2014-04-24 11:57:30

Dy papë shenjtorë: Gjoni XXIII dhe Gjon Pali II, parë nga don Lush Gjergji


GJONI XXIII (1881 – 1963)

„Të duhemi mes veti, të kemi kujdes ndaj njëri-tjetrit në takime, që të mund të pranojmë atë që na bashkon, kështu duke shmangur atë që mund të na largojë. Me të kthyer në shtëpi përkdhelni fëmijtë tuaj dhe thuanu se kjo përkdhelje është e Papës… Fëmijëz, nuk duhet të mendohet më në të kaluarën. Hyji e din mirë atë që ndodhi, gjithatë duhet besuar mëshirës së tij, mirësisë së tij të pafund. E juaja është vetëm e tashmja… Duhet mbrojtur shpirtin e paqes… Besoj se Zoti do t’iu përgjigjet shpresave dhe pritjeve të botës e cila ka dëshirë aq të madhe për paqe…“.
Gjoni XXIII

Të shkruhet apo flitet sot për papën Gjonin XXIII, apo siç e quanin të gjithë „Gjoni i Mirë“, është shumë vështirë, mirëpo njëkohësisht edhe e nevojshme, e dobishme, e domosdoshme, sepse ky margaritar i Kishës dhe njerëzimit të shekullit njëzet nuk guxon të harrohet, si dhe kujtimi në te nuk guxon të humbet. Me të erdhi rrezja e dritës dhe diellit, shpresës, mirësisë, dashurisë dhe vëllazërisë, hapja e Kishës ndaj gjithë botës.
Jeta e tij qe e gjatë, 82 vite, pontifikati i tij i shkurtër, vetëm 5 vite, porosia e tij e amshueshme, personaliteti i tij karizmatik, gjithnjë i gjallë në Kishë dhe botë. Kështu që duke përkujtuar atë do të thotë ta ringjallësh atë, të shkruajsh për të do të thotë t’ia ofrosh atë gjeneratave të reja, sepse siç dihet, dashuria nuk vdes kurrë.
Angelo Giuseppe Roncalli, papa Gjoni XXIII, u lind në Sotto il Monte, fshat afër Bergamo-s, më 25 nëntor 1881 në një familje fshatare me shumë fëmijë si dhe varfëri të theksuar. Pikërisht aty, në rrethin familjiar, mësoi artin e dashurisë, fesë, lutjes, flijimit, komunikimit me të tjerët, solidaritetin.
Prejardhje e varfër dhe e thjeshtë, mbetën karakteristika themelore të jetës së tij. Në shkollë ishte i mirë, kështu që famullitari i këshilloi prindërit e tij që t’ia mundësojnë vazhdimin e mëtutjeshëm të shkollimit.
Hyri në seminar. Mirëpo edhe aty duhej të paguante, e para nuk kishte. I ati i tij Giovanni Battista dhe nëna Maria njëherë i thanë: „Je fëmijë i fshatarëve skamnorë. Edhe nëse arrin të bëhesh meshtar, do të jesh gjithmonë meshtar i varfër…”
Mirëpo, për shkollimin e tij u kujdes Provania hyjnore. Një monsinjor mori për sipër kujdesin për pagesë të seminarit. Në mësime ishte i zellshëm, kurse në jetën e përshpirtërisë shumë i dalluar, me të tjerët i shoqërueshëm dhe i lumtur, gjithmonë i gëzueshëm.
I riu Angelo Giuseppe Roncalli kreu studimet filozofiko-teologjike në Begamo. Studimet posdiplomike i vazhdoi në Romë. Shërbimin ushtarak e kreu për 12 muaj. Qe shuguruar për meshatar në Romë me 10 gusht 1904, kurse Meshë e Parë kremtoi në vendlindje me 15 gusht 1904.
Ja dëshmia e tij rreth meshtarisë: „Zoti dëshiron të bëhem meshtar; për këtë më shpërbleu me mirësitë e tija, aq sa më dërgoi në Romë nën përkrahjen e Papës, zëvendësit të Jezu Krishtit, në Qytetin e Shenjtë, afër varrezave të shumë martirëve, shumë meshtarëve të shenjtë… Nuk u bëra meshatar për të qenë i nderuar, ose shkaku i përfitimit, për të jetuar më lehtë, për të jetuar e shijuar nderin dhe kënaqësinë. Runa Zot, vaj për mua po të ishte kështu! Por para së gjithash dhe vetëm për këtë u bëra meshtar, t’i bëj mirë në të gjitha mënyrat botës skamënore.“
Ishte vite të tëra sekretar i ipeshkvit të Bergamos mons. Radini-Tedeschia-s, e më pas shpirtëror në teologjinë e Bergamos.
„Themeli i apostolatit tim është jeta ime e mbrendëshme…Do i dua të rinjët sikur një nënë e mirë“ shkruante kështu don Angelo Roncalli.
Në vitin 1921 ishte i ftuar në Romë në Kongregatën „Propaganda Fide“, sot Kongregata për „Ungjillizimin e Popujve“, për kryetar të Zyrës për përhapjen e fesë për Itali.
Nga Roma shkruan: „Me zemër të thyer kam lëshuar Bergamon, atë që e desha: seminarin, shtëpinë studentore…Ndihëm i hedhur me tërë shpirtin tim në shërbim të ri. Këtu dëshiroj dhe duhet të rri pa mëdyshje, pa shiquar apo dashur ndonjë gjë tjetër.“
Në vitin 1925 emërohet arqipeshkëv dhe vizitator apostolik në Bullgari, shugurohet më 19 mars po të njëjtin vit. Mons. Angelo Roncalli shkruan: „Në realitet të jesh i emëruar ipeshkëv apo të mbetësh meshtar i rëndomtë, nuk do të thotë shumë për atë shpirt i cili kërkon lavdinë e Hyjit, e jo shkëlqimin e rrejshëm të kënaqësive të kësaj bote… Jam i dëgjueshëm dhe me këtë aftësohëm për t’i braktisur disa gjëra dhe për t’i pranuar tjerat“.

