2014-04-26 13:52:06

Java e dytë e Pashkëve


Leximi i parë (Vap 2,42-47)

Vëllezërit ishin vazhdimisht të kujdesshëm për ta përvetësuar mësimin e apostujve dhe nuk mungonin në mbledhjet vëllazërore, në ndarjen e bukës e në lutje.
Një frikë e madhe pushtonte çdo njeri: apostujt bënin shumë mrekulli dhe shenja të bindshme. Të gjithë ata që besuan, qëndronin së bashku dhe gjithçka kishin të përbashkët. Shitnin pronat dhe pasuritë që kishin dhe ua ndanin të gjithëve sipas nevojës së secilit. Për çdo ditë shkonin së bashku e rregullisht në Tempull, në shtëpi ndanin bukën dhe me hare e me thjeshtësi ushqeheshin së bashku. I jepnin lavdi Hyjit e mbarë populli i kishte fort për hir. Vetë Zoti çdo ditë i shtonte bashkësisë nga ata që shëlbohen.

Psalmi 118 (117) RealAudioMP3

I kemi medituar, o Zot, veprat e tua të madhërueshme
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tashti Izraeli, sepse është i mirë,
e amshuar është dashuria e tij!

Le të thotë tani shtëpia e Aronit,
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin,
e amshuar është dashuria e tij!

Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar,
por më ndihmoi ndihma e Zotit.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti,
ai është shpëtimtari im.
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi
në tendat e të drejtëve:

Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,
erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë:
sa mrekulli për sytë tanë!
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti:
të galdojmë e të gëzojmë në të!

Leximi i dytë (1Pj 1,3-9)

Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na rilindi me anë të mëshirës së vet të madhe në saje të ngjalljes prej të vdekurish të Jezu Krishtit, për shpresën jetësore, për trashëgim të pashkatërrueshëm, të panjollë e të pavyshkshëm që e ruajti për ju në qiell; për ju që jeni të ruajtur me fuqinë e Hyjit në saje të fesë për shëlbimin që është gati të zbulohet në kohën e fundit.
Këndej gëzoheni edhe pse, në qoftë se duhet, për pak kohë jeni të trishtuar për shkak të provave të ndryshme, që feja juaj e sprovuar - shumë më e çmueshme se ari i shkatërrueshëm, që edhe ai sprovohet në zjarr - të fitojë lëvdatë, nder dhe lavdi në ditën e Zbulesës së Jezu Krishtit:
Atë e doni edhe pse nuk e patë, në Atë besoni edhe pse ende nuk e shihni; dhe galdoni me gëzim të patregueshëm dhe të lavdishëm, që ia arritët qëllimit të fesë suaj: shëlbimit të shpirtit.

Ungjilli (Gj 20, 19-31)

Në mbrëmjen e po asaj dite ‑ të parën ditë të javës ‑ ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Pastaj u tha prapë: “Paqja me ju! Siç më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.”
Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.”
Porse Toma, njëri prej të Dymbëdhjetëve ‑ ai që quhet Binjak ‑ nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. I thanë, pra, nxënësit e tjerë: “E pamë Zotërinë!”
Toma u përgjigj: “Pa e parë në duart e tij vritiën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vendin e gozhdave; pa e shtirë vënë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.”
Pas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Pastaj i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu dhe ja, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”
Toma iu përgjigj: “Zotëria im dhe Hyji im!”
Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!”
Jezusi bëri ndër sy të nxënësve [të vet] edhe shumë mrekulli të tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij.





