2014-04-18 14:48:17

Udha e Kryqit kryesuar nga Papa në Koloseum 2014: asnjë vuajtje nuk është e kotë


E Premtja e Madhe, 18 prill 2014, në Koloseum. E Premtja e Madhe në rrjedhë vitesh, në udhët e Shqipërisë, e në transmetimet e programit shqip të Radio Vatikanit, kur hynte përmes telave me gjemba, si i vetmi zë, që u kujtonte shqiptarëve se Krishti kryqëzohej përsëri, por edhe ngjalljej përsëri. Në ato kohë vdekjeje, kur dikush besonte se Krishti ishte zhdukur përgjithmonë nga trojet tona e dikush tjetër, vijonte të shpresonte se Mëshira e mishëruar, Zoti i gjymtyrëve të ligështa, do të ngjallej përsëri, me të vërtetë do të ngjallej. Në të tretën ditë! RealAudioMP3 ….
E Premtja e Madhe 2014, në Koloseum! Ecim një copë herë pas Papës, e një copë herë, në atë Udhë Kryqi, që bëri populli ynë, ngarkuar me një nga kryqet më të rënda, kryq hekuri, gjatë një gjysëm shekulli. E Papa, që e nisi Javën e Madhe me një mori pyetjesh, na nxit të meditojmë edhe për kohët tona. Të pyesim veten: “Me kë jemi? Kush jemi? Kush jemi, para Zotit? Kush jam unë, para Jezusit, që kryqëzohet, zbret në varr e ngjallet? A jam i aftë ta shpreh gëzimin, ta lavdëroj? Apo largohem prej Tij? Kush jam para Jezusit, që kryqëzohet? Me kë jam? E kush është ai, të cilit i shkoj pas e ndoshta-ndoshta ia sheshoj udhën, që çon në kryqëzime të reja?
Jam si Juda, që shtihet sikur e do Jezusin, që e puth Mësuesin, për ta dorëzuar, pastaj? Për ta tradhtuar? Jam ndoshta, si krerët që, duke dashur ta gjykojnë sa më shpejt, kërkojnë dëshmitarë të rremë? Jam ai, e ata?”.
...
Koloseum 2014. Ecim në Udhën e Kryqit, pas Papës, me meditimet e imzot Xhankarlo Bregantinit, kryeipeshkëv i Kampobaso Bojanos, e me meditimet e programit tonë, shumë vjet më parë, kur të transmetoje një Udhë Kryqi konsiderohej krim!
Janë po ato, 14 stacionet, në të cilat Jezusi ecën i ngarkuar me plagët e botës së djeshme e të sotme. E ecim edhe ne pas Tij. Ngarkuar me plagët e kombit tonë, që i prekim me dorë e prandaj na dhembin më shumë. Me skamin e skajshëm të njerëzve, që vijojnë të zënë vendin e parë në Evropë vetëm për varfëri! Njerëzve të djersës së ballit, atyre që nuk shiten as nuk blihen në tregjet e turpit të të gjitha llojeve e natyrave, tregje që e bëjnë dhe më të rëndë Kryqin mbi supet e Krishtit, në sa shkon kah Kalvari, për t’u kryqëzuar sot, në vitin 2014, edhe për atë Shqipëri, e cila, si Kirenari, ia pati lehtësuar barrën, duke flijuar për Të, bijtë e vet më të mirë, ata që e përballuan provën e madhe, në gjurmët e Zotit, në emër të Tij e të lirisë.
Në drurin e Kryqit të Krishtit janë mëkatet e mundimet e njeriut të shekullit XXI: prirja për të ecur pas Judës, për ta përballuar krizën si priftërinjtë e Sinedrit, me kryqëzimin e njerëzve të pafajshëm, në njëmijë mënyra. Jezusi na mbart të gjithëve mbi Kalvar, për të na mësuar se jeta nuk duhet ndërtuar mbi krime, mbi padrejtësi, por mbi ura solidariteti, duke e mundur frikën e izolimit, duke rifituar respektin, plotësisht të humbur, për politikën e njerëzit e saj që, të zgjedhur me votë të lirë, premtojnë shumë e japin pak e aspak; duke kërkuar rrugëzgjidhje të përbashkëta për problemet ekonomike, shoqërore, politike.
....
Udha e Kryqit 2014. Plot me plagët tona: udhë e emigrantëve, që na e pëgjysmuan Kombin, e grave tona, motrave tona, që vijojnë të pësojnë dhunë; e traumave të fëmijëve tanë, që shpërdorohen, e dhimbjes së nënave, që nuk i kanë më pranë fëmijët, sepse toka, ku i lindën, nuk u jep bukë, nësa toka e huaj ua rrezikon vetë jetën duke i joshur me parajsat mortore të alkoolit, të drogës, të veseve më të padenja! Bijtë tanë rrëzohen nën barrën e kryqeve, që Jezusi i ngarkon mbi Kryq të vet, për udhë kah Golgota.
....
Udha e Kryqit 2014 ka shumë kryqe, por edhe shumë shpresa. Kur mbi shpinë na rëndojnë provat e padurueshme, lutja e zjarrtë drejtuar Jezusit e lehtëson çdo lloj prove. S’e shohim, po hija e Tij na ndjek mbrapa. Ai është në ne e avullin e ngrohtë të frymës së Tij e ndjejmë në kraharor, si afshin e zjarrit. E nëse largohemi vetëm për një çast prej Tij, me gjakun e mollëzave na del në fytyrë e na thotë: “Unë jam me ty, me ju!”.