DHJETË VITE NË BULLGARI

Menjëherë pas shugurimit ipeshkëvor shkoi në Bullgari (25 prill 1925), ku qëndroi plotë dhjetë vite. Në meshën e parë publike tha këtë: „Thjesht do të tregoj mënyrën e trajtimit të cilën do duhej në të ardhmën të kanë katolikët bullgarë ndaj ortodokësve: këta janë vëllezërit e juaj. Nuk mjafton vetëm të kesh ndaj tyre ndjenja të përzemërta. Nëse i doni vërtet, ju jepni shembull të mirë përmes dashurisë suaj në vepër!“.
Që të dëshmoj këtë dashuri në vepër ai menjëherë filloi t’i vizitojë bashkësitë e vogëla katolike në Bullgari në kufi me Greqinë dhe Turqinë. Pas vizitave tha para gazetarëve bullgarë: „Erdha këtu që t’iu sjell katolikëve bullgarë bekimin e Atit të Shenjtë, i cili gjithnjë ka nderim të thellë dhe dashuri të përzemërt ndaj popullit bujar bullgar…Pashë një pjesë të mirë të vendit tuaj. Isha i pushtuar me thejshtësinë dhe mirësinë e popullit i cili na pranoi gjithkund me mikëpritje prekëse… Isha dëshmitar i tolerancës së plotë të popullit bullgar ndaj pakicave fetare dhe kombëtare.”
Mons. Angelo Roncalli në mënyrë të shkëlqyeshme kreu misionin e tij apostolik në Bullgari duke animuar, mbështetur dhe inkurajuar bashkësitë katolike që të jenë të bashkuara, të vetëdijshme për rolit të cilin e kanë në mesin ortodoks.

DELEGAT APOSTOLIK NË TURQI DHE NË GREQI

Por, ja sfida e re, prapë edhe një ndërrim. Më nuk është i ri, tanimë është 53 vjeçar. Në vitin 1934 qe emëruar delegat apostolik në Turqi dhe Greqi.
Në predikimin e tij përshëndetës tha: „Pas dhjetë vitesh në Bullgari, ajo më është bërë e dashur…Kudo të jam, po edhe në skaj të botës, kur do të kaloj ndonjë bullgar pranë shtëpisë sime, do ta gjejë në dritare qiriun e ndezur. Do trokasë në derën time dhe ajo do t’i hapet, pamvarësisht është ai katolik apo ortodoks. Vëlla Bullgar: mjafton vetëm ky titull për të hyrë mbrenda e të gjej vërtet mikëpritje shumë të përzemërt në shtëpinë time…“
Turqia atëherë ishte në pozitë shumë të vështirë. Mustafa Kemal-pasha Ataturk (1881- 1938) krijoi Republikën Turke laike (1922) me kryeqytetin e Ankaras. Ai dëshiroi ta europanizonte Turqinë, duke ndërruar Kushtetutën sipas shembullit të ligjeve italiane dhe zvicërane. Futi në përdorim alfabetin latin, kalendarin europian, shpalli të dielën ditë pushimi dhe ditë feste në vend të premtës, ndërpreu poligaminë dhe shpalli Turqinë shtet laik me të drejta dhe dëtyrime të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.
Gjitha këto ndryshime i sollën popullatës turke vështirësi të shumta. Pas takimit të parë me këtë realitet mons. Roncalli shkruan: “Ndoshta do kam ditë të rënda e situata të vështira… Mirëpo, unë vazhdimisht shikoj në lartësi dhe në largësi…“
Në Turqi mori lajmin mbi sëmundjen, më pas edhe mbi vdekjen e të atit, Giovanni Battista. Komentoi thjesht dhe fetarisht: „Në dhimbjen time e cila është edhe më e madhe shkaku i largësisë, më ngushllon mendimi, si për të gjithë besimtarët, se do të gjindemi në qiell.“
Mons. Giuseppe Angelo Roncalli dëshiron të jetë vëlla e atë i të gjithve, dhe për këtë përpiqet të mësimin e gjuhës turke. Disa i thonin se nuk i nevojitet, meqë bashkësia katolike lutet, kremton meshën dhe sakramentet në gjuhën frenge, me të cilën edhe shërbeheshin. Ai iu përgjigjet: „Po të isha unë turk, nuk do më tërhiqte feja e cila nuk e njeh gjuhën time.“ Dhe pikërisht për këtë e futi në liturgji edhe leximin e Ungjillit në gjuhën turke.
Edhe Greqia përjetonte vështirësi të mëdha në fusha të ndryshme. Mirëpo, njeriu i Zotit nuk dorëzohet askurrë, sepse në të gjitha rrethanat dhe kohërat jeton dhe dëshmon praninë dhe dashurinë e Zotit mes nesh. Mons. Roncalli në Greqi arrin vitin në vitin1935. Së pari është dashur t’i tejkalojë dy mosbesime të mëdha: Qëndrimin e Kishës Orodokse Greke dhe mospajtueshmërinë e shtetit. Kushtet e jetës dhe punës për katolikët ishin shumë të rënda. Këtë gjendje menjëherë ia parashtroi mbretit Georgios II, por me pak sukses. Me kënaqësi dhe shpesh e viziton Athinën, takonte hierarkinë katolike, bënte gjithë atë që kishte mundësi.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai është ambasador i vërtetë i paqes, pajtimit dhe faljes.
DIPLOMAT I HYJIT

Pas luftës, ia edhe një sfidë e re. Në vitin 1945 Mons. Roncalli emërohet për nunc apostolik në Francë. Edhe një herë kjo ishte treguar si hap provanial, dha tani të gjithë do e quanin “Diplomat i Hyjit”. Gjatë dhjetë viteve ai përfiton të gjithë me zemrën e tij të madhe, me butësinë dhe thjeshtësinë që kishte.
Papa Piu XII i jep mirënjohje dhe e emëron kardinal vitin 1952. Mons. Roncalli është i hutuar, i befasuar, i prekur, dhe në ditarin e tij shkruajti këto fjalë: “Me të vërtetë krejt këtë e bëri Zoti, edhe atë pa mua, sepse nuk kisha mundur as të paramendoja, apo pretendoja për një mirënjohje kaq të madhe. Të jam i thjeshtë dhe përvuajtur nuk më ka krijuar problem të madh. Për çka të krenohem apo lavdërohem, O Zot imi? Merita ime është mirësia e jote…”

