Kush kaloi këto ditë në Sheshin e Shën Pjetrit, nuk mundi të mos mahnitet nga pamja
e ylbershme e tij e të mos e ndjente si rreh me forcë pulsi i gjallë e jetëdhënës
i Kishës Katolike. E sot, turma, e nisur nga të katër anët e botës, zgjatet nga
Kështjella e Shën Engjëllit, nëpër rrugën e Pajtimit. Turma shtrëngohet rreth Papës.
Në gjirin e saj, si gji deti, shikon njerëz nga të gjitha racat, të gjitha moshat,
të gjitha pozitat shoqërore, ngatërruar pranë e pranë, me mahnitjen e këtyre ditëve
të jashtëzakonshme në sy e në zemër. Në këtë det shikon përfaqësues të të gjitha
feve, që duan të dinë diçka më shumë për katolicimin, në sa larton në elter edhe
dy shenjtorë të tjerë, që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e jetës së shumëkujt,
pavarësisht nga raca, feja, kombi e kultura. Në turmë shikon njerëz, që dolën nga
kafazi i viseve, ku sundonte tirania, në dritën e Zotit, duke u bërë qytetarë të botës,
edhe falë dy Papëve Shenjtorë, që sot u ngjitën në nderimet e elterit. Në detin
e turmës shikon fshtatarë bergamaskë, me çorape të trasha leshi e torba , si ato që
mbathte e ngarkonte mbi shpinë Gjoni XXIII, kur ishte i vogël e ecte me kilometra
në këmbë, për të arritur në shkollë. Shikon fshatare me veshjet plot ngjyra, ardhur
nga Wadovice e largët, duke u krenuar sot mes turmës, për Birin e madh, që i falën
botës. Po ka edhe presidentë, si italiani Napolitano, polaku Komorovski, evropiani
Josè Manuel Barroso e Hernan Van Rompuy. Edhe shqiptarë si Zonja Atifete Jahjaga. E
edhe një Papë nderi, Benedikti XVI. Është e gjithëpranishme edhe Kisha Katolike
Shqiptare, e përfaqësuar nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, Kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit,
imzot Anxhelo Masafra, Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit, imzot Rrok Mirdita, shumë grupe
të vogla emigrantësh shqiptarë e shtegtarësh, ardhur nga i gjithë vendi, me flamuj
kuq e zi në dorë, që valëviten ndërmjet flamujve të mbarë botës, në një shesh ku nuk
mund të vësh as këmbën, që ndjek në heshtje me përkushtim të jashtëzakonshëm, si
të ishte në Bazilikë, Meshën Shenjte. E ka, sidomos, të rinj, me simbolet e shtegtarëve
mbi shpinë, që e kaluan natën e së shtunës jashtë, duke pritur të dielën e gëzueshme
të shenjtërimit. Siç bënë me qindra herë, në takimet e mëdha botërore të tyre, ku
i thirri Gjon Pali II, që të njiheshin më mirë me Krishtin e me njëri tjetrin. Për
këtë janë edhe sot këtu, si ishin edhe ato netë të pagjumë, kur Gjoni XXIII e Gjon
Pali II ktheheshin në shtëpinë e Atit. E kur u shpallën të Lum. Ndërmjet turmës
ka edhe hebrenj, nga të katër anët e botës, ardhur këtu për të falënderuar Papët,
që i patën mbrojtur me aq guxim dikur, kur njerëzit digjeshin në furra krematore e
torturoheshin në kampe e përqendrimi të zeza e të kuqe. Po ka edhe myslimanë, mysafirë
të Papës Ronkali, që shërbeu për shumë vjet ndërmjet tyre, në Turqi, e grekë ortodoksë,
që i pati miq e shokë në Greqi, gjithnjë si nunc apostolik. E edhe miq të Gjon Palit
II, të gjallë e sot në këtë shesh, falë ndërhyrjeve të tij guximtare në kohë tejet
të vështira. Mes tyre, Lech Walesa. Turma, që dyndet sot në Sheshin e Shën Pjetrit
ndez ngjyrat e ylberit në zemër të Kishës Katolike. Turma mblidhet në Shesh e
Sheshi e pret me krahët e hapur aq, sa të pushtojnë mbarë botën. Pushton edhe
mijëra shtegtarë shpirtërorë, sytë e të cilëve ngulen sot mbi ekranet e televizioneve
të universit, lidhur drejtpërdrejt me këtë katedrale madhështore, nën qiell të hapur,
që është Sheshi i Shën Pjetrit, me krahët prej shtyllash e me kësulën e Papës në maje
të kupolës. Turma shikon si në dy krahët e rrugës e të sheshit janë vendosur një
mori pikash të ndihmës së shpejtë, ku lëvizin përfaqësues të Kalorësve të Maltës,
gjithnjë në shërbim të shëndetit të Kishës, të besimtarëve e miqve të saj. Madje edhe
të atyre që besojnë se janë armiq të një Kishe, që ka vetëm miq, për t’i dashur e
për t’i ndihmuar. Pa harruar edhe strehët, me kryqe të kuqe, mes turmës. E pastaj,
telekamerat, kinemarrëset, aparatet fotografike.... Turma ndjen si rreh zemra e
gjallë e Kishës Katolike në çdo skaj e skutë të këtij sheshi, ku shkel pranvera e
njerëzimit. Turma ndjen se zemra e gjallë e Kishës Katolike është Krishti, që ka
forcë t’i bëjë njerëzit shenjtorë, për t’i dhënë gjithnjë botës frymëmarrje të re,
edhe atëherë kur i zihet fryma nga padrejtësitë, nga korrupsioni, nga luftërat, nga
krizat e rrezikon t’i shuhet çdo shpresë. Turma mbush Sheshin e Shën Pjetrit, me
larushinë e ngjyrave të saj, e gjen aty pikërisht shpresën për ardhmërinë. Krishti
është shpresa e turmës, që merr frymë me kraharorin e Papëve Shenjtorë. Shtrëngohet,
prandaj, rreth Papës Françesku, në sa kryeson sot Meshën për shenjtërimin e dy paraardhësve.Shenjtorët
kanë hyrë tashmë në zemër të turmës, e do ta shoqërojnë në udhën e kthimit, në të
katër anët e tokës.