2014-04-23 18:55:05

Infermieri, që mjekoi Karol Vojtilën pas atentatit: i printe Zoti, edhe në vuajtje


13 maji 1981, data e atentatit kundër Gjon Palit II, do të mbetet përgjithnjë në kujtesën e historisë së njerëzimit.Në orën 17.17 Papa Vojtila qëllohet nga dy plumba, nisur kundër tij në Sheshin e Shën Pjetrit nga pistoleta e Mehmet Ali Agçait. Gjon Pali II, i ligështuar, nis të lëkundet në xhipin e tij. Për rreth, frikë, mosbesim. Niset menjëherë në rojen mjekësore të Vatikanit. E presin kirurgu, profesor Enriko Fedele dhe Leonardo Porcia, infermieri, që e rroku Papën, për ta vënë mbi barelë. E mbeti me të, derisa u shtrua në Poliklinikën Gemelli. Sot, në mikrofonin tonë, kujton pikërisht atë ditë…

Përgjigje: - Atë ditë isha me shërbim në ambulancën kirurgjike, kur papritmas vjen një komunikim: “Kanë qëlluar Papën! Po hyn në Harkun e Këmbanave për të ardhur tek Mjeku i Rojës!”. Njoftova menjëherë kirurgun, profesor Fedelen, që ishte atë çast me shërbim. Të gjithë, edhe mjekët e tjerë, dolën në mes të rrugës… Arriti xhipi i Atit të Shenjtë…

Pyetje: - Si e jetuat çastin, kur dëgjuat në radio se ishte plagosur Papa?

Përgjigje: - Na u duk gjë e tmerrshme, kur dëgjuam se ishte plagosur Papa. U vu në lëvizje gjithë ambulanca.

Pyetje: - Nga kush u ndihmua së pari, aty për aty?

Përgjigje: - Nga unë. Kishim ambulancën pranë, nxora jashtë barelën dhe e rroka, e shtrëngova në gjoksin tim, ashtu si ishte, mbi xhip, e e vura mbi barelë. Kirurgu pa plagën: duke vlerësuar dëmin e shkaktuar, do të merrej edhe vendimi për ta çuar në Spitalin e Shpirtit Shenjt, ose në Poliklinikën Gemelli… e mbylla plagën e Papës me një shuk garze.

Pyetje: - E pastaj u nisët në Gemelli me ambulancë. Kush ishte aty?

Përgjigje: - Ishte shoferi, kamerieri Gugel, drejtori shëndetësor, Buzzonetti, drejtori i Fasit (Shërbimit Shëndetësor të Vatikanit) kirurgu e unë... Ishim nja gjashtë a shtatë vetë.... Dolëm nga Porta e Shën Anës e shkuam drejt e në Gemelli. Në katin e nëntë. Në vend që të hyja drejtpërdrejt në sallën e operacionit, e lashë në dhomën ku përgatiten pacientët... Ia hoqa të gjitha veshjet, i vura një një saketë plastike e ia dorëzova Gugelit ..

Pyetje: - E takuat përsëri, pas operacionit? Kur vinte të bënte analizat në laboratorin e Vatikanit?

Përgjigje: - Kur vinte atje, më thoshte: “Unë ju njoh!”. Ma tha këtë tri a katër herë. E unë “Eh Shenjtëri, po!”. Por nuk më bënte goja t’i thosha: ‘Jam ai, i asaj dite, kur…”.

Pyetje: - Ç’mbresë ju la Papa i plagosur?
Përgjigje: - Mbresën e një njeriu të vuajtur, por njëkohësisht, edhe të udhëhequr nga Zoti, njeriut të hirit. E ma la në shpirt këtë hir edhe mua, që pata fatin ta mbajë në krahë në çastin më dramatik të jetës së tij!







All the contents on this site are copyrighted ©.