PATRIK I VENEDIKUT

Zoti tani më nuk po e le të qetë. Pas vdekjes së patrikut të Venedikut, Mons. Carlo Agostinit, Roncalli emërohet në vendin e tij në vitin 1953.
Në bazilikën e shën Markut i prezantohet besimtarëve shpontanisht dhe me përvuajtëri: “Vij nga përvujtëria, isha i edukuar në varëfinë e lumtur dhe të bekuar e cila ka kërkesa aq të vogëla…Provania më nxori nga fshati im i lindjes dhe bëri që të kaloj rrugëve të botës të Lindjes dhe të Perëndimit, duke u afruar me njerëz të religjioneve dhe idologjive të ndryshme, në ballafaqime me probleme të ashpra dhe kërcnuese të shoqërisë, mirëpo duke ruajtur qetësinë dhe barazëpeshën e kërkimit dhe vlerësimit: gjithmonë kam qenë më tepër i zënë rreth asaj që na bashkon, se sa asaj që na ndan… Mirëpo, para se gjithash i porositem mirësisë suaj unë njeriu i cili thjesht dëshiron të jetë vëllau juaj i dashur, i afërt, i kuptueshëm ndaj të gijthëve…”
Mendoi dhe shpresoi se do e përfundonte këtë „shtegtim“ tokësor në Venedik. U përgadiste për vdekje sa më të mirë, por jo në mënyrë pasive. Vërtet ishte gjithkund vëlla dhe mik i të gjithëve, në veçanti i të varfërve dhe njerëzve të thjeshtë. Me kujdes dhe dashuri të madhe përcolli klerin e tij. Punoi, luti, meditoi, mendoi shumë, kurse me përpikëri natë e ditë shkroi ditarin e tij. Flinte pak, vetëm disa orë.
Mbi vdekjen shkroi këto fjalë: „Mendimi mbi vdekje më bënë shoqëri të pikëllueshme, por edhe të mirë, që nga dita kur u emërova për kardinal dhe patrik të Venedikut. Për mua ky mendim është i vështirë, por edhe shpëtues. Mirëpo pjesa e jetës që më ka mbetur nuk është asgjë tjetër përpos përgatitje e lumtur për vdekje.“
Kishte zemër të madhe, ishte mikpritës i mrekullueshëm. Shpeshherë iu thoshte bashkëpuntorëve të tij: „Kushdo mund të më vizitoj; ndoshta dëshiron të rrëfehet? Unë jam një meshtar i varfër, dhe po e refuzova kënd, kisha mundur ta humbas një shpirt i cili ka dashur të hapët me mua.“
Thjeshtësia dhe mirësia e tij së shpejti përfitoi të gjithë. Venediku i ishte sikur shtëpia e tij përsonale e lindjes Sotto il Monte, sepse ishte komunikativ dhe mik i të gjithëve.
PAPA GJONI XXXIII – GJONI I MIRË

Në vitin 1958 vdes papa Piu XII, i cili me vendosmëri e udhëheqi Kishën e Hyjit për 19 vite. Kardinali Roncalli u pikëllua shumë shkaku i kësaj humbjeje të madhe, mirëpo e përjeton në heshtje, në mënyrë të krishterë, sipas motos së tij: në dëgjueshmëri dhe në heshtje!
Duke u nis për në Romë, në konklavë, tha:”Gëzimi më i madh imi i cila do të mund të më ndodhë do ishte të kthehem pas disa javëve në mesin tuaj.” Nxori biletën kthyese, në tavolinën e tij të punës la të hapur shumë letra të rëndësishme dhe të besueshme, duke shpresuar se do kthehej së shpejti.
Kisha, bota, po edhe kolegji i kardinajve pritnin shumë nga konklava. Flitej se do zgjidhej një papë kalimtar. Shpesh është përmend edhe emri i kard. Roncallit, i cili tani ishte në moshën 77 vjeçare, mirëpo kishte mjaftë përvojë diplomatike dhe pastorale. Në Bullgari dhe Greqi njohu ortodoksizmin dhe sllavët, në Turqi botën islame. Qysh më herët në Propaganda Fide ishte njohur me botën misionare; në Francë takoi civilizimin dhe kulturën europiane; në Venedik udhëheqi suksesshëm një Kishë të vogël, por shumë të gjallë.
Nga Roma kardinali Rocalli i shkruante ipeshkëvit të Bergamos: “Shpirti forcohet me besimin e Rrëshajëve të reja të cilat do mund t’i jepte Kishës Shenjte ripërtrirjen e tërësishme të Kreut dhegjallërimin e gjymtyrëve. Nuk është me rëndësi se a është papa nga Bergamo. Lutjet e përbashkëta duhet të nxjerrin një njeri të shenjtë dhe të përkushtuar i cili me butësi dhe urtësi do të na drejtojë.”
Kardinali Angelo Giuseppe Roncalli është zgjedh papë me 28 tetor 1958. Pranoi këtë pas shumë mendimeve, pasigurisë, lutjeve, me këto fjalë: “Atë që di me varfërinë dhe vogëlinë time mjafton për të më hutuar. Mirëpo, shoh në fytyrat shembullore të vëllezërve të mi kardinaj shenjën e vullnetit të Zotit, pranoj zgjedhjen e tyre dhe uli kokën dhe krahët për barrën e kryqit dhe pirjen e kelkut të hithët… Do të quhem Gjon. Ky emër është i ëmbël, sepse është emër i babait tim. Jemi të kënaqur, sepse është mbrojtësi i famullisë modeste ku jam pagëzuar..”
Dhe menjëherë filluan brohoritjet e ngazëllimit, entuziazmit, lotët e gëzimit të Venedikut, të Bergamos, Sotto il Monte, Parisit…, gjithë atyre që e kishin njohur. Së shepjti e quajtën “Gjoni i Mirë”. Dhe i tillë u tregua tërë jetën e tij duke i shërbye të gjithve.
I befasoi të gjithë me shenjat dhe gjestet si dhe thjeshtësinë e sjelljeve të tija: Viziton spitalin “Bambino Gesù” në Romë, duke biseduar përzemërsisht dhe atësisht me fëmijtë e sëmurë, me prindër, me personelin mjekësor. Më vonë vizitoi burgun “Regina Coeli”, ku mes të tjerave të burgosurve iu tha: ”Pra, ja Ne jemi këtu, bij të dashur… Erdha, më patë, i kam drejtuar sytë e mi në sy tuaj, kam vendosur zemrën time afër zemrës suaj…”
Zemra e madhe – dashuria e papës Gjonit XXIII depërtoi edhe jashtë mureve të Vatikanit: 150 herë doli jashtë Vatikanit, duke ndërprerë kështu traditën e mëhershme shumëshekullore. Me shaka iu tha besimtarëve: “Lejoni që të dalë edhe Papa nganjëherë, sepse Papa jeton i mbyllur në dy tre hapësira. Lejoni të vijë te ju, që t’ju ngushëllojë pak!“
KONCILI I DYTË I VATIKANIT

