Dëshmi nga ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e laikë shqiptarë për figurën vigane,
poliedrike, të Gjon Palit II. Zgjodhëm disa dëshmi nga ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë
e laikë shqiptarë për figurën vigane, poliedrike, të udhërrëfyesit të njerëzimit,
Gjon Palit II, ditën e kthimit në shtëpinë e Atit qiellor:
“Me vdekjen
e tij na flet, na mëson ta vlerësojmë jetën në çdo rrethanë” – shprehej Kryeipeshkvi
Metropolit i Shkodër-Pultit, Imzot Angelo Massafra;
Kryeipeshkvi Metropolit
i Durrës-Tiranës, Imzot Rrok Mirdita, duke kujtuar Gjon Palin II, pati theksuar:“Kisha
humbi një prijës, por fitoi një shenjt”;
‘Shembull i përkryer i prijësit
fetar e i njeriut që di të falë në çdo rrethanë’ – kështu e kujtoi Imzot Zef Gashi,
Kryeipeshkëv i Tivarit, asokohe dhe ipeshkëv ‘ad interim ‘ i Kosovës, Papën
Gjon Pali II;
Imzoti i ndjerë Mark Sopi, duke kujtuar se Gjon Pali II do të
mbetet gjithnjë në zemër të Kosovës, nënvizoi një nga porositë e Tij më aktuale:
bashkëjetesën paqësore ndërmjet besimeve të ndryshme;
Meshtari katolik
don Franë Sopi vuri në dukje se Gjon Pali II, ndërmjet shumë dhuratave që i bëri
popullit shqiptar, i la dhuratën e madhe të lumnimit të Nënë Terezës;
“Në
se dëshironi t’ju respektojnë, respektojeni njëri-tjetrin’ – këtë porosi të Papës
Vojtila kujtoi laiku katolik kosovar, Lekë Musolli;
Ambasadori i asokohshëm
i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Zoti Zef Bushati, kujtoi se “Sheshi i Shën
Pjetrit i ngjante një mozaiku shumëngjyrësh: mozaik popujsh, gjuhësh e kulturash,
që të kujtonte familjen e madhe të popujve, “qytetërimin e dashurisë” për të cilin
ka folur aq shumë Gjon Pali II;
‘Ta duam njëri-tjetrin’ – është
porosia e Papës që kujtoi don Anton Kqira:
Imzot Dodë Gjergji, asokohe ipeshkëv
i Sapës, na kujtoi një nga tiparet më të spikatura të Karol Vojtilës, me vlerë të
jashtëzakonshme për çdo njeri e për çdo kohë: “Ai kishte guximin t’ia thoshte botës
të vërtetën, sado e hidhur të ishte”;
Motër Vida nga Shkodra shprehu besimin
se Gjon Pali II do të ndërmjetësojë për përforcimin e fesë së krishterë ndër shqiptarë;
“Mos
kini frikë; hapjani në dy kapakët portat Krishtit” – këtë thirrje që përshkoi
fund e krye papninë e Gjon Palit II na kujtoi Imzot Hil Kabashi, ipeshkëv i Shqipërisë
së Jugut.