Jezusi i ringjallur shfaqet me anë të asamblesë së të dielës
Nga kjo e diel – dhe gjatë gjithë kohës së pashkëve – liturgjia e Fjalës e orienton përsiatjen tonë tek një realitet i vetëm: Kisha, bashkësia e besimtarëve, e lindur në Pashkët e Krishtit. Në mënyrë konkrete, secila e diel nxjerr në pah aspekte të ndryshme të jetës së të krishterëve, si dëshmi e Zotit të ringjallur.
Bashkësia e hershme apostolike e Jeruzalemit nuk ka reshtur së ekzistuari: duhet të pasqyrohet në bashkësitë tona, në mbledhjet tona të së dielës. Secila prej tyre rikrijohet vazhdimisht dhe ndërtohet falë pranisë së të Ringjallurit dhe me forcën e dhuratave të tij të Pashkëve (Shpirti i Shenjtë, sakramentet, paqja, gëzimi); secila bashkësi është e thirrur për të qenë në botë shenja dhe kumtuesja e përhershme e Pashkëve të Zotit, e ftesës së tij për paqe dhe për pajtim.
Asambleja e së dielës
Ungjilli i Gjonit tregon dy shfaqje të Zotit të ringjallur: njëra mbrëmjen e ditës së Pashkëve, “e para pas së shtunës” (dita e parë e javës); tjetra “pas tetë ditësh”.
Ritmi javor i shfaqjeve të Jezusit, paraqitja e tij me shenjat e lavdishme të mundimeve në mes të dishepujve të mbledhur së bashku, krijojnë një kontekst që i ngjan shumë liturgjisë. Ditës së shfaqjes së Zotit të krishterët e parë i vunë shumë shpejt një emër të ri: “dita e Zotit”. Që nga zanafilla e jetës së Kishës u pa si “shenja” javore e Pashkëve, të cilën të krishterët e kremtonin së bashku.
“Sipas traditës apostolike, ... në këtë ditë besimtarët duhet të mblidhen në asamble për të dëgjuar fjalën e Hyjit dhe për të marrë pjesë në Eukaristi, për të kujtuar, kështu, mundimet, ringjalljen dhe lavdinë e Zotit Jezus dhe për të falënderuar Hyjin, që i ka ‘rilindur në shpresën e gjallë, me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit nga të vdekurit’ (1Pj 1,3). Për këtë arsye e diela është festa themelore, që duhet t’u vihet përpara të krishterëve dhe të zërë vend në përshpirtërinë e tyre” (Sacrosanctum Concilium 106).
Asambleja e besimtarëve
Faqja e Ungjillit sipas Gjonit duhet dëgjuar dhe medituar sipas logjikës së veçantë të Ungjillit të katërt: autori i tij ka mbledhur dhe përçuar fjalët dhe faktet e Krishtit, për të vërtetuar se ai ishte me të vërtetë Mesia-Bir i Hyjit dhe për të ngjallur fenë që sjell shpëtim. Fjala që kumbon sot në mes të asamblesë është një thirrje për të jetuar atë fe të pashkëve mbi të cilën themelohet bashkësia e krishterë. Episodi i Shën Tomës dhe “lumnia” e atyre që do të besojnë edhe pa e parë, mësojnë se ka ardhur momenti për të vendosur një ekonomi të re të fesë. Prania e Krishtit në mes të vetëve do të njihet vetëm me anë të përjetimit të shenjave sakramentale: Fjala (“mësimi i apostujve”) e dëgjuar me besnikëri; bashkësia vëllazërore e jetuar në mënyrë konkrete dhe realistike; gjesti i thyerjes së bukës në eukaristi; pjesëmarrja në lutjet e përbashkëta.
Përvoja e bashkësisë së parë apostolike përtërihet sot për asamblenë tonë: feja e njeh praninë e Zotit të ringjallur në shenjën e vetë bashkësisë, në shenjën e fjalës së shpallur dhe të dëgjuar, në ndarjen e bukës dhe të verës.
Bashkësia, instrument i paqes dhe i pajtimit
Nga feja e pashkëve buron edhe misionin i nxënësve të Jezusit: “Sikurse Ati më ka dërguar mua, edhe unë po ju dërgoj ju”. Është një dërgim i udhëhequr dhe i frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë; një dërgim që ka si synim për t’i mbledhur të gjithë në një popull të vetëm, për të shpallur paqen dhe gëzimin... Pushteti për të falur mëkatet nuk duhet kuptuar ngusht, si të ishte i lidhur vetëm me sakramentin e rrëfimit. Është thirrja për të bashkëpunuar me Shpirtin e Shenjtë, gjithmonë e kudo, për përhapjen e shpëtimit, për pajtimin, të cilin e ka realizuar Krishti me fitoren e tij mbi të keqen dhe mbi mëkatin.
Kisha është besnike ndaj misionit të saj në atë masë në të cilën i paraqitet botës si instrument pajtimi. E tillë duhet të jetë edhe asambleja jonë eukaristike, shenjë aktuale dhe konkrete e Kishës së të gjitha kohrave dhe të gjitha vendeve. Jemi asambleja e të pajtuarve me Hyjin në Krishtin; asambleja e vëllezërve të pajtuar me njëri-tjetrin falë pranisë së të Ringjallurit dhe të Shpirtit të tij të paqes: nuk mund ta kundërshtojmë realitetin për të cilin na thërret Zoti, duke lejuar që në bashkësinë tonë të zënë vend arsyet e ndarjeve dhe të tensioneve; duke lejuar që ndokush të ndjehet i vetmuar, i përjashtuar, i mënjanuar. Secili duhet ta ketë mundësinë për ta gjetur vetveten në bashkësinë tonë, për t’u ndjerë në shtëpi, për t’u njohur e pranuar si njeri dhe si vëlla në Krishtin, me gatishmëri, me aftësinë për ta dëgjuar, për ta kuptuar dhe për ta falur.
(Marrë nga www.maranatha.it)

