2014-04-27 11:34:21

P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: “Të ngjallurit e korpit”


Në reflektimin e 40-të të ciklit, kushtuar 20-vjetorit të botimit të Katekizmit të Kishës Katolike, atë Dariush Kovalçik ndalet tek tema tejet e rëndësishme për jetën e krishterë: “Të ngjallurit e korpit”.

Besimtarët e krishterë dëshmojnë jo vetëm pavdekësinë e shpirtit njerëzor, por edhe ngjalljen e korpit. Që në fillim kjo e vërtetë, krejtësisht në kundërshtim me filozofinë greke, pati ngjallur një mori pyetjesh. Ndër korintianë: “Si ngjallen të vdekurit?” (1 Kor 15,35). Shën Pali Apostull përgjigjet, duke bërë një krahasim: “Çka mbjell, nuk e fiton jetën, po s’vdiq”. Kështu edhe ngjallja e të vdekurve, mbillen të kalbshëm, ngjallen të pakalbshëm, mbillen trup frymor, ngjallen trup shpirtëror (1 Kor 15,35-44).

Korpi ynë duhet të jetë, pra, fara që, përmes vdekjes, do të shndërrohet në korp të përkryer. Korp krejtësisht i ri, por gjithnjë yni, madje shumë më i shkrirë me shpirtin, sesa korpi tokësor.

Por Doktrina e ngjalljes së korpit nuk është fizika e sendeve të mbrame. Duhet kujtuar se: ‘çka syri nuk e pa e veshi nuk e dëgjoi, atë ua bëri gati Hyji, atyre që e duan”(1Cor 2,9). Ne shpresojmë, jo sepse i përfytyrojmë sendet e ardhshme, por sepse besojmë në Zotin, që dëshiron ta shëlbojë njeriun me korp e me shpirt. Ky vullnet i Zotit na u zbulua në ngjalljen e Krishtit. Prej këndej, vetë Jezusi, thotë: “Unë jam Ringjallja dhe Jeta” (Gjn 11,25).
Katekizmi na mëson se me vdekjen, shpirti ndahet nga korpi, por në ngjallje, Zoti do t’i japë jetë të pakalbshme edhe trupit tonë të shndërruar, duke e bashkuar me shpirtin tonë (n. 1016). Po, kur do të ndodhë kjo? Tradita e shoqëron ringjalljen e të vdekurve me ditën e mbrame, domethënë me Parusinë e Krishtit. Ka edhe teologë, që i shpjegojnë ndryshe të dhënat e Shkrimit Shenjt e flasin për ringjallje individuale, menjëherë pas vdekjes. Si do të jetë ajo ditë? Do të rrojmë, do të vdesim e do të shikojmë...







All the contents on this site are copyrighted ©.