2014-04-27 11:33:09

Gjoni XXIII - Skeda


1881 Anxhelo Ronkali lindi më 25 nëntor, në Sotto il Monte (Nënmal), pranë Bergamos, në një familje fshatare. Ishte i treti ndërmjet trembëdhejtë vëllezërve e motrave. Zgjodhi shumë shpejt jetën kishtare. Ishte vetëm 12 vjeç, kur hyri në seminarin e Bergamos; dy vjet më vonë nisi të shkruajë ditarin “Gazeta e shpirtit”, ndërprerë vetëm një vit para vdekjes, botim postum, në vitin 1964
1901-1905 Kreu studimet në Romë, në kolegjin e Shën Apolinarit, ku qe nxënës i historianit të Kishës Umberto Benigni e dishepull, pastaj edhe nxënës, i Giuzeppe Bonaiuti-t, ndonëse larg problematikave moderniste.
1904 U shugurua meshtar dhe u zgjodh sekretar i ipeshkvit të ri të Bergamos, imzot Radini Tedeski,
1916 Shkroi një biografi prekëse të ipeshkvit Radini Tedeski, vdekur dy vjet më parë. Gjatë luftës shërbeu si kapelan ushtarak.
1921 U thirr në Romë për të drejtuar Veprën e Propagandës së Fesë
1925 U zgjodh ipeshkëv e u dërgua në Sofie, si vizitator apostolik në Bullgari. Nisi, kështu, karrierën diplomatike, që do ta çonte, më 1934, në Stamboll e, më 1944, në Paris, si nunc apostolik
1951 Ishte vëzhguesi i parë zyrtar i Selisë së Shenjtë në UNESCO
1953 U krijua kardinal, Patriark i Venedikut
1958 Më 28 tetor, pas vetëm tri ditësh konklavi, u zgjodh papë e mori emrin Gjoni XXIII. Në qendër të fjalimit të tij të parë, mbledhja me vëllezërit e tjerë të kishave të krishtera dhe shqetësimet për paqen botërore,
1959 Më 25 janar 1959 njoftoi mbledhjen e një sinodi dioqezan në Romë (i pari në histori, më 1960), për të rishikuar Drejtësinë Kanonike. Komisioni do të niste punën më 1963, duke i paraprirë një koncili të ri ekumenik
Po më 1959, me rastin e Pashkëve, do t’i drejtonte, për herë të parë, popullit shqiptar, të ngujuar pas gardhit të hekurt, urimin “Për shumë vjet Pashkët”, në gjuhën shqipe
1961 Botoi enciklikën Mater et magistra, kushtuar temës së shoqërizimit e lidhjeve dhe marrëdhënieve të Kishës me shoqërinë bashkëkohore.
1962 Më 11 tetor përuroi Koncilin II të Vatikanit, me një fjalim të paharrueshëm për horizontin e gjerë e frymën profetike. Është Papa i parë që mori një çmim ndërkombëtar për paqen, Çmimin Balzan
1963 Më 11 prill shpalli me solemnitet të madh enciklikën Pacem in Terris, që përkujton enciklikën tjetër, Rerum novarum të Leonit XIII. Enciklika e vë lirinë dhe dinjitetin e njeriut në themel të paqes e të rendit botëror. U shua më 3 qershor 1963, pas një agonie të gjatë e të dhimbshme.
2000 Më 3 shtator u shpall i Lum nga Papa Gjon Pali II.2014 Më 27 prill shpallet Shenjt nga Papa Françesku.







All the contents on this site are copyrighted ©.