Mirëpo befasia më e madhe ishte paralajmërimi i Koncilit të Dytë të Vatikanit më 25 janar 1959. Në kuvendin e Shën Palit, afër bazilikës me emër të njejtë, iu tha kardinajve: „Për t’i ballafaquar problemet e sotme të njerëzve, duke qenë të frymëzuar me traditë dhe të drejtë shumë shekullore, shpallim mbajtjen e Koncilit të Përgjithshëm Ekumenik…Synim i tij nuk është vetëm për ndërtimin e popullit të krishterë, por është një ftesë edhe për bashkësitë e ndara të ndara – në kërkim të bashkimit… Këtu gjithësesi do jetë edhe Shpirti Shenjt. Unë nuk frikohem. Ta fillojmë punën…“
„Vrapi“ i Papës nuk ndalet këtu. Në ekranet televizive me bindje dhe fuqi të thellë porosiste: „Botës i nevojitet Krishti dhe Kisha duhet të jetë ajo e cila do t’ia sjellë botës Krishtin.“
Më 4 tetor 1962 Papa me tren shtegton në Loreto dhe në Assisi, një javë para fillimit të Koncilit.
Koncili Dytë i Vatikanit ishte lëvizje e madhe shpirtërore dhe fetare, ngjarje shekullore, frymëzim i Shpirti Shenjt për Kishën dhe botën. Në hapje në Sheshin e shën Pjetrit, ishin të gjithë, mbi 200.000 mijë besimtarë, 2400 ipeshkëvij, arqipeshkvi, kardinalë, teologjë, “vëllezërit e ndarë”. Gjoni i Mirë ka në zemër shumë dëshira, para së gjithave ta përditësojë Kishën – “aggiomamento”, të shërbente bashkimin e të të gjithë të krishterëve, paqes në botë.
Papa Gjoni XXIII tha: “Nuk do të bëjmë ndonjë gjykim historik. Nuk do të hulumtojmë kush kishte të drejtë e kush kishte gabuar. Përgjegjësitë janë të shumta. Ne thjeshtë do të themi: të bashkohemi, t’i japin fund ndarjeve!”
Në kujdes për paqe ndërmjetëson dhe arrin sukses të shmangëjes së konfliktin mes SHBA dhe Bashkimit Sovjet rreth raketave ruse të vendosura në Kubë.
Sundimtarët botëror i porosiste: ”Bëni gjithçka është e mundur dhe në fuqinë e juaj për ruajtje të paqes: kështu bota do t’i shmanget tmerrit të luftës pasojat e së cilës askush nuk mund t’i parasheh… Të promovohen, përshpejtohen, të pranohen negociatat në të gjitha nivelet dhe në çdo kohë, ky është rregulli i urtisë dhe maturisë, e cila fiton bekimin qiellor dhe meriton kujdesin dhe mbështetjen njerëzore…”
Dy enciklikat e Gjonit XXIII patën kuptim shumë të madh për Kishën dhe botën: “Mater et Magistra” (1961) dhe “Pacem in terris” (1963).
Ja disa vlerësimet të rëndësishme rreth tyre. John F. Kennedy: “Si katolik jam krenar për ato, ndërsa si amerikan kam mësuar shumë nga prej tyre…” U Thant, Sekretari i OKB-së gjatë një fjalimi tha kështu: “Historia njeh shumë pak personalitete të cilët kanë pasur aq shumë nderim dhe aq dashuri sikur Papa Gjoni XXIII.” François Mauriac, nobelisti për letërsisë, dëshmon: “Papa Gjoni XXIII ka thënë fjalë të mëshirës të cilat unë gjithnjë kam dëshiruar t’i dëgjoja prej Romës, dhe i ka thënë në praninë e vëllazërve të ndarë… Për herë të parë, pas rinisë time, Shpirti dëshmohet, së paku për mua në mënyrë të dukshme”.
Gjoni XXIII jetoi dhe punoi për gjithë botën duke dëshiruar paqe, drejtësi, nderim mes njerëzve, dashuri, bashkim. Njëherë tha: “Enciklika Pacem in terris është dhurata ime për Pashkë për mbarë njerëzimin. Puna me këtë nuk ka përfunduar. Deri më tani kemi përparuar mirë, mirëpo duhet guximshëm të vazhdohet ky rrugëtim.”

“VUAJ ME DHEMBJE DHE ME DASHURI”