E kjo na kujton Udhët e Kryqit, kur mbi shpinë tonë nuk rëndonin plagët e shekullit XXI, por të shekullit XX, shekullit të diktaturës, e kur, nga po ky mikrofon, që po transmeton sonte këtë Udhë Kryqi, dëgjohej një kumt tjetër, dilte zëri i shumë shqiptarëve, që krejt pa zë, ecnin kah Kalvari i tyre, ngarkuar me kryqin e vërtetë të vdekjes, duke përballuar provën e madhe, e duke ngadhënjyer.
...
Udha e Kryqit 2014. Krishti, pas të cilit ecim, na fton ta pranojmë brishtësinë, të mos e humbasim shpresën përballë situatave të padurueshme. E Kirenari, njeriu që e ndihmoi të Birin e Zotit, sot na kujton se duhet të takohemi me tjetrin, ta ndihmojmë, sepse nga takimi lind vëllazëria, zbulohet Zoti në çdo zemër njeriu.
...
Udha e Kryqit 2014. Rëndojnë edhe udhët historike të kryqit të popullit tonë në shekuj, mbi Udhën e Kryqit hartuar nga imzot Bregantini. Duke nisur nga tmerret e regjimit të perënduar, tek kryqi, që duhet të mbartë sot shqiptari, kur kërkon punë e nuk gjen, kur nuk ka para për qiranë e shtëpisë, kur i mungon streha mbi kokë e buka në sofër, kur vijon të plaket, duke iu dridhur dora para vitrinave plot me ‘molla të ndalueme”, kur vdes, sepse nuk mund t’i paguajë ilaçet, tepër të shtrenjta për xhepin e tij, kur rrëmbehet nga ingranazhi i padurueshëm i burokacisë, që e merr me vete, duke e kthyer në një qenie pa fytyrë, pa dinjitet njerëzor.
Po është dhe Kisha, në mundimet e Krishtit! Simbol i mantelit, që mbeti një cope, që na fton për bashkim, për harmoni, për ta ndërtuar ditë për ditë paqen, me vëllazërim, pajtim, falje reciproke. E nëse e shikojmë përsëri Fytyrën e përgjakur, tronditëse, të Jezusit, i cili vijon të ecë nëpër shekuj me kryq mbi shpinë, ndjekur nga turmat pa fund të njerëzve, që janë e s’janë më, në se e shikojmë rishtas në krahët e Marisë, në ikonën, me emrin “Pietà”, bindemi se dashuria ngadhënjen mbi vdekjen. Sepse dashuria është më e fortë se vdekja. Kush është gati ta flijojë jetën për Krishtin, do ta gjejë përsëri. Të shndërruar, përtej kufijve të vdekjes!
...
Këtë na kujton ecja pas Papës në Udhën e Kryqit 2014. Udhë që na çon para në mote, por edhe mbrapa, atëherë kur Krishti gjykohej nga ‘sinedri’ i diktaturës në Shqipëri, e Radio Vatikani në gjuhën shqipe i niste transmetimet e veta pikërisht me një Udhë Kryqi, e cila del nga arkivi ynë zanor, me barrën e viteve të sotme e të atyre, që i kaluam të mbërthyer mbi Kryqin e Krishtit. Dëgjohet gjëma e moteve që shkuan, në këtë Udhë tradicionale Kryqi. Ju flet sonte me zërat tona, që i dëgjoni ditë për ditë, por edhe me zërat e njerëzve, që i dëgjuat dikur, plot me shpresën e të Ngjallurit. Disa nuk janë më mes nesh: po zëri i tyre vijon të flasë. Është zëri i themeluesit tonë, dom Zef Shestanit, i Atë Daniel Gjeçajt, i ish-kolegëve tanë, Zef Pali, Andrea Shuli, Gjon Gjomarkaj, janë zërat e motrave engjëllore, që sapo kishin nisur rrugën rregulltare e as që mund të ëndërronin, asokohe, ta kremtonin këtë udhë mbas Krishtit, në trojet shqiptare.
Na u duk shenja më e bukur e shpresës, ky meditim radiofonik, që na kujton se mundimet kalojnë, vdekja mundet e kush ecën pas Krishtit, ringjallet një ditë. Si 40 martirët, kandidatë për nderimet e lterit, që i zgjodhëm për të na prirë kah Pashkët, duke na kujtuar se Udha e Kryqit nuk është udhë vdekjeje, por shprese, drite, jete. Është udhë drejt pranverës, që nuk ka frikë nga asnjë acar.
RealAudioMP3
Nga Udha e Kryqit e viteve ‘80, në Pashkët e vitit 2014! Me Pashkët vjen ringjallja, me lulet e erën e barit e gjethi dridhet në erë plot gëzim, duke e zbutur trishtimin e vdekjes. Zoti na prin, njeri i gjallë, me korp e me shpirt, e rroket me pjesën më të ligshtë të shpirtit tonë e e veshë me dritë.Vjen rishtas, për t’u rikthyer shpresat të munduarve, në natën e varrit, që përfundon me dritën e Pashkëve. Drita vezullon sonte, mes territ, edhe në bekimin e Papës Françesku, në fund të kremtimit të Udhës së Kryqit 2014, në Koloseum.







All the contents on this site are copyrighted ©.