2014-04-22 15:36:07

Kardinali Sepe në Moskë, për t’u takuar me patriarkun Kirill


Kardinali Kreshencio Sepe, kryeipeshkvi i Napolit, fillon sot një vizitë në Moskë, për t’u takuar me patriarkun e Kishës ortodokse ruse, Kirill. Prelati katolik do të shoqërohet nga 50 shtegtarë dhe shumë meshtarë. Nuk është hera e parë që kryeipeshkvi i Napolit shkon në Moskë. Më 1 tetor 2008 takoi patriarkun Aleksej II, ndërsa në tetor të 2007-ës, i dorëzoi vetë Kirillit (akoma jo patriark) çelësat e kishës pranë universitetit të qytetit, të cilën katolikët ua dhanë për përdorim ortodoksëve napoletanë. Me atë rast, po në Napoli, u mbajt edhe lutja e paqes, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, ku morën pjesë krerë të të gjitha feve të botës. Kësaj radhe, kardinali Sepe do t’i dhurojë patriarkut Kirill një skulpturë në terrakotë, lyer me efekte ngjyrë bronxi, siç bëhej në vitet 1600. Kjo skulpturë pasqyron shën Gjenarin, që mban në dorë Ungjillin, mbi të cilin qëndrojnë dy ampula.








All the contents on this site are copyrighted ©.