Gjoni i Mirë tani më është në moshë të shtyer, me punë të vazhdueshme dhe me plot përgjegjësi, takime zyrtare, kujdesi për mbarë Kishën dhe për gjithë botën. Ishte ky kryqi i përditshëm të cilin e bartte. Përpos këtyre halleve ishte e pranishme edhe sëmundja, mirëpo ai, si gjithnjë ishte i gëzuar, i qetë, optimist, pranonte vullnetin e Zotit. Mjekut i cili kujdesej për shëndetin e tij i tha: “E di se fati im është sikur i Radinit…Valixhet i kam gati për nisje.” Pas disa minutave të heshtjes dhe menditimit, vazhdoi: ”Nëse Hyji kërkon sakrificën jetësore të Papës, atëherë kjo le të shërbejë për hire të shumta të Koncilit Ekumenik, të Kishës së Shenjtë, të njerëzimit i cili kërkon paqen.”
Sekretari personal Mons. Loris Capovilla, me lotë në sy ia kumtoi se gjendja shëndetësore ishte keqësuar dhe se mjekët nuk mund të bënin më asgjë. Dhe qante. Gjoni i Mirë i tha: “Shihe, shihe, Sekretari im, i cili duket aq i fortë, tani shqetësohet dhe qanë kur erdhi tek unë për t’më kumtuar gjërën më të bukur e cila mund t’i thuhet meshtarit: ‘Sot do të shkosh në Parajsë…’ E tash, ejani…Unë jam ipeshkëv, duhet të vdes sikur ipeshkëv, thjeshtë, por edhe dinjitetshëm…”
Pas rrëfimit, vajmit të shenjtë dhe kungimit, në qetësësinë më të madhe, në sigurinë e fesë, tha: “Ja, duart e shtrira të Jezusit, ishin program i pontifikatit tim…Kërkoj falje nga të gjithë qysh nga rinia ime e deri me sot që kam pasur ndonjë mangësi Kam kërkuar, dëshiruar t’i dua të gjithë, iu kam dashur të gjithëve të mirën. Paraqes çdo vuajtje që të jenë të gjithë një: ut unum sint!... Vuaj me dhembje dhe me dashuri. Po e përcjell vdekjen time hap pas hapi. Tani me butësi drejtohem kah mbarimi…Mater mea, fiducia mea!”
Vdiq në zë të shenjtërisë dhe shenjtërisht më 3 korrik 1963, duke u lëshuar në duar të Zotit, në Siguri tëJetës, të Ringjalljes.
Gjoni XXIII ishte i mirë, i dashur, i përvuajtur, njeri i shpirtit dhe zemrës së madhe. Jetoi kohën e tij, mirëpo atë edhe e ka tejkaluar, me fejë dhe dashuri, si profet. Pikërisht për atë jeta dhe veprat e tija mbesin të vlefshme dhe gjithmonë aktuale për Kishën Katolike, për kishat e krishtëra, për çdo besimtari, për çdo njeri.
Shumë menduan se ai do të ishte një Papë kalimtar. Kurse ai, përkundrazi, ishte Papa i ndërrimeve, frymëzimeve, përtrirjeve, kthesave rrënjësore. Ai kishte zbatuar përditësimin për Kishën dhe në Kishë, kishte vizion profetik për ekumenizëm me botën e krishterë, dhe qëndrim të dialogut të hapur me të gjithë.
Për Kishën njëherë tha: “Kisha katolike nuk është ndonjë muze arkeologjik. Ajo është burim i vjetër, i cili jep gjithnjë ujin e ri brezave të tanishëm, siç iu ka dhënë edhe atyre para nesh.”
Kurse duke bërë një përmbledhje të jetës së vet, kishte thënë kështu: “Punuam, i shërbyem Kishës, nuk jemi ndalur duke mbeldhur gurët të cilët na janë hedhur nga njëra apo ana tjetër… Dhe nuk kemi kthyer hudhjen e gurëve ndaj askujt… Një ditë Zoti, kur do të paraqitemi para tij, nuk do të na pyet a kemi bërë bashkimin, por do t’na pyet çka kemi bërë ne për bashkim… Kam nevojë për kryq. Jezusi Zot, më ndihmo ta barti me përvuajtëri dhe dinjitet!”
Papa Gjoni XXIII na ka zbuluar “shenjat e kohës”, kurse vet ishte dhe mbeti “shenjë” e kohës sonë, dhe më tepër “shenjë” e Zotit. Në nder të elterit është ngritur në 2000 vjetorin jubilar të krishtërimit, kur Papa Gjon Pali II më 3 shtator e shpalli të Lumtur.
Dhe, ia, tash së bashku me të Lumin Gjon Pali II më 27 prill 2014 kanonizohet, shpallet edhe zyrtarisht Shën Gjoni XXIII-të, me kënaqësi, nderim, falënderim dhe dashuri të mbarë Kishës Katolike, të krishtërimit, të botës mbarë.
Don Lush GJERGJI














GJON PALI II (1920 – 2005)

“Ungjilli i jetës nuk është vetëm për besimtarë: ai është për të gjithë. Pyetja e jetës dhe mbrojtjes si dhe zhvillimit saj nuk është previlegj vetëm i të krishterëve... Kur Kisha shpallë respektimin e të drejtës së pakushtëzuar për jetë të çdo personi të pafaj – që nga ngjizja e deri te vdekja e natyrshme – e kjo është një ndër shtyllat në të cilët qëndron çdo shoqëri civile, ajo thjesht dëshiron ta përparojë një shtet human...”
Gjon Pali II