Krijesë e re në Krishtin
(Nga “Fjalimet” e Shën Agostinit, ipeshkëv)

Po ju drejtohem me fjalët e mia juve, fëmijë të sapolindur, foshnja në Krishtin, pinjoj të rinj të Kishës, hiri i Atit, begati e Nënës, filiza të shenjtë, koshere e re, lulja e nderit tonë dhe fryti i mundit tonë, hareja ime dhe kurora ime, të gjithë juve, që gjendeni këtu, të fortë në Zotin.
Ju drejtohem juve me fjalët e apostullit: “Vishuni me Zotin Jezu Krisht dhe mos ndiqni dëshirat e mishit” (Rm 13,14), që të visheni, edhe në jetë, me atë me të cilin jeni veshur me anë të sakramentit. “Sepse, të gjithë sa jeni pagëzuar në Krishtin, jeni veshur me Krishtin. Nuk ka më jude as grek; nuk ka më skllav as të lirë; nuk ka më burrë as grua, sepse të gjithë jeni një gjë e vetme në Krishtin Jezus” (Gal 3,27-28).
Këtu gjendet edhe forca e sakramentit. Është sakramenti i jetës së re, që fillon në këtë kohë me faljen e të gjitha mëkateve, dhe përsoset në ringjalljen nga të vdekurit. Ju jeni varrosur bashkë me Krishtin në vdekje, me anë të pagëzimit, që, sikurse Krishti u ringjall nga të vdekurit, ashtu edhe ju të mund të ecni në jetë të re (khs. Rom 6,4).
Tani ju ecni në fe për sa kohë të jeni shtegtarë, larg Zotit, banorë të këtij trupi të vdekshëm. Jeta juaj e sigurtë u bë ai drejt të cilit prireni, pra vetë Krishti Jezus, që për ju u denjua të bëhet njeri. Për ata që e druajnë, ka vënë mënjanë thesaret e lumturisë, që do t’i derdhë me begati mbi ata që shresojnë në të, kur të marrin në realitet çfarë tani e kanë marrë me anë të shpresës.
Sot është dita e tetë e lindjes suaj, sot gjen në ju plotësinë e vet shenja e fesë, ajo shenjë që tek patriarkët e lashtë shprehej me rrethprerjen, tetë ditë pas ardhjes në botë. Prandaj edhe Zoti e vulosi me vulën e vet ditën e vet, që është e treta pas mundimeve. Në ciklin javor, ajo është dita e tetë pas të shtatës, domethënë pas të shtunës, dhe dita e parë e javës. Krishti, duke kaluar me trupin e tij nga vdekshmëria në pavdekshmëri, e shenjoi ditën e vet me shenjën dalluese të ringjalljes.
Ju merrni pjesë në të njëjtin mister, ende jo në mënyrë krejt reale, por në shpresën e sigurtë, sepse keni një peng të sigurtë: Shpirtin e Shenjtë. “Nëse, pra, jeni ringjallur me Krishtin, kërkoni gjërat e epërme dhe jo ato të tokës. Ju keni vdekur dhe jeta juaj tashmë është e fshehur me Krishtin në Hyjin. Kur të shfaqet Krishti, jeta juaj, atëherë edhe ju do të shfaqeni me të në lavdi” (Kol 3,1-4).








All the contents on this site are copyrighted ©.