2014-04-19 12:51:05

Mesazhi i Pashkëve i imzot Dodë Gjergjit


Ndërsa përgatitet të kremtojë Natën Solemne të Pashkëve dhe Meshën e Ngjalljes së Krishtit, ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, u bën urimet besimtarëve katolikë. Ta dëgjojmë…RealAudioMP3


Fort të dashur vëllezër e motra, në Krishtin e Ringjallur!

Përvoja kreshmore e agjërimit, e lutjes dhe lëmoshës, sigurisht ka qenë një mundësi e mirë për të zbritur në thellësinë e misterit të fesë. Nëpërmjet agjërimit kemi sprovuar fenë tonë dhe zotësinë shpirtërore për t’u shkëputur nga të mirat e përkohshme që të dëshmojmë se në tërësi i takojmë Zotit. Nëpërmjet lutjes së përditshme kemi pasur mundësi t’ia kushtojmë këtë sakrificë Hyjit të gjallë, e sidomos në përvojën e lutjes meditative kemi mbërri të zbresim në ligështitë dhe mangësitë tona, po edhe të lartësohemi shpirtërisht në praninë e Zotit, duke e njohur Atë, nëpërmjet Shpirtit Shenjt, në vëllezërit dhe motrat tanë në nevojë.
Këto tri vepra, në dritën e fesë, na kanë mundësuar ta njohim Krishtin e Ringjallur në festën e “thyerjes së bukës” - Ditën e Pashkëve.
Me gëzimin e nxënësve të Emausit, edhe ne vrapojmë për t’u bashkuar me vëllezër nëpër kisha tona, që ta bashkëndajmë këtë gëzim hyjnor dhe t’i shpallim njëri-tjetrit lajmin e gëzueshëm “Me të vërtetë u ngjallë...!” (Lk 24, 35). Këtë lajmë të mirë duami, po ashtu, t’ua shpallim të gjithë njerëzve vullnetmirë që, duke besuar, të mund ta shijojnë këtë gëzimin në zemrat e tyre. Gëzim i cili është si gurrë dashurie e zemrës për Zotin dhe për njeriun. Kjo dashuri e forcon shpresën dhe e shton besimin se ne nuk jemi më të bijtë e vdekjes, por të Zotit të gjallë, i cili me ringjalljen e vet na dhurojë të gjithëve pavdekësinë.
Festa e Pashkëve nuk është një histori, me të cilën mburren të krishterët, por është takim me Personin e Krishtit të gjallë, në të cilin “Hyjit i pëlqeu të banojë në Të e tërë Plotësia dhe, me anë të Tij, duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit [të Tij] të pajtojë me vete gjithçka qoftë në tokë qoftë në qiell” (Kol 1, 19-20). Takimi dhe miqësia e sinqertë me Krishtin e Ringjallur është dhurata më e madhe që Zoti ka përgatitë për ne, sepse nëpër Të zbrazet mbi ne plotësia e hirit dhe e dhuntive që na shndërrojnë në njerëz të ri, të cilët e ndryshojnë vetën dhe e bëjnë botën më të mirë.

Vëllezër dhe motra fort të dashur,
me anë të gjakut të bijave dhe të bijave të këtij vendi ne e fituam paqen në Kosovë. Por sipas asaj që shohim dhe përjetojmë, duket se jemi ende në “luftë me njeri tjetrin”, sepse na mungon paqja e brendshme e shpirtit, na mungon gëzimi i zemrës dhe, mbi gjitha, na mungon dashuria e përkryer, e cila na shndërron në vëllezër. Këndej edhe shpeshherë mendohet se gjithçka që është arritur, është mëritë e atyre që janë gjallë. Në anën tjetër, është krijuar një mendësi që paqja dhe e vërteta është pronë e dikuj, të cilën duhet ta marrim nëpërmjet denoncimeve dhe akuzave publike, kundërshtimeve pa arsye ose pëlqimeve pa bindje. Kjo mënyrë e trajtimit të paqes pa dashuri, pa sinqeritet dhe pa pajtim, bënë më të hidhur paqen e sotme se sa luftën e djeshme.
Neve besimtarëve që e kemi përqafuar kryqin e Krishtit, kjo gjendje na shtyn t’i bëjmë një “shtrëngim” ma të fortë Krishtit të kryqëzuar, ta vejmë të gjithë shpresën në Të dhe ta falënderojmë për dashurinë dhe paqen e shpirtit që na i ka dhuruar. Sepse Hyji për të na pajtuar me vete e ka sakrifikuar Birin, e gjaku i Tij është derdhë për pajtimin dhe paqësimin tonë. Nëpërmjet Tij, të vdekur dhe të ringjallur për ne, kemi paqen e shpirtit, sepse si në luftë e si në mungesë të saj, ne jetojmë në paqe me Zotin, me vetveten dhe me të tjerët, pasi e kemi fuqinë e brendshme që miqtë e luftës mos t’i harrojmë, kurse armiqtë, duke i falur, t’i shndërrojmë në miq të rinj, mu ashtu sikur Krishti i shndërrojë në miq ata që e kryqëzonin, me britmën e Tij prej Kryqit: “Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë”! (Lk 23, 34).
Kisha nuk do të pushojë kurrë të lutet, që paqja e brendshme e shpirtit dhe dashuria e përkryer e Krishtit, të prekë gjithë njerëzit në Kosovë, që të kemi paqen si fryt pajtimi e jo si fitore mbi njëri-tjetrin.
Po ashtu e lus të Ringjallurin që të na mbushë zemrat me dashuri që të jemi të gjithë njerëz të ndershëm, besimtarë besnik, qytetar të përgjegjshëm, prindër të mirë dhe familje e shenjtë dhe të kemi mundësi t’i gëzojmë të mirat që i kemi dhe të ardhmen që na pret, të lumtur dhe të gëzueshëm.
Për shumë mot Pashkët!

Ipeshkvi i Juaj
+ Dodë Gjergji









All the contents on this site are copyrighted ©.