Karol Wojtyla – Papa Gjon Pali II – u lind në Wadowice (Poloni) më 18 maj 1920 në një familje të përshpirtshme katolike nga prindërit Karol Jozef dhe Emilie Kaczorowska. U pagëzua në kishën famullitare më 20 qershor 1920.
Babai i tij ishte nënoficier ushtarak, paksa i natyrës së mbyllur, i cili mbeti qysh herët i vej, mirëpo më nuk u martua. Vdekja e së ëmës ishte një goditje e rëndë për familje, për burrin dhe fëmijtë, në veçanti për Karolin e ri, i cili atëherë ishte vetëm tetë vjeçar. Pati edhe një motër e cila i vdiq gati se menjëherë pas lindjes.
Kështu u formua ky duet i çuditshëm: ati Karol dhe biri Lolek-u, siç e quanin të gjithë Karolin e vogël. Gati se ishin gjithmonë së bashku. I biri i parë, mjek në Bielsk, vdiq qysh në vitin 1932.
Shtëpia familjare ishte mjaft modeste. Karoli i vogël vijoi shkollën fillore në Wadovice, ku menjëherë u tregua i zellshëm dhe djalosh i telantuar. E donte lojën e fudbollit, mirëpo njëkohësisht ishte edhe jashtëzakonisht i disciplinuar. Shpeshherë ndërpren lojën duke thënë: “Mjaft, shkova të mësoj, po shkoj t’i ndihmoj atit tim në puntë shtëpiake.”
Në kishën famullitare ishte ministrant i rregulltë. Ishte edhe mjaft i përshpirtshëm, antar i Kongregatës Mariane, ku aktivisht merrte pjesë në iniciativa të ndryshme. Me ëndje e gëzim lexonte dhe e donte artin, muzikën, sportin, shetitjen në natyrë, teatrin. Mieczyslaw Kotlareczyk e futi në jetën teatrale, ku ia mëson gojëtarinë.
Gjimnazin e ndjeku në Wadovice, kurse në vitin 1938 regjistroi në Krakovë studimin e letërsisë polake. Edhe i ati u zhvendos në Krakovë, kështu që erdhi të jetonte me të birin e vet në lagjen Debnike të qytetit, te kusherina e së ëmës tij.
Djaloshin Karol, Provania e përcolli dhe udhëheqi hap pas hapi. Në Krakovë e takoi meshtarin Fieglewiecza, i cili së shpejti i bëhet atë shpirtërorë dhe rrëfystar i përmuajshëm. Kishte shumë vullnet për studim, kështuqë reflektonte e mbi të gjitha besonte në kulturë, art, në jetë dhe në dashuri... Dëshironte sa më mirë dhe me sinqeritet të përgaditet për të ardhmen. Ishte aktiv në rrethin univesitar, në veçanti në aktivitete kulturore, mirëpo njëkohësisht ishte edhe në kërkim të kuptimit dhe përmbajtjes së jetës dhe punës. Të gjitha i ndërpreu furishëm shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore.
Më 1 shtator 1939 Karol-i përjeton bombardimet, rrënimet, vrasjet, dhunën... Me shumë miq dëtyrohet të largohet në veri të shteti për të shpëtuar jetën.
Mirëpo e gjitha ishte e kotë. Gjermania së shpejti okupoi të tërë Poloninë. Qeveria ishte në egzil në Rumani. Hitleri dëshironte të zhbijë nga faqje e tokës emrin Poloni. Së shpejti fillon edhe realiteti i dhimbshëm dhe i mundimshëm me kampet e përqëndrimit, në veçanti Auschwitz (Oswiecim). Përsekutimet e polakëve janë shumë të ashpra, sidomos kundër intelektualëve dhe hirearkisë kishtare.
Për të jetuar dhe mbijetuar disi, po edhe për t’iu shmangë deportimit në Gjermani, Karoli i ri vendos të studijojë në fshehtësi, pranë punës së rëndë në minierë. Punon, mëson, shkruan, lexon, lutët... Papritmas, nga infarkti, vdes i ati i Karolit (1941). Humbja ishte e madhe, pikëllimi i rëndë, zbrazëtia e papërshkruar, sepse ai ishte gjithçka për të, atë, nënë, vëlla, motër. I dukej se tashmë bota ishte në kokën apo shpinën e tij, sepse tani qysh në moshën 21 vjeçare nuk kishte më askend të vetin!
Në të lind pyetje dramatike: O, Zoti im, çfarë dëshiron prej meje? Çfarë dëshiron nga populli im polak? Në të vërtet, çfarë është duke ndodhur me këtë botë?
U vu në sprovë të madhe me luftën, me okupimin gjerman. Në vitin 1942 patrolla SS e arreston, e rrah deri gati në vdekje dhe ashtu gjysmë të vdekur e hudhën në një hendek. Pas disa orëve i kthehet vetëdija, dhe gati se në mënyrë të mrekullueshme qe shpëtuar nga një kalimtare e rastit. Ishte kjo “goditja” Provanisë dhe hirit të Zotit, sepse iu desht ta braktiste punën, studimin, për t’u shëruar. Në heshtje, lutje, vuajtje të shpirtit dhe trupit, apo siç do të thoshte më vonë, “në ushtrimet shpirtërore të cilat i kishte menduar vetë Zoti”, ballafaqohet me pyetjen jetësore të thirrjes, ardhmërisë.
THIRRJA MESHTARAKE

Karoli studijon teologjinë, në fillim në mënyrë private, e më pas me një grup shokësh në seminarin e fshehtë. Për meshtar u shugurua më 1 nëntor 1946. Ipeshkvi i njeh shumë mirë aftësitë intelektuale, natyrën, virtytet e tij morale. Për këtë e dërgon në studime të mëtutjeshme posdiplomike në Romë, në Universitetin Domenikan “Angelicum”. Këtu njohu një realitet tërësisht tjetër nga ai në Poloni. Miqët dhe kolgët e tij student ishin nga pjesë të ndryshme të botës, si dhe profesorët. Atë Garrigon-Langrange ishte moralist me famë botërorë, te i cili Don Karoli e shkruan disertacionin e doktoraturës nga teologjia morale me titull “Feja në veprat e shën Gjonit të Kryqit”.
Në ndërkohë, sipas dëshirës dhe këshillës së ipeshkvit të Krakovës, Don Karoli i ri viziton Francën, Belgjikën dhe Holandën për të parë dhe studijuar, mësuar, përsonalisht punën pastorale në këto shtete europiane. Atje njihet me procesin e shekularizimit, në veçanti në Paris, kurse në Belgjikë dhe Holandë mori përvojën e bashkëjetesës mes katolikëve dhe protestantëve, të cilët thënë shpirtërisht nuk urrehen, mirëpo as nuk duhen shumë!
Me këto përvoja pastorale, intelektuale, morale dhe përgaditje shpirtërore, Don Karoli kthehet në Poloni në vitin 1948 me plotë entuziazëm për jetën meshtarake dhe punën pastorale.
Së pari emërohet kapelan në Niegowiq, një famulli e vogël dhe e largët malore, pa rrugë dhe rrjet elektrik, me besimtarë të varfër dhe të thjeshtë, të cilët mbi të gjitha e duan dhe nderojnë meshtarin katolik. Famullia kishte 14 fshtatra për rreth. Famullitar atëherë ishte Don Kazmierz Buzala, meshtar i urtë dhe i shenjtë, i cili punonte shumë mirë me besimtarët e famullisë. Don Karoli shumë shpejt përfitoi zemrën e famullitarit dhe të besimtarëve të famullisë me përkushtimin e tij, me durim, e mbi të gjitha me mirësinë dhe dashurinë ndaj çdo njeriu. Kremtonte meshë, iu mbante fëmijëve mësim feje, rrëfente dhe vizitonte të sëmurët, me kënaqësi e përvujtëri bisedonte me popullin e thjeshtë, kujdesej për rini. Ky vend iu duk se ishte ideal për përshpirtëri, lutje, meditim, lexim, shkrim, të cilin e deshte aq shumë.
SHËRBIMI BARITOR

