2014-04-24 12:11:01

Gjon Pali II: Në mbrojtje të dinjitetit njerëzor


Vazhdojmë udhëtimin tonë në jetën e Gjon Palit II, që do të shpallet shenjt i Kishës Katolike më 27 prill, ditën e dielë. Baza është libri “Kam jetuar me një shenjt”, intervistë e gazetarit italian Gian Franco Svidercoschi me kardinalin Stanislau Xhivish, atëherë, sekretar personal i Papës polak. Sot, shkëpusim fragmente, që tregojnë për qëndrimin e Karol Vojtilës para komunistëve.
Kujtojmë se në Poloni, edhe gjatë komunizmit, ka pasur revolta. Në vitin 1956, pilotuar nga grupe revizionistësh brenda Partisë Komuniste; në vitin 1968, vepër e intelektualëve dhe studentëve; në vitin 1970, kur punëtorët dolën në sheshe për të protestuar kundër rritjes së çmimeve. Vojtila ishte tashmë kardinal, kryeipeshkëv i Krakovës, që komunistët përpiqeshin ta nxisnin kundër primatit të Polonisë, kardinalit Vishinski. Kjo lojë nuk pati kurrë suksesin e dëshiruar.
Në vitin 1972, gjatë shtegtimit tradicional të punëtorëve në shenjtoren e Piekary-t, para një turme pa fund, kryeipeshkvi i Krakovës kritikoi ashpër dhe hapur sulmet e regjimit kundër lirisë fetare. Ishte diçka krejtësisht e re për të, që në atë çast, shihte qartë se marksizmi po korruptonte shpirtin e Polonisë. Prandaj, në ndryshim nga herët e tjera, vendosi të dilte hapur në mbrojtje të dinjitetit të njeriut.
“Nuk e di nëse ishte vërtet një vendim, që e kishte marrë brenda vetes – pohon kardinali Xhivish. Gjithsesi, kujtoj çfarë tha një ditë, gjatë homelisë, por sidomos tonin me të cilin e tha: ‘Si mundem të hesht?’ E pikërisht sepse nuk donte të heshtëte, u bë mbrojtësi i të gjithë të persekutuarve: intelektualë, studentë, hebrenj, revizionistë, disidentë. Nuk kishte frikë të takohej me krerët e opozitës. Vepronte me kujdes, pa ekspozuar askënd, por në këtë mënyrë, i përkrahte, i ndihmonte moralisht. Ashtu siç ndihmonte konkretisht, në planin financiar, personazhe të shkencës e të kulturës, që ndonjë drejtues i zellshëm komunist i kishte shkarkuar nga detyra”.
Kështu u bë armiku numër një i regjimit. Kontrollohej, spiunohej, ndiqej, me një fjalë, konsiderohej tepër i rrezikshëm. Homelitë e fjalimet e kryeipeshkvit të Krakovës regjistroheshin. Edhe sot mund të dëgjohen, në ato dosje të arkivit sekret, që janë bërë tashmë publike. Gjenin mënyrën për ta spiunuar edhe përmes ndonjë kleriku, që punonte për Sigurimin polak. Kardinali Xhivish tregon se kur donte të fliste me ndokënd, pa u dëgjuar, dilte jashtë zyrave, të cilat përgjoheshin, e shkonte jashtë qytetit, ose në mal. Shoferit i duhej të shpikte lloj-lloj manovrash për t’u larguar nga makina e Sigurimit, që i ndiqte.
Karol Vojtila ishte i bindur se komunizmi e kishte brenda vetes fundin e pashmangshëm, pasi ia kishte mbyllur dyert Zotit. Në Poloni, në ndryshim nga vendet e tjera komuniste, disidenca po merrte përmasa popullore. Më 25 qershor 1976, në qytezën metalurgjike të Radom-it dhe në fabrikën e traktorëve Ursus në portat e Varshavës, punëtorët u ngritën kundër politikës ekonomike të qeverisë. Kësaj radhe, për herë të parë, me ta u bashkuan të gjithë, intelektualë, studentë e fshatarë. U formua KOR, Komiteti për përkrahjen e punëtorëve të burgosur dhe të familjeve të tyre. Kisha polake krijoi një lloj ombrelle mbrojtëse për opozitën. Kardinali Vojtila, “jo vetëm nuk pati frikë të fliste me zë të lartë, të mbronte të drejtat e njeriut e të kombit e të kujtonte padrejtësitë e shumta kundër popullit, por, ç’ishte më e rëndësishme, me ndërhyrjet e tij i dha bazën shpirtërore, kulturore e morale opozitës dhe luftës së saj”.
“Po lind diçka krejtësisht e re…” pohonte kardinali në shenjtoren e Kalvaria Zebrzydovska. Donte të thoshte se po lindte një Poloni e re, se populli, më në fund, nuk kishte më frikë, se brezi i ri, i imunizuar tashmë nga premtimet marksiste për parajsë në tokë, i kishte kthyer sytë nga Jezusi, nga Kisha. …Ishte qershori i vitit 1978.







All the contents on this site are copyrighted ©.