2014-04-20 15:19:32

Pashkë 2014: në Sheshin e Shën Pjetrit shkel pranvera


Sot, në Mesazhin drejtuar Romës e Botës, Papa Françesku shprehu mirënjohjen e tij të thellë për lulet e mrekullueshme, ardhur nga Vendet e Ulëta, që zbukurojnë Bazilikën e Shën Pjetrit, me rastin e solemnitetit të Pashkëve:
Një mendim i posaçëm e plot mirënjohje për dhuratën e luleve të bukura, që vijnë nga Vendet e Ulëta”- theksoi.
Kanë kaluar 29 vjet nga Pashkët e para, kur Sheshi i Shën Pjetrit u stolis me lule shumëngjyrëshe, ardhur nga Holanda. Zbukurimi me lulet e para të pranverës e me drunj dekorativë kopshti, tashmë tradicional, nisi në vitin 1985. Ndërmjet ngjyrave të shumta, spikasin ngjyrat e Vatikanit, e bardha dhe e verdha. E harmonia e pranverës, duket sikur merr pjesë në shpalljen me forcë të re të lajmit të ringjalljes, të dritës e të gëzimit, që buron nga Pashkët e Krishtit.
Një grup prej 30 mjeshtrash nga sektori holandez i florikulturës, punuan me ritëm të plotë, për t’i mbuluar shkallët e gurta të tremes së Bazilikës, me bar të njomë, mbi të cilin sivjet mbollën 35.000 lule, bimë e drunj, në lulëzim të harlisur. Dhjetra kompozicione renditen rreth elterit, mbi shkallët e mbi ballkonin, prej nga Papa i drejtoi mbarë botës mesazhin e Ngjalljes së Krishtit. Harmonizohen me hijeshi të jashtëzakonshme bimët zbukuruese, që nga zymbylat ngjyrë trëndafili, të bardhë, vjollcë, blu, tek tulipanet me të njëjtat ngjyra, që lulëzojnë pranë e pranë me narcizet, azaletë, pastaj me kumbullat e drunjtë e tjerë, përplot me lule, me lartësi deri në 4 metra.
Shkëlqim e forcë i jep kjo pranverë në miniaturë, Sheshit madhështor, shumëshekullor, që ka parë aq shumë papë, kardinaj, ipeshkvij, kremtime, lule, njerëz… E edhe shumë shenjtorë. E sivjet, po shikon për herë të dytë në Lozhën e Bekimeve, Papën Bergolio, Françeskun.
Miliona teleshikues nga mbarë bota ndjekin çdo vit kremtimin e Meshës Shenjte të Pashkëve. Me këtë rast, mund të admirojnë edhe shkëlqimin e forcën e madhe emocionuese, që kanë lulet e pemët zbukuruese. Me dy fjalë, Mesha e Pashkëve kremtohet në një skenografi, e cila i nderon kultivuesit holandezë të luleve, që kënaqin këto ditë mbarë botën, drejpërdrejt e në televizion.
Grupi i kopshtarëve holandezë, si zakonisht, u nis që të Martën e Madhe nga Holanda, për të arritur në Romë të Premten e Madhe, së bashku me lulet, transportuar në ajër të kushtëzuar. Nisi menjëherë shkarkimi i bimëve, për të përfunduar në orën 6.00 të së Shtundes së Madhe, kur u krijuan kompozimet vërtet mahnitëse. Mjeshtri i parë, realizues i një skenografie të tillë, është kompozitori i luleve Nic van der Voort, ftuar në Romë me rastin e lumnimit të meshtarit holandez, Titus Brandsma, zëvendësuar sivjet nga i vëllai, Charles van der Voort. Që atëherë lindi tradita e zbukurimit të Sheshit të Shën Pjetrit, në përkim të përvitshëm me mesazhin, plot me shpresën e një pranvere të re, sidomos shpirtërore, të solemnitetit të Pashkëve. Një nga anëtarët e grupit, duke parë lulet tashmë të çelura pikërisht në kohën e duhur, u shpreh kështu: “Puna jonë është si ajo e një bande muzikore, një orkestre, e cila mblidhet një herë në vit për të shoqëruar një kremtim solemn e gazmor, ndjekur prej miliona shikuesve nga mbarë bota”.







All the contents on this site are copyrighted ©.