Në vitin 1949 megjithatë arrin dekreti i ri ipeshkvor: Don Karoli ishte emëruar kapelan në famullin e Shën Florianit, në qendër të Krakovës.
Banorët e kësaj lagjeje kryesisht ishin ardhacakë nga pjesë të ndryshme të Polonisë. Pas lufte në afërsi të Krakovës u krijua Nova Huta, një pjesë e re e qytetit për banorët e ri. Vështirësitë ishin të mëdha dhe të llojllojshme, mirëpo po ashtu edhe mundësitë për ripërtërirje kombëtare, fetare, morale dhe shpirtërore. Don Karoli iu kushtua në veçanti pastoralit të të rinjëve, krijimit dhe edukimit të familjeve të reja, me organizime të takimeve të ndryshme, shetitje, ligjerata, shkëmbimin e përvojave jetësore. Nga kjo punë dhe përvojë e bashkimit fetar dolën shumë meditime të tij, shumë artikuj, poezi të cilat vite me radh i publikoi me pseudonimin Andrzej Jawien.
Në vitin 1951 sipas dëshirës së arqipeshkvit të tij Don Karoli duhet lëshuar famullinë dhe tërësisht t’i kushtohet shkencës, hulumtimeve, në veçanti studimit të filozofit Max Schiler-it. Në vitin 1953 u emërua profesor në Seminarin e arqipeshkvisë së tij dhe aty jepte mësim dhe edukon meshtarët e ardhshëm.
Mirëpo, në jetën e Don Karolit gjithnjë arrijnë befasitë. Në vitin 1958 u emërua ndihmës ipeshkëv i Krakovës. Edhe pse vazhdon me ligjerime, Ipeshkvi i ri përballet me realitetin e kurisë, bënte vizita baritore, ndante sakramentin e përforcimit të rinjëve, përcjellte ndërtimin e kishave të reja, themelonte famulli të reja...
Mons. Karol Wojtyla kërkonte mënyrën për të motivuar klerin për shërbim pastoral. Shpeshherë ia përsërit vetjes dhe të tjerëve: “Nuk duhet, por dua... Nuk duhesh, por dëshiron”!, duke u thirrur në përcaktim të lirë, në përgjegjësi dhe bashkëpërgjegjësi, nga dashuria dhe për dashuri. Nga kjo përvojë pastorale dhe në bazë të hulumtimeve shkencore lindi libri “Dashuria dhe përgjegjësia” (1960).
Në vitin 1962 papritmas vdes arqipeshkvi i Krakovës Mons. Baziak. Ipeshkvi i ri Wojtyla aktivisht merrë pjesë në punimet e Koncilit të Dytë të Vatikanit, kurse në vitin 1964 emrohet për arqipeshkëv të Krakovës, pas dy vitesh që drejtoi arqipeshkvinë si vikar kapitular.
Edhe si arqipeshkëv ishte shumë i ngarkuar në punët e Koncilit të Dytë të Vatikanit, në veçanti rreth krijimit të dokumentit konciliar Lumen Gentium. Arqipeshkvia e tij është e madhe dhe mjaft e gjerë, për kah madhësia e dyta në Poloni, pas asaj të Varshavës, pra, me 2 milionë banorë dhe rreth 1500 meshtarë.
Në Vitin 1967 Papa Pali VI e emron kardinal Mons. Karol Wojtylen. Si kardinal në mënyrë të veçantë i përkushtohet bashkëkohorizimit dhe ripërtrirjes së Kishës, shpjegimit dhe aplikimit të saktë dhe të drejtë të ripërtrirjes konciliare, mbrojtjes themelore të drejtave të të gjithë njerëzve, dmth. edhe të besimtarëve të Polonisë. Pranë kardinalit Wyszynskit është shtyllë e Kishës polake. Në takimet e ndryshme, vizitat baritore, tubimet shkencore dhe kishtare, erdhi në shprehje kultura dhe përvoja e tij pastorale, në veçanti në Sinoda Ipeshkvore, ku ai ishte antar i përheshëm i Sekretariatit në emër të episkopatit polak.
Papa Pali VI vdiq në Castelgandolfo më 6 gusht 1978. Ishte harxhuar dhe mirë e kishte investuar tërë jetën e vet në shërbim të Zotit, Kishës, mbarë botës. Në meshën e dritës për shpirtin e Papës Pali VI, kardinal Wojytyla, thotë: “Të gjithë ne jemi të vetëdijshem se pontifikati i Palit VI ishte shumë i ndjeshëm dhe i rëndë...”
Për papë u zgjodh kardinali idhe patriku Venedikut Albino Luciani, Papa Gjon Pali I. Është talian, por jo nga Kuria Romake, por ipeshkëv baritor. Karol Wojtyla e njehte mjaft mirë papën e ri Gjon Pali I. Qysh nga mbledhjet dhe seksionet e ndryshme konciliare ishin bashkëpuntorë dhe miq të mirë. Në kthim për Poloni tha: “Ne dëshirojmë të jemi me Papën që nga fillimi i pontifikatit të tij, sepse e di që ky kryq, kryqi-Papë, është fshehtësia e shëlbimit e cila realizohet në Jezu Krishtin.”
Mirëpo, befasitë nuk kanë më fund. Papa buzëqeshur - Gjon Pali I, përfitoi botën me thjeshtësinë në të folur, me buzëqeshjen dhe përzemërsinë e tij, me gjuhën e qartë dhe të kuptueshme për të gjithë, me dashurinë e madhe që kishte për të gjithë. Kisha dhe bota frymojnë me një lehtësim të caktuar. Së fundi një njeri nga populli drejton Kishën e Krishtit! Mirëpo, shumë shpejt ndodhi tronditja i vërtetë, pikëllim i madh. Bota u shtang dhe “ngri” me lajmin mbi vdekjen e befasueshme të Gjon Palit I. Hutia, mosbesimi, tërbimi, pështjellimi, interpretimet e ndryshme, deri diku edhe frika për shkak kësaj ngjarjeje, janë të mëdha.
Kardinal Wojtyla në Katerdalën e Krakovës tha: “Shumë kemi shpresuar, shumë kemi pritur nga Papa i ri. Dukej se pikërisht ai ishte personi i vërtetë i pritjes së Kishës dhe botës. Për këtë pyetëm, pyetet gjithë Kisha, gjithë bota, Përse?...”
Në emër të revistës fetaro-kulturore “Drita” në gjuhën shqipe, si dhe në emër të shtëpisë botuese katolike “Kršćanska sadašnost” nga Zagrebi pata fatin dhe rastin të përcjell në Romë konklavën (mbledhjet e fshehta, apo me dyer të mbulluara për zgjedhjen e Papës). Atmosfera ishte e jashtëzakonshme, pritjet e mëdha, përgjegjësia e kardinajve historike. Kisha është në heshtje, lutet, shpreson, thërret ndihmën e Shpirtit Shenjt, për Protagonistin e ri të kësaj konklave dhe të Kishës. Qytetarët e Romës janë të shqetësuar, të ngacëmuar nga kjo gjendje e paqartë dhe e pasigurtë. Gati thuajse fillon “mbështetja” për njerin apo tjetrin kardinal.
PAPA GJON PALI II

