2014-04-25 14:37:43

Mesha e Papës për Shenjtin Hoze de Ançieta: gëzimi i takimit me Jezusin kthehet në kumtim


Kisha rritet, sepse është tërheqëse, falë gëzimit të takimit me Jezusin, që kthehet në kumtim. Kështu tha Papa në meshën e falënderimit për kanonizimin e Hoze de Ançietës, i njohur si Apostulli i Brazilit dhe i shkruar në Librin e Shenjtërve më 3 prill. Eukaristia u kremtua dje, në kishën e Shën Injacit të Lojolës, në Romë. De Ançieta, lindur në ishujt Kanarie më 1534, qe misionar jezuit, protagonist i shpalljes së Ungjillit për indianët e Brazilit. I njohur edhe si themeluesi i qyteteve të Shën Palit (Sao Paulo) dhe Rio de Zhaneiros, de Ançeta botoi jo vetëm gramatikën e parë në tupi, gjuha e fisit lokal, por edhe një një libër me lutje dhe këngë në atë gjuhë. Në kremtimin me Papën ishin të pranishëm nëntë kardinaj, rreth tridhjetë ipeshkvinj, shumë meshtarë e besimtarë, kryesisht brazilianë.

Gëzimi i takimit me Krishtin e ringjallur ishte koncepti kyç i homelisë së Papës Françesku. Mesha për të kujtuar apostullin e Brazilit, në kishën e mbushur plot t përplot të Shën Injacit të Lojolës, u kremtua në portugalisht. Papa foli për gëzimin, nga i cili mund të kemi frikë, siç u ndodhi apostujve të Emausit, ose siç na ndodh neve, kur “na duket e rrezikshme” ta pranojmë – thotë Papa – dhe ndjejmë tundimin për t’u strehuar nën mendimin: “mos ta terojmë”:

“Është më e lehtë të besosh në një fantazmë, se në Krishtin e gjallë. Është më e lehtë të shkosh tek një fallgjor, që të parashikon të ardhmen, që të lexon letrat, sesa të kesh besimnë shpresën “e Krishtit fitimtar, të Krishtit që e ka mundur vdekjen!”. “Është më e kollajshme një ide, një përfytyrim, se ëmbëlsia e këtij Zoti, i cili ringjallet nga vdekja dhe kush e di për çfarë gjëje të thërret”.

Leximi nga Veprat e Apostujve, pastaj, flet për një njeri të paralizuar. Bëhet fjalë për dikë, i cili e ka kaluar jetën tek dera e tempullit, duke kërkuar lëmoshë, por që, kur shërohet, lavdëron Hyjin dhe gëzimi i tij është ngjitës. Përballë kësaj lëvizjeje, njerëzit mblidhen të mahnitur dhe Pjetri kumton lajmin. “Gëzimi i takimit me Jezu Krishtin, ai gëzim që kemi frikë ta pranojmë, është ngjitës – thotë Papa – dhe shpall me zë të lartë kumtin. Dhe aty rritet Kisha!”:

“Kisha nuk rritet falë proselitizmit, por falë forcës së saj tërheqëse”, pohon Papa. Është dëshmia, që lind nga gëzimi i pranuar dhe i shndërruar në kumtim. “Pa këtë gëzim, pa këtë hare, nuk mund të themelohet një Kishë! Nuk mund të themelohet një bashkësi e krishterë!”, theksoi Papa Françesku. Pastaj Ati i Shenjtë pyet a jemi të aftë ta shohim entuziazmin e atyre që zbulojnë në ne mrekullinë e jetës së re, që lind nga takimi me Krishtin.

Edhe Shën Hoze de Ançieta, meshtar jezuit, i cili ia kushtoi jetën shpalljes së Ungjillit për indianët e Brazilit, “diti të komunikonte çfarë kishte përjetuar me Zotin”, çfarë i kishte komunikuar zoti në uishtrimet e tij. Bashkë me Nobregën, është jezuiti i parë që Injaci dërgoi në Amerikë. Djalosh 19 vjeçar:

“Kishte aq shumë gëzim, aq shumë hare, sa themeloi një komb: vuri themelet kulturore të një kombi, në Jezu Krishtin. Nuk kishte studiuar teologji, nuk kishte studiuar filozofi, ishte djalosh i ri! Por kishte ndjerë se Jezu Krishti e shikonte dhe e lejoi ta mbushte me gëzim, prandaj zgjodhi dritën. Kjo ishte dhe është shenjtëria e tij! Nuk pati frikë nga gëzimi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.