Pashkët në Jeruzalem: nga Varri i zbrazët lind një dritë e re
Mesha e Pashkëve u kremtua dje në mëngjes, në Bazilikën e Varrit të Shenjtë në Jeruzalem,
sipas marrëveshjes së status quo. Të pranishëm, mijëra besimtarë. Kremtimi i sivjetëm
pati një kuptim të posaçëm në Tokën e Shenjtë, për shak të përkimit Pashkëve katolike
e ortodokse, në të njëjtën të diel: simbol plot shpresë, ky. Françeskani Frédéric
Manns, profesor pranë Studium Biblicum Franciscanum në Jeruzalem, na flet për
atmosferën, në të cilën u kremtuan Pashkët, në viset ku Jezusi u kryqëzua, u varros
e u ngjall prej të vdekurve:
Përgjigje:
- Sapo të hysh në Bazilikë, ndjen një aromë të fortë, që përhapet nga guri
i vajimit e na kujton thirjen tonë. Është thirrja e grave-mirofore, për t’i çuar parfumin
Krishtit. Kisha e kremton Ngjalljen e Zotit, në vendin, që quhet Anastasis. Ne flasim
për Varrin e Shenjtë, po grekët e lindorët flasin gjithnjë për Anastasis. Nga Varri
buron drita e vërtetë e që aty ipeshkvi shpall Ungjillin e Zotit, që ngjallet prej
së vdekurish. Pastaj, Kisha mediton gjithë mrekullitë e Zotit, duke rilexuar Shkrimin
Shenjt: shtatë lexime. Anëtarët e rinjt të Kishës, të ringjallur nga gurra e Pagëzimit,
janë të ftuar në sofrën e Zotit. Është Zoti i ngjallur Ai, që jep jetën e edhe dhuratën
e Shpirtit Shenjt. Këtë mister Pashkësh e jetuam rishtas në kremtimin e Eukaristisë.
Kemi, kështu, të tre elementet e kerygmës: Krishti vdiq për ne; Krishti u ngjall për
shfajsimin tonë; Krishti na i fal mëkatet në Pagëzim.
Pyetje: -
Diçka për atmosferën e kremtimit të sivjetëm?
Përgjigje: Kremtimi
u ndoq nga një turmë jashtëzakonisht e madhe. Gjëja më e bukur e liturgjisë së Jeruzalemit
është se nga Varri del drita e re. Kjo është risia e parë e kremtimit të Pashkëve
në Jeruzalem. E dyta risi: sipas traditës shumëvjeçare, që vjen në kohët tona nga
Egjeria (shek IV pas Krishtit), Ungjillin e shpall vetë ipeshkvi e jo diakoni. E shpallja
bëhet para edikolës së Ngjalljes. Prej këndej simbolizmi i ditës është vërtet i rëndësishëm:
na kujton se Zoti krijoi dritën, se njeriu u vesh me dritë e se të gjithë duhet të
jemi bijtë e dritës.
Pyetje: - Ç’ mesazh rrezaton Toka e Shenjtë
për mbarë njerëzimin?
Përgjigje: - Mesazhin, që shprehet qartë
në Exultet, ftesën për gëzim. Kjo është Pashka e vërtetë, në të cilën flijohet Qengji
i vërtetë, që me gjakun e vet shenjtëron shtëpitë e besimtarëve; kjo është dita, në
të cilën Zoti i çliroi bijtë e Izraelit, etërit tanë, nga skllavëria dhe i bëri të
kapërcejnë Detin e Kuq. Kjo është dita, në të cilën errësira e mëkatit u mund me
shkëlqimin e shtyllës së dritës. Kjo është dita, që i shpëton të gjithë besimtarët
në Krishtin, nga errësira e mëkatit e kalbja e botës. Krishti na kujton: “Ju prij
në Galile!”. Është i gjallë, u ngjall!”. Mesazhi i Pashkëve është se Zoti krijon tokë
të re, qiell të ri e njerëz të rinj.