Me 16 tetor 1978 kardinal Karol Wojtyla zgjedhet për Papë. Kardinal Felici shpalli lajmin e madh: “Kemi Papën...Karol Wojtyla...Gjon Pali II.” Pas këtyre fjalëve mbretëronte heshtja. Njerëzit shiqoheshin mes veti, shiqojnë kah drejtimi i tarasës së Shën Pjetrit... Të befasuar, të zënë ngushtë, thuajse gati nuk iu besojnë veshëve të tyre, pyesin njëri-tjetrin: kush është ky? Pas një heshtjeje dhe hutie të shkurtër, shpërthen gëzimi që shprehet me përqafime, urime, këngë, lutje, brohoritje, gjunjëzime, lotë...
Korrespodenti i New York Timesa, i cili ishte afër meje, më pyet: “Në të vërtetë, kush është ky kardinal? I përgjigjem në shpejtësi: “Kardinali i Krakovës, Karol Wojtyla, Polak!” Atëherë ai më tha: “Ky është senzacion i madh, ngjarje e shekullit tonë, gjë fantastike!”
Gazetari i TG1 më pyet: “Çfarë mendoni mbi këtë zgjedhje, për Papën e ri?” Përgjigjem i shqetësuar dhe shpontanisht kështu: “Për herë të parë nga afër, në Romë, përcjell konklavën... Jam shumë i lumtur dhe i befasuar me këtë përzgjedhje providenciale... Jo se vetëm nuk e kam pritur, por as që kam pasur guxim të mendoja për këtë përzgjedhje. Kjo është një mirënjohje për mbarë Kishën, në veçanti për Kishën martire polake, për mbarë Kishën e persekutuar... Kjo është vepër e Shpirtit Shenjt... Në një mënyrë e konsideroj ‘tonin’, jo sikur papët tjerët të mos ishin tanët, porse me këtë jemi më afër vuajtjes bashkon vuajtja. Ai i njeh shumë mirë kushtet tona, mendoj edhe kushtet dhe rrethanat e Kishës së përgjithshme.. .Me këtë përzgjedhje Kisha polake ka humbur Bariun e madh, mirëpo për këtë Kisha e përgjithshme ka fituar edhe Bariun e ri e të madh, Atin e Shenjt... Shpresoj që kjo kohë të jetë e favorshme për mbarë Kishën, po edhe për Kishën e heshtjes, për Kishat tona martire. Kjo përzgjedhje tejkalon gjitha pritjet. Vetëm në këtë mënyrë mund të kuptohet vdekja e hershme e Papës Gjon Palit I, si dhe rrugën të cilën e përgaditi Zoti dhe zgjodhi për Kishën dhe botën e sotme...” (“DRITA”, 9/1978, 16. X.1978, fq 4).
Papa i cili erdhi nga “larg” siç tha Gjon Pali II, gjatë paraqitjes së të tij të parë popullit të Zotit, shumë shpejt do të jetë i afërt, Mik, Vëlla dhe Atë i të gjithëve.
Vazhdimi e këtij tregimi vërtet të pabesueshëm, është shkruar nga Shpirti Shenjt dhe Papa i madh, “i pavdekshmi” Gjon Pali II, i cili për 27 vite ishte “Protagonisti” i parë i Zotit në Kishën katolike, në mbarë botën.
“HAPJANI DYERT KRISHTIT”

“Hapjani dyert Krishtit” është klithja, thirrja e Gjon Palit II drejtuar Kishës, të rinjëve, botës. Në pontifikatin e tij, siç shënon edhe emëri i tij, dëshironte të trashëgonte, përmbledhte mirësinë e Papës Gjoni XXIII, urtinë, këmbëngulësinë, guximin e Papës Pal VI. Dhe vërtet përmblodhi emërin, përmblodhi jetën dhe veprën e tyre!
Gjon Pali II ishte Bari i vërtetë i Kishës së Romës, i Kishës së përgjithshme, me plotë forcë, guxim, ngazëllim, dashuri. Ritmi i jetës dhe punës, i vizitave baritore, enciklikave, takimeve, përkushtimit për paqe, drejtësi, solidaritet, befasonte të gjithë, ishte i ijashtëzakonshëm.
Gjon Pali II ishte pa dyshim fenomen i fesë, dashurisë, përkushtimit të plotë me veprimtari dhe hapa gjigant. Më askush nuk mund ta ndalte: as atentati, as sëmundja, as pleqëria, as sulmet nga e djathta apo e majta, do të thoja as vdekja! Njeriu i Zotit, Zëvendës i Krishtit, me ngazëllim udhëheqi Kishën drejt mijëvjeçarit të tretë me moton: Jezusi është i njejti, dje, sot e përgjithmonë!
Në sypet e shtrembura, në duart që dridheshin, në këmbët të cilat nuk e mbajnin më, kishin mbetur edhe dy drita dhe sy të thellë, Zemra – Dashuria e madhe me të cilën përqafonte dhe shërbente tërë botën.
Dhe kështu ishte deri ditën e shenjtë të ndërrimit të jetës, më 2 prill 2005. Procesi për beatifikimin e tij filloi po të njejtin vit, më 8 maj.
Para akrkivolit të tij janë rreshtuar dhe përkulur të mëdhenjët e botës, më se tre milion shtegtarë nga meridianet e ndryshme të tokës, më se 200 delegacione zyrtare, përfaqësuesit e shumë feve. Mesha e salikimit ishte trasmetuar në mondovision, dhe për shumë komentatorë, ishte “varrimi më i përcjellur dhe me pjesëmarrje në historinë e mjeteve pamoro-dëgjimore”.
Procesi i lumturimit ka përfunduar shpjet dhe mirë, kështu që më 1 maj 2011 ishte Lumturimi i Papës Gjon Pali II, prapë me pjesëmarrje dhe gëzim të jashtëzakosnhëm të të gjithëve. Tashmë në jetën e pasosur së bashku me të Lumen Nënën Tereze, pa dyshim, lutet dhe ndërmjetëson për Kishën dhe Popullin tonë, siç kishte bërë dikur në këtë jetë, edhe më gjerë, për mbarë njerëzimin!
Shenjtërimi apo kanonizimi i Gjon Pali II (27 prill 2014) është prfundim i natyrshëm i jetës dhe veprës së tij madhore në shërbim të Zotit, Kishës dhe mbarë njerëzimit, si “Shenjti” i ditëve dhe kohës sonë dhe “bashkëudhëtar” kah amshimi.
Don Lush GJERGJI








All the contents on this site are copyrighted ©.