Mesazhi i shpresës i Asia Bibit, me rastin e Pashkëve: shpëtimi do të vijë edhe për
mua
Asia Bibi, gruaja e krishterë e dënuar në Pakistan për blasfemi në vitin 2009, jep
një mesazh të qartë shprese, me rastin e Pashkëve, nëpërmjet faqes së internetit Vatican
Insider: “Besoj me gjithë zemër e me të gjitha forcat e mia se do të ringjallem, shpëtimi
do të vijë edhe për mua”. Por procesi për gjykimin e saj u bllokua për të disatën
herë, pas shtyrjes së seancës gjyqësore, që ishte parashikuar për datën 24 prill.
Përveç saj, këto Pashkë i kremtuan në krahët e vdekjes edhe bashkëshortët Shafkuat
dhe i riu Sawan Masih, të cilët i pret gjithashtu kalvari i gjatë qyqësor. Në lidhje
me këtë argument, Radio Vatikani bisedoi me themeluesin e Shoqatës së të Krishterëve
Pakistanezë në Itali, Mobin Shahid:
Me këtë
rast, fjalët plot shpresë të Asia Bibit janë edhe një shenjë e fortë e fesë që ajo
jeton ditë për ditë. Duke folur për shpresën, që vjen nga Ringjallja e Krishtit, në
këtë kohë Pashkësh, ajo na jep forcë edhe neve, për ta jetuar edhe më mirë fenë dhe
angazhimin në mbrojtje të të krishterëve në mbarë botën. Sot, të krishterët janë grupimi
fetar më i përndjekur në botë dhe shpresojmë se sistemi gjyqësor i Pakistanit do të
marrë vendime reale, për ta liruar Asia Bibin, meqë herën e fundit që u mblodhën gjyqtarët
dhe avokatët e saj, mungonte padia. Ndoshta me të vërtetë po e kuptojnë se kanë dënuar
me vdekje një grua të pafajshme...
Rasti i Asis Abibit është rast emblematik,
por ka edhe të tjerë. Le të kujtojmë ata më të fundit: i riu Sawan Masih, bashkëshortët
Shafqat... Sa peshë kanë ndikimet politike ose fetare për mbylljen e këtyre gjyqeve
për blasfemi?
Në të vërtetë cilido gjykatës apo avokat, që vë dorë në rastet
e shpërdorimeve me ligjin për blasfeminë, merr kërcënime nga anëtarët e grupeve ose
partive fetare ekstremiste islamike, ku bën pjesë edhe Tarek-i-Taleban Pakistan. Ata
i kanë të gjitha mjetet për të ushtruar presion jo vetëm ndaj të krishterëve, por
edhe kundër çdo lloj qeverie, që synon t’ua njohë të drejtat qytetarëve të vet. I
detyrojnë të braktisin pronat dhe i mënjanojnë, sepse sot shpërdorimi i ligjit për
blasfeminë prek ata të krishterë ose induistë, që arrijnë të ngjisin shkallët e shoqërisë,
falë shkollimit.
Të kujtojmë se janë të paktën 14 vetë në krahët e vdekjes,
të cilët presin vendimin e dënimit, gjithnjë me padinë për blasfemi. Atëherë lind
pyetja: si i jeton pashkët një i krishterë në një burg pakistanez? Një i krishterë
mbi të cilin rëndon kjo padi e tmerrshme?
I jeton pashkët me një farë sigurie,
por, sigurisht, larg familjes, pa mundësinë për të shkuar në meshë, pa e marrë Sakramentin.
Pra, jeton në kushte burgimi. Por e vërteta është se, në gjendjen e tanishme, pyes,
sa të krishterë pakistanezë, që jetojnë në shtëpitë e veta dhe e kanë mundësinë për
ta kremtuar Ringjalljen e Zotit tonë në ditën e Pashkëve, ndjehen të lirë dhe mund
të ndjehen të sigurtë.
Bashkësia ndërkombëtare vijon t’i ndjekë me shumë
vëmendje këto raste, por ndoshta duhet bërë diçka më shumë në rrafshin praktik?
Bashkësia
ndërkombëtare mund ta ngrejë zërin, mund të flasë për këtë rast, mund të garantojë
një farë mështetjeje politike, të gjejë mënyrën për t’i mbështetur familjet, por mund
të bëjë edhe më shumë. Në rrafshin e jurisdiksionit ndërkombëtar, Pakishtanit mund
dhe duhet t’i kërkohet të respektojë angazhimet e nënshkruara në OKB, sipas të cilave
duhet t’u garantojë mbrojtje të gjithë qytetarëve.