2014-04-27 10:41:43

Gjoni XXIII: Sot do të shkosh në Parriz


“Sot do të shkosh në Parriz”, titullohet fragmenti i librit të Terezio Boskos “Gjoni XXIII- Papa i mirë”. E zgjodhëm në ditën kur na shikon me të vërtetë nga Parrizi, për t’u rikthyer përsëri në rrëfimin e çasteve më kuptimplote të jetës së tij, aty ku e lamë, në emisionin e mëparshëm. Sepse Shenjti i ri ka shumë për të na thënë.RealAudioMP3

20 maj 1963. Në ditarin e tij, Papa Gjoni shënon, me dorë të lodhur: “Sot në mëngjes, për herë të tretë, në vend që të ndjeja kënaqësinë e zakonshme, që më fal kremtimi i Meshës, m’u desh të kënaqem vetëm me kungimin...”.
Nuk e dinte se po kremtonte Meshën e tij të fundit. Që prej gjashtë muajsh doktor Rocchi i kishte njoftuar njerëzit e tij më të afërt se një tumor i pashërueshëm po ia merrte jetën.
Në paradhomë pret kardinali Vishinski me katër ipeshkvij. Sekretari, imzot Kapovila, i thotë:
“A ta sjell këtu, në dhomë të gjumit. Është njeri shumë i matur. Do të ndjehet tejet i nderuar”.
- Jo, jo, po ngrihem menjëherë.
E ndjeu, me sa duket, se kjo do të ishte audienca e tij e fundme. Në të cilën i priti kardinalin e ipeshkvijtë me delikatesën më prekëse.
Në përfundim, me sy plot shpresë, kardinali i tha:
- Atë i Shenjtë, mirupafshim në shtator. Për koncilin.
Papa Gjoni tundi kokën:
- Nëse nuk do të më gjeni mua, do të gjeni një papë tjetër!
- Jo, do të lutemi në gjunjë, ditë-natë, që ju të jetoni.
Papa u ngrit në këmbë. Sekretari deshi ta ndalonte.
- Po ju shoqëroj, po, po ju shoqëroj, nëse nuk do të ishte ky protokoll i bekuar, do t’ju shoqëroja deri te Porta e Bronzit…
Natën e 2 majit sëmundja shpërtheu me tërbim. Poshtë dritares mblidhet një turmë e madhe shtegtarësh, ardhur për ta parë. E Papa e di. Ia del t’u shkëpusë mjekëve lejën për të dalë edhe një herë në dritare, për një sekondë:
- Bij të dashur, ju prisja në mesditë. Po m’u desh ta shpejtoj paksa takimin… Për shumë vjet Të Ngjiturit e Krishtit në qiell. Vrapojmë pas Zoti që ngjitet… Përshëndetje! Përshëndetje!
30 maj. Një goditje peritoniti këput çdo shpresë. Sekretari gjunjëzohet pranë krevatit. Përshpërit:
-Atë i Shenjtë, Atë i Shenjtë, pyeta mjekët…
- E mirë, ç’të thanë?
- Atë i Shenjtë, do të jem i ndershëm me ju. Ju them se kjo është dita e Zotit. E takimit me Jezusin.
E u shkri në vaj.
Papa Gjoni mblodhi forcat e pakta, që i kishin mbetur e, duke qeshur, tha:
- Pa shiko, sekretari im! Duket i fortë e megjithatë preket thellë, kur duhet t’i japë eprorit lajmin më të bukur: sot do të shkosh në Parajsë!
Hyn rrëfyesi i Papës. Rri aty një gjysëm ore. Në 11.35 vajohet. Lutet një minut për të falënderuar Zotin, ia ngul sytë Kryqit e, qetë-qetë, me zë shumë të ulët, u thotë të pranishmëve:
- Këta krahë të hapur të Jezusit ishin programi i papnisë sime. Papni e përvuajtur, modeste. Po jam i kënaqur nga ajo që bëra. Desha t’i dua të gjithë. I desha të gjithë.
Një stuhi e tërbuar e rrihte si me kamxhik Romën. Shumë njerëz, të bërë qull nga shiu, vijonin të shikonin dritaren e Papës, nga Sheshi i Shën Pjetrit.
Papa Gjoni herë dremit, herë flet kllapi. I ofron vuajtjet e tij për fëmijët, të sëmurët e punëtorët e mbarë botës.
Mërmërit shpesh; “Nëna ime, besimi im”. Është lutja drejtuar Zojës, që e ka mësuar në seminar, për ta thënë, pastaj, gjatë gjithë jetës.
Tani ethet, më parë tejet të larta, i bien fare. E shkrehen mbi çarçafin e bardhë edhe duart e këputura të Papës Gjoni.
Është ora 19.49 e 3 qershorit 1963
Më 3 shtator 2000, do të ishte i Lum.Më 27 prill 2014, është Shenjt!








All the contents on this site are copyrighted ©.