2014-04-25 14:50:29

Përvjetori i 21-të i vizitës së Gjon Palit II në Shqipëri: tri thirrje për shqiptarët


Sot, kur i gjithë populli shqiptar kujton 21-vjetorin e vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri, nuk mund të mos përmendim të paktën tre raste, kur pikërisht Karol Vojtila, që do të shpallet shenjt të dielën, e ngriti zërin në mbrojtje të shqiptarëve.
Në vitin 1980, nga Otranto e Italisë, foli për grigjën e vogël, të martirizuar nga komunistët përtej detit:
“Nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, jo larg, drejt Kishës heroike në Shqipëri, që tronditet thellë nga persekutimi i ashpër e i zgjatur, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, e besimtarë të thjeshtë”(Homelia e meshës në Otranto, 5 tetor 1980).
Më 1993, vetë Gjon Pali II e puthi këtë tokë të mbrujtur me gjakun e martirëve. Pikërisht aeroporti i Rinasit, ku i Lumi Vojtila u ul në gjunjë për ta prekur me buzë, u ndërtua nga të burgosurit politikë, shumë prej të cilëve e patën për varr. Më 25 prill, në Sheshin Skënderbej të Tiranës, Ati i Shenjtë tha:
“Ajo që ka ngjarë në Shqipëri, të dashur vëllezër e motra, nuk ishte parë kurrë në historinë e njerëzimit… Drama juaj, shqiptarë të dashur, i intereson e duhet t’i interesojë gjithë kontinentit evropian dhe është e domosdoshme që Evropa mos t’ju harrojë. Në fakt, kjo duket se është prirja, sot: të kthehet shpejt fleta, duke harruar atë që ishte, për të shikuar përpara. Qëndrim që, në një farë këndvështrimi, është i drejtë e madje, i domosdoshëm, por me një kusht, që të mbetet gjithnjë gjallë kujtimi i përvojës së mëparshme. Në të vërtetë, ky është kushti i domosdoshëm për të mos u rikthyer tek të njëjtat gabime të përvajshme dhe është premisa për një proces pajtimi të vërtetë…
Një demokraci pa vlera…mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapur ose të nëndheshëm, siç na e tregon historia”.
E rasti i tretë, që kujtojmë sot, janë Pashkët e vitit 1999. Në mesazhin “Urbi et Orbi”, Papa Gjon Pali II bubullon:
“I lutem Zotit të Ringjallur t’i japë dhuratën e paqes, së pari tokës së martirizuar të Kosovës, ku lot e gjak vazhdojnë të përzihen në një skenar dramatik urrejtjeje dhe dhune. Mendoj për ata që janë vrarë, për ata që kanë mbetur pa shtëpi, për ata që janë larguar me forcë nga familjarët, për ata që janë detyruar të ikin larg…”.

(Sipas idesë së z. Fritz Radovani)







All the contents on this site are copyrighted ©.