshtoi dhe fitoi. Kërkoi vetëm t’i jepnin një dhomë të vogël, që u bë qelia ku vinin për ta takuar artistë, njerëz të Kishës dhe dijetarë, të cilët filluan t’i quanin “katerinarët”. Nxë shkrim e këndim, por shumicën e mendimeve të veta i dikton. U shkruan papëve dhe mbretërve, grave të thjeshta, mbretëreshave dhe të burgosurve. Shkon në Avinjon, si ambasadore e fiorentinëve për një mision paqeje me papën Gregori XI, të cilin e nxit të kthehet në Romë, më 1377. Papa Urbani VI e thërret në romë, por këtu sëmuret dhe vdes, në moshën 33 vjeçare.
Më 30 prill përkujtohet Shën Piu V, papë. Antonio Mikele Gislieri, rregulltar domenikan, ipeshkëv e kardinal, mbuloi detyra me përgjegjësi të madhe në Kishë. Pasi u bë papë me emrin Piu V, organizoi reformën e Kishës në shumë sektorë, sipas udhëzimeve të Koncilit të Trentos. Botoi Mesharin e ri, Breviarin dhe katekizmin romak. Vdiq më 1 maj 1572.
Më 1 maj përkujtohet Shën Jozefi Punëtor. Në Ungjill Jezusi quhet ‘biri i marangozit’. Me këtë festë të Shën Jozefit punëtor vihet në dukje dinjiteti i lartë i punës së njeriut, si detyrë dhe përsosje e personit, si ushtrim plot mirësi i zotësisë mbi botën e krijuar, si shërbim ndaj bashkësisë, si vijim i veprës së Krijuesit, si ndihmë në planin e shpëtimit.
Më 2 maj përkujtohet shën Atanasi, ipeshkëv i Aleksandrisë së Egjiptit. Qe mbrojtës i bindur i hyjnisë së Krishtit, të cilën arianët e mohonin, edhe pse ishte shpallur në mënyrë soloemne në Koncilin e Nikesë (325). Për këtë arsye pësoi përndjekje dhe dëbim. Shkroi jetën e Shën Antonit Abat dhe përhapi në perëndim idealin e jetës murgare.
Më 3 maj përkujtohen shën Filipi e Jakobi, apostuj. Kujtohen në të njëjtën ditë sepse reliket e tyre qenë vendosur së bashku në Kishën e Dymbëdhjetë Apostujve në Romë. Filipi ishte me prejardhje nga Betsaida, nga vinin edhe Pjetri e Andrea. Fillimisht nxënës i Gjon Pagëzuesit, qe ndër të parët që shkuan pas Jezusit. Jakobi ishte biri i Alfeut dhe kushëriri i Jezusit. Luajti një rol të rëndësishëm në koncilin e Jeruzalemit dhe u bë kreu i Kishës së Qytetit të Shenjtë pas vdekjes së Jakobit të Madh. Shkroi Letrën e Parë të Letrave të Përgjithshme të Besëlidhjes së Re. Sipas Jozef Flavit, e dënuan me vrasje me gurë ndërmejt viteve 62-66.
Më 4 maj është e diel, festa e Zotit, e diela III e pashkëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.