2014-04-21 15:54:01

Papa Françesku në Mbretëreshën Qiellore: Ngjallja depërtoftë në zemrat tona e në jetët tona


“Mahnitja gazmore e së Dielës së Pashkëve rrezatoftë në mendimet, shikimet, sjelljet, gjestet, fjalët”. Është urimi i Papës Françesku, sot në mesditë, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, ditën kur Ungjilli kujton sesi gratë, si e morën lajmin e ngjalljes, ngarendën për t’ua dhënë dishepujve.RealAudioMP3
E Hëna e Engjëllit, tha Papa Françesku, është dita në të cilën zgjatet gëzimi i Ngjalljes së Krishtit:
Të dashur vëllezër e motra, për shumë vjet Pashkët! Cristòs anèsti! –Alethòs anèsti. Krishti u ngjall! Me të vërtetë u ngjall! Është mes nesh, këtu, në shesh!”.
Këtë javë, shtoi Ati i Shenjtë, mund të vijojmë shkëmbimin e urimeve të Pashkëve, si të ishte një ditë e vetme. Në rrëfimet ungjillore të Ngjalljes, shpjegoi, ndjenja sunduese është gëzimi plot mahnitje:
“Ta lëmë këtë përvojë, të ngulitur në Ungjill, të ngulitet edhe në zemrat tona e të depërtojë në jetën tonë. Ta lëmë mahnitjen gazmore të së Dielës së Pashkëve të rrezatojë në mendimet, shikimet, sjellet, gjestet e fjalët…”.
E kjo nuk është diçka artificiale, nuk është sajim, nuk është truk:
“Vjen nga brenda, nga një zemër e kredhur në burimin e këtij gëzimi, si ajo e Marisë Magdalenë, që qau për humbjen e Zotërisë së saj e nuk u besonte syve, duke e parë të ngjallur”.
Kush e kalon këtë përvojë, tha Papa, bëhet dëshmitar i Ngjalljes:
“Sepse në një farë kuptimi ngjallet edhe ai vetë, ngjallet edhe ajo vetë. Atëherë është në gjendje të çojë një rreze nga drita e të Ngjallurit në situatat e ndryshme njerëzore: duke i bërë edhe më të bukura të lumet e duke i ruajtur nga egoizmi; duke çuar qetësi e shpresë, në të dhimbshmet”.
Në këtë Javë, shtoi Papa, na bën mirë ta marrim në dorë Ungjillin, ta shfletojmë:
“E t’i lexojmë ata kapituj, që flasin për Ngjalljen e Jezusit. Na bën shumë mirë! Ta marrim librin, t’i kërkojmë kapitujt e t’i lexojmë. Na bën mirë, në këtë Javë, edhe të mendojmë për gëzimin e Marisë, Nënës së Jezusit”.
Papa i nxiti, kështu, besimtarët, të mendojnë edhe për gëzimin e Marisë:
“Ashtu si dhimbja e saj ishte intime, aq sa t’ia shporonte shpirtin, kështu edhe gëzimi ishte intim e i thellë, e prej saj mund të kalonte edhe në zemrat e dishepujve”.
Zemra e Marisë, përfundoi Papa Françesku, është gurrë e paqes:
“Duke kaluar përmes përvojës së vdekjes e të ngjalljes së Birit të saj, parë, në fe, si shprehja më e qartë e dashurisë së Hyjit, zemra e Marisë u bë gurrë e paqes, e ngushëllimit, e shpresës, e mëshirës”.
Pas Mbretëreshës Qiellore, Papa u drejtoi një përshëndetje të përzemërt gjithë shtegtarëve, ardhur nga Italia e nga vende të ndryshme dhe i nxiti, edhe një herë, të lexojnë ndonjë nga kapitujt e Ungjillit, ku flitet për Ngjalljen e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.