2014-04-20 15:19:53

Françesku në mesazhin Urbi et Orbi, Romës e Botës: “Dashuria bën të lulëzojë shpresa në shkretëtirë”


Dashuria bën të lulëzojë shpresa në shkretëtirë”: me këtë siguri plot gëzim në zemër, në ditën e Pashkëve, Papa Françesku u lut të marrë fund çdo luftë e çdo armiqësi në botë e Zoti t’i ngushëllojë të gjithë njerëzit, që vujanë. Zëri i Atit të Shenjtë jehoi përsëri me forcë, nga lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit, në mesazhin tradicional “Urbi et Orbi” – “Romës e Botës”, drejtuar pas Meshës, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, turmës pa fund të besimtarëve, që ishin dyndur sot në Shesh, duke mbushur përplot edhe Rrugën e Pajtimit. Në Qytetin e Amshuar ndjehej fort fryma e Ngjalljes së Zotit! RealAudioMP3

“Krishti u ngjall… ejani e shikoni. Ky është kumti i Ungjillit, është vetë Lajmi i Mirë, në bazë të fesë sonë e të shpresës sonë, kujtoi Françesku:
“Nëse Krishti nuk do të ishte ngjallur, Krishterimi do ta humbiste vlerën e tij; gjithë misionit të Kishës do t’i sosej frymëzimi, sepse prej aty u nis e riniset gjithnjë”.
Ky është mesazhi, që të krishterët ia përcjellin botës:
“Jezusi, Dashuria, ngadhënjeu mbi urrejtjen, mëshira mbi mëkatin, e mira mbi të keqen, e vërteta mbi gënjeshtrën, jeta mbi vdekjen”.
Prandaj, në çdo situatë njerëzore, mbi të cilën rëndon mëkati e brishtësia, Lajmi i Mirë nuk është thjesht fjalë, por dëshmi e dashurisë besnike, pa asnjë shpërblim:
“…është dalje nga vetvetja, për të shkuar e për të takuar tjetrin, është të jesh pranë të plagosurit nga jeta, të ndash gjithçka me njeriun, që i mungojnë gjërat më të nevojshme; t’i rrish pranë të sëmurit, plakut, të braktisurit”.
Kjo siguri, plot gëzim, e mbush plot zemrën e çdo të krishteri:
“Dashuria është më e fortë, Dashuria jep jetë, Dashuria bën të lulëzojë shpresa në shkreti”.
Me këtë siguri të gëzueshme në zemër, sot të drejtohemi ty, o Zot i Ngjallur, vijoi Papa, duke iu lutur Krishtit të na ndihmojë për ta shëruar plagën e urisë, rënduar nga konfliktet dhe shpërdorimet e pamasa, për të cilat shpesh jemi fajtorë; për të mbrojtur të pambrojturit, posaçërisht fëmijët, gratë, pleqtë, shpesh objekt i shfrytëzimit e i braktisjes; për t’i mjekuar vëllezërit e goditur nga epidemia e ebolës në Guine, Sierra Leone e Liberi, e edhe të tjerët, të prekur nga sëmundjet, që përhapen edhe për shkak të mungesës së mjekimeve e të varfërisë së plotë; për t’i ngushëlluar ata, që sot nuk mund t’i kremtojnë Pashkët me të dashurit, sepse të detyruar të shkëputen padrejtësisht nga dashuria e tyre, ashtu edhe njerëzit e tjerë të shumtë, meshtarë e laikë, të rrëmbyer në vende të ndryshme të botës:
“Të lutemi, o Jezus i lumnueshëm, premto të pushojë çdo luftë, çdo armiqësi e madhe a e vogël, e vjetër a e re”.
Françesku nuk i harroi vendet e shumta, të tronditura nga konfliktet e përçarjet, posaçërisht Sirinë, duke bërë thirrje për ata që vuajnë, që të mund të marrin ndihmat e nevojshme humanitare:
“…e palët në ndeshje të mos e përdorin më forcën për të mbjellë vdekje, posaçërisht kundër popullsive të pambrojtura, por të kenë guximin të bisedojnë për paqen, që pritet tashmë prej shumë kohe”.
E akoma, i lypi Zotit ngushëllim për viktimat e dhunës vëllavrasëse në Irak e mbështetje për shpresat, që ngjalli rifillimi i bisedimeve ndërmjet izraelitëve e palestinezëve.
Në vijim, lutja që të marrin fund ndeshjet në Republikën Qendrafrikane e të ndalen atentatet e egra terroriste në disa zona të Nigerisë e dhuna në Sudanin e Jugut e që
shpirtrat të kërkojnë pajtimin e harmoninë vëllazërore në Venezuelë.
Pastaj, një mendim i veçantë për Ukrainën:
“ që të gjitha palët e interesuara, të ndihmuara nga Bashkësia Ndërkombëtare, të rifillojnë përpjekjet për ta ndaluar dhunën e për të ndërtuar, me shpirtin e unitetit e të dialogut, ardhmërinë e vendit”.
Në përfundim, lutja për mbarë botën:
“Për të gjithë popujt e Tokës, të lutemi, o Zot: Ti, që ngadhënjeve mbi vdekjen, na e jep jetën tënde, na e jep paqen tënde!”.
Në përfundim, urimi drejtuar mbarë besimtarëve të botës, me të cilin ne e nisëm programin tonë të sotëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.