2014-04-24 12:12:16

Papa në audiencën e përgjithshme: Jezusi është gjallë, të mos e kërkojmë në varre, ku sundon vdekja


“Pse unë, në jetë, e kërkoj ndër të vdekur Atë, që është i gjallë? Papa e shtjelloi katekizmin e sotëm të audiencës së përgjithshme rreth pyetjes së Ungjillit, që u kumton Ngjalljen e Krishtit dishepujve, nësa ata dyshojnë në vërtetësinë e këtij kumti të jashtëzakonshëm, të padëgjuar kurrë në historinë e njerëzimit, nga zanafilla. Më se 60 mijë vetë ishin të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, përveç grupit të njerëzve me aftësi të kufizuara, të cilët Papa i përshëndeti personalisht në Sallën e Palit VI, para se të niste audienca.RealAudioMP3

Është kufizim thellësisht njerëzor, ta kërkosh atë, që të duhet, pikërisht në vendin ku nuk gjindet. Të kërkosh ndihmën e nevojshme për jetën, në vende ku sundon vdekja! Nuk bën përjashtim as feja, kujtoi Papa, duke përshkuar çastet kryesore të rrëfimit ungjillor, kushtuar Ngjalljes. Në fillim, askush nuk e njeh Jezusin: as Madalena para varrit të zbrazët, e as dishepujt e Emmausit, që kthehen në shtëpi me shpirtin të pushtuar nga një mërzi e madhe, me ndjesinë e përhumbjes në zemër. Madje deri njëri nga Apostujt, Toma, ‘vë kushte’ për të besuar në Ngjalljen e Zotit: kërkon të shtjerë gishtin në plagë:
“Pse e kërkon ndër të vdekur, atë që është i gjallë? Sa herë në të përditshmen tonë e kërkojmë jetën, ndër sende të vdekura, që nuk mund të japin jetë, sende që sot janë e nesër nuk janë më, sende që kalojnë…. Pse e kërkoni ndër të vdekur, atë që është i gjallë?”.
Nuk është e lehtë ta pranosh se i Ngjalluri është me të vërtetë në jetë, pohoi Papa Françesku, duke shpjeguar, më pas, se kjo varet nga verbëria, që të pengon ta shikosh “Jezusin e gjallë”; nga mbyllja në çfarëdolloj forme të egoizmit e të vetëdashjes, nga joshja prej pushteteve tokësore e sendeve të kësaj bote, duke e harruar Zotin e të afërmin e duke i varur të gjitha shpresat në kotësitë e kësaj bote, në paranë, suksesin”:
Atëherë Fjala e Zotit na thotë: ‘Pse po e kërkon ndër të vdekur, atë që është i gjallë? Pse e kërkon atje?’. Varri nuk mund të të japë jetë! Po! Ndoshta ta mbush zemrën me gëzim për një minut të vetëm, për një ditë, një javë, një muaj... E pastaj? ‘Pse e kërkoni ndërmjet të vdekurve, atë që është i gjallë?’. Eh, kjo frazë duhet të na hyjë në zemër e duhet ta përsërisim”.
E nxitur nga Papa Françesku, turma përsëriti tri herë, në kor, fjalët e Engjëllit, që vijojnë të na sigurojnë se Zoti u ngjall, me të vërtetë u ngjall! Një mënyrë për ta kërkuar Jezusin në vendin e duhur, duke bërë pyetjen e duhur e duke e ditur, siguron Papa, se Jezusi i gjallë do të jetë gjithnjë pranë nesh për të na treguar udhën e drejtë, nëse kemi dredhuar, është:
Pse e kërkoni ndër të vdekur, atë që është i gjallë? Kjo pyetje na bën ta kapërcejmë tundimin për të shikuar mbrapa, për të kthyer kokën nga e djeshmja e na shtyn përpara, drejt ardhmërisë. Jezusi nuk është në varr, është i i Gjalli! I Ngjalluri! Ai që e përtërin gjithnjë korpin e vet e Kishën dhe e bën të të ecë, duke e tërhequr drejt Tij. ‘Dje’ është varri i Jezusit, varri i Kishës, varri i së vërtetës e i drejtësisë; ‘sot’ është ngjallja e pasosur, drejt së cilës na shtyn Shpirti i Shenjtë, duke na dhuruar lirinë e plotë”.
Pas përmbledhjes së katekizmit, Papa Françesku kujtoi, në çastet e përshëndetjeve në gjuhën italiane, Lumnimin e atë Giuseppe Girotti-t, të shtunën e ardhshme, në Alba të Piemontit. Rregulltari, meshtar i Urdhërit të Vëllezërve Predikatarë, u vra nga urrejtja për fenë në kampin nazist të përqendrimit të Dakaut:“Uroj që dëshmia e tij heroike e krishterë dhe martirizimi i tij, të ngjallin në zemrat e shumkujt dëshirën për t’u lidhur gjithnjë më ngushtë me Jezusin e me Ungjillin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.