2014-04-22 16:39:43

Dy papë shenjtorë, sipas tregimit të postulatorëve


Shenjtëria e dy figurave shpirtërore me peshë të madhe: ky është fillimi dhe qendra e rrugëtimit që do të bëjnë besimtarët deri ditën e diel. Shenjtëri, erën e mirë të së cilës e kanë ndjerë mijëra besimtarë nga mbarë bota, në rastin e Papës Roncalli qysh më 3 qershor 1963, menjëherë pas vdekjes së tij. Kështu tha postulatori i çështjes së kanonizimit të të Lumit Gjonit XXIII, atë Giovan Giuseppe Califano. Shenjtëria e Roncallit ishte një angazhim për të cilin ai u kujdes në çdo çast të jetës: si meshtar, si ipeshkëv e si Papë dhe e përtëriu gjithminë, me katër vendime:RealAudioMP3
“Si i ri seminarist, në moshën 15 vjeçare, shkruante: ‘Shpreh edhe një herë synimin për t’u bërë shenjt me të vërtetë, nëpërmjet këtyre katër vendimeve që do të zbatoj: të jem i bashkuar shpirtërisht me Jezusin; të përqëndrohem në zemrën e tij, të them rruzaren, të jem gjithmonë i vetëdijshëm në të gjitha veprimet që kryej’”.
Shenjtëria e tij, pohon atë Califano, karakterizohej nga përvujtëria e thellë dhe lëshimi në duart e Provanisë. Shenjtëri e thjeshtë dhe përfshirëse, e lexueshme dhe e butë. “Hyji është gjithçka, unë nuk jam asgjë: kjo më mjafton”: kështu thoshte në fund të ditës Roncalli. Një figurë vigane prej shenjtori, të cilën Atë Califano e përmbledh në dy binome. I pari: bari e atë, me një atësi që mallëngjeu botën, plot hare e përzemërsi, cilësi që do të çojnë drejt përkufizimit: “Papa i mirë”:
“I hapi Kishës horizonte të reja me shpalljen e Sinodit për Dioqezën e Romës dhe me Koncilin II ekumenik të Vatikanit. Ishte i aftë të komunikonte, duke parapëlqyer format e thjeshta dhe të kapshme, me shembuj nga jeta e përditshme, dhe ia doli t’u hynte njerëzve në zemër menjëherë”.
Por, shprehja “Papa i mirë”, shton Atë Califano, duhet kuptuar ashtu siç e tha Papa Pali VI, pasardhësi i Roncallit:
“Nuk ishte një mirësi e përgjithshme, që zbatohej kollaj, por sinonim i dashurisë, i zhenisë baritore, i aftësisë për të kuptuar, për të falur, për të ngushëlluar; në të vërtetë, ashtu siç na e tregon Ungjilli Jezusin”.
Binomi tjetër për të përmbledhur figurën e Papës Roncalli është “bindja dhe paqja”, motoja episkopale, por edhe sinteza e jetës dhe e shërbimit ndaj Kishës:
“Largimi nga toka e vet, ballafaqimi me botën që nuk njihte, edhe në vendet ku prania e katolikëve ishte fare e vogël. Kjo bindje e lejoi të braktisej me besim në duart e Provanisë Hyjnore, të shkëputej nga vetvetja dhe të bashkohej plotësisht me Krishtin. Këtu gjendet burimi i vërtetë i mirësisë së Papës Gjoni XXIII, i paqes që përhapi në botë; këtu gjendet rrënja e shenjtërisë së tij: në bindjen ungjillore ndaj zërit të Zotit të vet”.
Duke përshkruar intuitën e burimore të shenjtërisë së Gjon Palit II, Imzot Slawomir Oder citon shokët e universitetit, të cilët shkruan në dhomën e Karolit: “Shenjti i ardhshëm”, sepse u kishte bërë përshtypje përkushtimi i tij në lutje dhe përsiatja mbi vlerën e jetës, që lidhet, shpjegon Imzot Oder, me fëmijërinë e tij të vuajtur për shkak të humbjes, brenda një kohe të shkurtër, të gjithë familjes:
“Ndoshta pikërisht ky angazhim i tij për t’i dhënë peshë cilësore jetës me anë të dashurisë ishte ajo anë, që i bënte njerëzit ta vërenin shenjtërinë në jetën e tij”.
Tri ishin figurat shpirtërore të rëndësishme, shpjegon Imzot Oder, që formuan tek Gjon Pali II fenë mariane: i ati, rrobaqepësi i thjeshtë nga Krakova, të cilin e quanin “Apostulli” dhe ipeshkvi i atëhershëm i Krakovës, që e pranoi në seminar. Atyre u detyrohet feja e thjeshtë dhe popullore, ana e përbashkët e dy papëve, që do të shpallen shenjtorë të dielën: thellësia mistike dhe guximi për t’u përballur me kundërshtitë.
“Kishte nevojë për njerëzit, për Kishën e gjallë, të thjeshtë, për ta ndjerë fenë e tyre dhe për t’u ushqyer me këtë fe. Ndërsa thellësia mistike e Gjon Palit II e shtynte atë ta jetonte personalisht misterin e Hyjit. E kjo është qendra e shenjtërisë së Gjon Palit II. Nëse duam të gjejmë fjalën që karakterizon një Shenjtor, është kjo: “njeri i Hyjit”. Ai qe një njeri që diti të gjente tek Hyji burimin e jetës. Lutja ishte për të frymëmarrja, uji, buka e përditshme”.
Detyra e Papës, si detyrë e Kishës – përsëriste Gjon Pali II – është ungjillëzimi dhe shenjtërimi i të gjithëve. Nëse, që i ri, Gjon Pali II kishte përvetësuar mesazhin e Mëshirës Hyjnore – sqaron imzot Oder – për të ishte e rëndësishme të paguante detyrimin për dashurinë e marrë. Ky është çelësi për të kuptuar tërë jetën e tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.