2014-04-25 14:45:05

Gjoni XXIII: Viti i parë i shkollës


Papa i moshuar kujtonte: “Vitin e parë të shkollës e bëra në shtëpinë e asokohshme të Kamaitinos, në skajin e djathtë të atij, që e quanin “sheshi”. Duhet të ketë qenë viti 1886 ose ’87. Një vit më pas, njëherësh me bashkinë e Berços, u hap edhe shkolla e re, e unë isha ndër të parët që nisën ta ndiqnin”. Asokohe fillorja, e vetmja shkollë e detyrueshme, ishte trevjeçare.Kujtimet e viteve të para të jetës së Anxhelinit janë të pakta. Duhet t’i jemi mirënjohës Renco Alegrit që, me duresë e aftësi, rrahu, vitet e fundit, rrugët e Nënmalit, në kërkim të mocatarëve të Papës, që vijonin ta kujtonin vogëlinë e tij. Nga ai i kemi dhuratë kujtimet, ndoshta jo të gjitha të sakta, por shumë të çmuara, sepse me shijen e kohës, kur Papa Gjoni XXIII ishte fshatar i vogël, ende pa të ardhme.
Sipas disa pleqve, që jetonin në Nënmal në vitet ’70, mësuesi i Anxhelinit në klasë të dytë e të tretë, ishte Orbi. Vinte aty nga Pavia. Fshatarët nuk e donin, sepse ai nuk mund t’i shihte me sy priftërinjtë. Me njërin, duhet sqaruar, sepse tjetrin e kishte të verbër. E syrin e shëndoshë e ruante fort, për t’ia ngulur pronares së pensionit, ku banonte. E me që nuk i duronte priftërinjtë, e kishte në hundë edhe vogëlushin me faqe të rrumbullakta, Anxhelin Ronkalin, që ditë për ditë, para se të vinte në shkollë, shkonte për të ndihmuar meshë. Fëmija shikohej me sy të shtrembër edhe nga një grup shokësh, sepse mësonte shumë e përgjigjej më mirë se ata, që nuk studionin aspak. Bënin, kështu, para tij, një figurë shumë të keqe. Nxënësit e klasës së parë kishin një kujdestar nga klasat më të larta. Luçia Agaci, pronare e një dyqani orendish shtëpijake, tregon se i ati, Batista, ishte kujdestar i Anxhelinit e se kujtonte shumë ngjarje të jetës së tij shkollore. Një ditë nga Bergamo, erdhi një inspektor arsimi, për të kontrolluar përparimin e bërë nga nxënësit nën drejtimin e mësuesit të ri. Pas përshëndetjes, lexuar nga i pari i klasës, inspektori, duke dashur t’i vërë në provë nxënësit, bëri pyetjen:
- A peshon më shumë një kuintal hekur apo një kuintal kashtë.
- Hekuri -ulurinë menjëherë vocrrakët. Fytyra e mësuesit u bë e verdhë dyll. Këta sojsëzë po ia rrënonin karrierën. Por ndërkaq u ngrit një dorë. Ishte e Anxhelinit:
- Sipas meje, peshojnë njësoj - tha i sigurt.
- Bravo - e miratoi inspektori. E mësuesit antiklerikal iu desh të vinte buzën në gaz. Por pak para se të dilte nga shkolla, Anxhelini e pagoi shtrenjt përgjigjen e saktë. Grupi, që e kishte inat, nuk mund ta duronte që pikërisht për shkak të këtij soj xhakoni, Orbi do t’i quante gomerë. Në sa ai kishte bërë figurë aq të mirë.
Kamila Ronkali, kushërira e Anxhelinit, kujtonte episodin e kungullit. Po kthehej nga shkolla, Anxhelini, kur po na sheh një kungull të madh, të verdhë, të rrumbullakët e të fryrë aq, sa dukej sikur do të shpërthente. Fëmija e dinte sa i ëmbël është kungulli i pjekur në furrë e i prerë feta-feta, si tortë e gatuar në shtëpi. Tundimi ishte më i fortë se ai. Hyri në arë, ia këputi bishtin e, duke e mbartur me të dyja duart, u nis kah shtëpia.
Xhaxha Saveri ishte në lëmë.
- Kush ta dha këtë kungull? - e pyeti.
-Askush. Ishte në arë e unë e mora.
Fytyra e xhaxhait u nxi.
- Çoje shpejt në vend! Shpejt. E mos e harro se vërtet jemi të varfër, por nuk e prekim kurrë gjënë e tjetrit. Anxhelinit iu desh ta mbartë edhe një herë kungullin në krahë e ta çojë aty ku e kishte marrë. Po aty gjeti të zotin. Deshi ta fshihte, po i zoti i arës e pa dhe e mori gazi:
- Biri im - i tha - s’u bë qameti për një kungull. Merre prap.
- Më detyroi xhaxhai ta sjell përsëri këtu- gjegji fëmija.
- Është burrë i ndershëm - tha fshatari. - E bën mirë që të mëson të mos e prekësh gjënë e huaj. Kur pati rastin të kalojë nga shtëpia jonë –tregonte më vonë Kamila - fshatari i mirë na solli pesë kunguj të mëdhenj.







All the contents on this site are copyrighted ©.