2014-04-19 17:57:21

Atë Gjergj Fishta: Mater Dolorosa


1 Pezull n’mjet tokës e qiellit,
Atje mbi krep t’Golgotit,
N’per ag t’pergjakshem t’diellit
Ulë kryet i Biri i Zotit,
Masi me ‘i zâ t’pushtueshem
Dha shpirtin e hyjnueshem
Nder duer të Atit t’ vet.

2 E Ama, zbé si qiri,
Prej dhimbet bâmun guer,
E sheh kah kryet i Biri
E ulë permbi krahnuer:
E sheh, e mâ fort zêmra
I therë atëbotë, e thêmra,
Tu’ u dridhë, mâ m’tokë s’i shklet.

3 Por, kah s’don me mendue
Se i biri shpirt ka dhânun,
I kandet me kujtue
Se Ai don ndo’ i fjalë me i thânun;
Prandej me dashtuní,
I qaset Krygjes s’Ti
E i thotë plot ambelcim:

4 Qe Nana jote, o Djalë!
Qe Nâna, o Bir, ngjat teje !
A don me m’thânë ndo’ i fjalë,
Qi ule kryet prej meje? -
Po a fort gojen t’idhnuene
Me atë tamth, qi tash t’a kuene
Kta njerz të lém n’verbim?-

5 - Por m’Kryq i Biri shuete,
E veç nji ushtimë termetit
Qi t’dekunt n’vorr i shquete,
Qi tundte ujët e detit.
Qi male e krepa çáte,
Qi n’tempull tisin dáte,
Per Tê t’pergjegjun kjè!

6 U dridh atëbotë e Ama,
Por krejt s’e la shpëresa;
E tue shungllue enè gjâma,
Tu’ u trandë e dheut ndertesa,
Me dorë kamben i a prekë,
N’uzdajë se nuk ka hjekë,
Se shpírt s’ka dhânë enè.

7 Por se me dorë tue ndî’.
Se kamba ftohun ishte
Me gjak e cilla isht’rî,
Tue pá se Djalë mâ s’kishte,
“Ahi” fshâni ‘i herë prej dhimbet,
E, si nji dritë kah shkimet,
Gadi nen Kryq u pak.

8 E páne Êjët të qielli
E ftyren me fletë mbluene;
U muz mâ kobshem dielli,
Humneret prap gjimuene:
I Amshuemi, edhe Atê e pá,
E dhimbë per Tê i rá,
E mnís atë herë vû cak.

9 U vesh në zí natyra,
Bregut u thane plepat,
U vrâ e qiellës pasqyra,
Plasen prap dhimbet krepat,
E u veshken fushës zymbylat,
E u eshten n’mal bylbylat:
Mbarë rruzullimi ankoi.

10 Vetë Rromakut gjaksuer
Qi t’Bir ‘n i a bâni t’dekun,
Zêmra i gufoi n’krahnuer,
Ashtû ka’ e pá të lmekun;
E kah prej malit zdrypi
Ai t’Lumit mshirë i lypi,
Pse aq t’dhimbshme Nânë mjeroi.

11 Veç ti, moj zêmra e ême,
Veç ti të lodhët nuk ké,
E, egersue, nuk trême
Ashtû ka’ e sheh ti zbé,
Njatê, qi kje nder bija
Si li lnder kulumrija
Si drita kúr agon.

12 Po kje se ti nuk pihe
N’gjith ketë mjerí t’shemtueme,
Po kje se ti nuk shkrîhe
Kah sheh sa atë Nânë t’bekueme
Heshtat zêmren i a therin,
Mâ t’fortë se ty mermerin,
M’kallzo se kû kerkon?



Atë Gjergj Fishta, ‘Vallja e Parrizit’, Rilindja, Prishtinë 1997, fq 247-250.













All the contents on this site are copyrighted ©.