E quajtën Anxhelo, i ati dhe e ëma, atë pasdite të ftohtë e me erë, kur lindi. E pikërsht
atë ditë famullitari e pagëzoi. Ishte 25 nëntori i vitit të largët 1881. Nënës Mariana
e babait Batista, që të dy 28 vjeç, Zoti u kishte falur tri vajza: Maria Katerinën
(që asokohe ishte 4 vjeçe), Terezën (2 vjeçe) e Ançilën (një vjeçe). Atë ditë në derën
e tyre kishte lindur mashkulli i parë e si i ati, Batista, ashtu xhaxhai, Saveri,
qenë dakord ta pagëzonin menjëherë, që të bëhej ‘bir i Zotit”. Karvani i familjarëve,
me ferishte, si deng i vogël leshi, në krahë, mbërrijti shpejt në Kishën e Zojës së
Ngjitur në Qiell. Famullitarin, don Rebucini, e kishin thirrur për një të sëmurë,
por gjithsesi ia behu pas pak minutash. E nisi sakrestanin për t’i rënë këmbanës,
vuri stolën e bardhë, i shtrëngoi dorën atit e nënës e i pyeti: “Ç’emër do t’i vëmë?”.
Batista, që ishte marrë vesh prej kohe me Marianën, u përgjigj aty për aty: “Angelo
Giuseppe - Engjëll Zef”. Pak minuta më pas, duke derdhur një fill uji mbi kokën
e vogël të foshnjës, famullitari shqiptoi formulën, që të krishterët e përsërisin
që prej dymijë vjetësh në raste të tilla: “Engjëll-Zef, unë po të pagëzoj në emër
të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt”. Pastaj e vuri stolën e tij të bardhë mbi
ferishten, humbur në shpërgënj e i tha: “Merre petkun e bardhë e çoje pa asnjë dangë
para gjykatës së Zotit tonë, për të pasur prej Tij jetën e pasosur”. 22 vjet më
vonë, duke u përgatitur të bëhej prift, Anxhelo Ronkali do të shkruante: xhaxhai im,
plaku i mirë Saveri, sapo u pagëzova, më kushtoi aty, në kishën e vendit tim, Zemrës
së Krishtit, që nën mbrojtjen e Saj të rritesha si i krishterë i mirë. Më kujtohet
se lutja e parë, e mësuar në gjunjtë e atij njeriu shpirtmirë, ishte urata zhgjetore,
që më pëlqen aq shumë ta përsëris: “Zemra e Krishtit, Zotit tonë, ban që të duem ma
fort gjithmonë!”. Atë pasdite të akullt të 25 nëntorit këmbana e kishës së Nënmalit
kumbonte fort. I kumtonte atij grushti fshatarësh se Zoti i kishte shtuar me djalë.
Shtëpia ku banonin Ronkalët, aty pranë ishte e varfër, pa pikë rëndësie, si ndonjë
nga shpellat e Betlehemit.