2014-04-26 12:16:50

Gjon Pali II: Nëse gaboj do të më “korrigjeroni”


Askush nuk e ka harruar thënien e Papës Gjon Pali II, kur doli në Lozhën e Bazilikës për t’i folur popullit, shprehjen e tij të famshme “Nëse gaboj do të më ‘korrigjeroni’”, por janë të paktë ata, që e dinë ç’kishte ndodhur vetëm pak minuta më parë. Në librin, që po shfletojmë këto ditë, me titull “Kam jetuar me një shenjt”, në intervistën me gazetarin italian Gian Franco Svidercoschi, sekretari personal i Karol Vojtilës, kardinali Stanislau Xhivish, përshkruan me imtësi çastet dhe emocionet e asaj dite, kur kardinajtë zgjodhën në fronin e Shën Pjetrit kryeipeshkvin e Krakovit, kardinalin polak. RealAudioMP3
Ndërsa Papa i ri dhe kardinajtë i afroheshin lozhës, kryeceremonieri vazhdonte t’i përsëriste Atit të Shenjtë se duhej vetëm t’i bekonte të pranishmit. Gjon Pali II, nga ana e tij, vazhdonte t’i përgjigjej se do të ishte mirë t’u thoshte dy fjalë atyre njerëzve. Kështu, deri në fund, kur dolën para besimtarëve. Nga njëra anë, ceremonieri i ngrysur, i vendosur të respektonte protokollin e, nga ana tjetër, Papa i ri, që duke parë poshtë dritares turmën e stërmadhe, largoi çdo dyshim e foli. Një “plasë” krejt e vogël, por shumë, shumë kuptimplotë. Të paktën për ata të Kuries, që ndiqnin me vëmendje çdo detaj për të kuptuar nga frynte tani era.
„Më lanë të hyj në Konklavin, zyrtarisht akoma të mbyllur – tregon kardinali Xhivish – e kështu, munda ta përshëndes ish-kryeipeshkvin tim. Ai më fliste, më buzëqeshte, më përshpëriste në vesh batuta hokatare në dialektin romak për kardinajtë, që kishin vendosur ta zgjidhnin (të llojit „I raftë e mira” ose diçka e tillë) e unë, akoma i shushatur, akoma duke pyetur veten a ishte e vërtetë apo jo.
U ktheva në Vatikan të nesërmen e, pasi përfundoi mesha me kardinajtë, papa Vojtila më mori mënjanë: „Shiko se nuk mund të kthehesh në Krakov. Duhet të rrish këtu. Duhet të më ndihmosh…” E ç’mund t’i përgjigjesha vallë?
Mbërriti Sekretari i Shtetit, Jean-Marie Villot për ta shoqëruar në apartamentin papnor. Karol Vojtila hynte aty për herë të parë. Pa pak rreth e rrotull, kureshtar, por nuk e zgjati. Për botën e tij të brendshme, bota e jashtme kishte pak rëndësi, edhe sikur të ishte kati i tretë i Pallatit Apostolik. Falenderoi kardinalin Villot e u ul në tryezën e punës për të shkruar homelinë e fillimit të papnisë. Natyrisht, e shkroi në polonisht, me një frymë, me pak korregjime. Pasi u përkthye, bëri provën e leximit në italisht para kamerierit të tij, Angelo Gugel. ‘Mos u shqetëso – i tha – më thuaj kur gaboj, sepse gaboj sidomos thekset…’”.
Ky ishte ipeshkvi i ri i Romës.








All the contents on this site are copyrighted ©.