2014-04-27 16:42:14

Gjithë bota me sytë kah Roma për dy Papët shenjtorë


Bota mbarë i drejtoi sytë kah Roma sot, sepse, sigurisht, jo e gjithë bota mund të ishte në Sheshin e Shën Pjetrit. Shumë katolikë anembanë globit e kremtuan në shtëpi këtë festë të madhe të Kishës universale: shenjtërimin e dy Papëve.

Afrikë
Afrika e ndoqi me shumë vëmendje shenjtërimin e Gjon Palit II. Në Bregun e Fildishtë rinia u mblodh nëpër Kishat dioqezane, për të kujtuar Papën polak, i cili “u ka mbetur njerëzve në zemër”, siç u shpreh rektori i seminarit rajonal të Jopugonit. Nga Gaboni kanë ardhur në Romë 250 shtegtarë. Pas vizitës së Gjon Palit II në këtë shtet të Afrikës perëndimore, një brezni e tërë e quajnë veten “bijtë e Gjon Palit II”. Edhe në Kamerun dhe në Arfikën qendrore katolikët janë mbledhur nëpër katedrale, për t’u bashkuar në lutje me Kishën universale.

Azi
Kremtime madhështore dhe ngjarje përkujtimore u janë kushtuar dy papëve shenjtorë edhe në Azi. Një numër i madh shtegtarësh kanë ardhur në Romë nga Filipinet, shteti më i madh katolik i kontinentit, por çasti kulmor për besimtarët e atjeshëm do të jetë kremtimi i meshës së falënderimit në katedralen e Manilës, kryesuar nga Kardinali Luis Antonio Tagle. Në Manila, më 1995, Papa Gjon Pali II kremtoi meshën e shenjtë në praninë e gjashtë milion besimtarëve. Kardinali i Seulit kujtoi se Gjoni XXIII luajti një rol të rëndësishëm në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për njohjen e Koresë së Jugut në vitin 1948 dhe se të dyja figurat papnore bëjnë pjesë në themelet e Koresë moderne. 1500 besimtarë e ndoqën në transmetim të drejtpërdrejtë kremtimin e sotëm romak edhe në Indonezi, duke kujtuar vizitën e Gjon Palit II më 1989 dhe marrëdhëniet e veçanta të presidentit të parë të republikës indoneziane me Gjonin XXIII.

Spanjë dhe Amerikë Latine
Në të gjithë botën hispanike janë të shumta veprimtaritë lidhur me ngjarjen e sotme, ekspozitat fotografike dhe filmike, shfaqjet artistike dhe, mbi të gjitha kremtimet dhe çastet e lutjes. Në mbarë Kubën kumbuan njëzëri këmbanat në çastin e fillimit të kremtimit në Vatikan. Në Meksikë është organizuar një pjesëmarrje shumë e veçantë: në të gjithë vendin janë vënë “pasqyra drejt qiellit”, para të cilave njerëzit përshëndesin dy Papët shenjtorë.
Në sheshin qendror të kryeqytetit të Guatemalës u organizua një procesion madhështor “për artistët e paqes dhe të dashurisë”.
Në Argjentinë, atdheu i Papës Françesku, kremtimi romak u ndoq në transmetim të drejtpërdrejtë, si edhe do të kremtohet një meshë falënderimi në katedralen e Buenos Airesit. Edhe në Venezuelë, Panama, Uruguai e Montevideo vijojnë të kremtohen meshët e falënderimit.

Irak
Në Irak do të kremtohet Mesha në Kishën kaldease të Marisë Mbretëreshë e Rruzares, në Bagdad. Meshën do ta kryesojë Patriarku Luis Sako, i cili nuk mundi të udhëtonte për Romë, për shkak të zgjedhjeve që do të zhvillohen në shtetin e shumëvuajtur, më 30 prill







All the contents on this site are copyrighted ©.