2014-04-18 16:18:43

Atë Lombardi: Papa nuk do të flasë në “Udhën e Kryqit”, parashikohet vetëm bekimi i besimtarëve


Papa Françesku do të lutet sonte, në përfundim të Udhës së Kryqit në Koloseum, pa mbajtur ndonjë fjalim, pastaj do t’i bekojë besimtarët. Njoftimin e jep atë Federiko Lombardi, në një takim të shkurtër, mbajtur sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit, për kremtimet e Pashkëve, kryesuar nga Papa. Parashikohet pjesëmarrje e madhe nga ana e besimtarëve, prandaj, për këtë rast, u vendosën ekrane të mëdha në zonën e Foreve Perandorake.

Një punëtor e një sipërmarrës, së bashku, dy të pastrehë e, akoma, fëmijë, pleq, të sëmurë, të burgosur. Ata, që do ta mbartin sonte Kryqin në Koloseum, do të jenë me moshë e prejardhje nga më të ndryshmet, posaçërisht njerëz, që lidhen me vuajtjen, në të gjitha shprehjet, sepse pikërisht me të lidhen edhe meditimet e përgatitura nga Imzot Bregantini për këtë natë tejet prekëse. Një rit, që Papa Françesku do ta ndjekë, sipas traditës, në lutje, mbi tarracën e Palatinit, ndërsa në fund nuk do t’u flasë besimtarëve, si zakonisht:
“Me sa dihet, Papa nuk e ka në mend të flasë në fund të ‘Udhës së Kryqit’, nuk mendon ta bëjë fjalimin, me as pa tekst, por të rrijë në heshtje e të japë bekimin. Ky është informacioni që kam. Pastaj, t’ia lëmë Shpirtit Shenjt e lirisë së Papës, në se dëshiron të flasë ndonjë fjalë, apo jo”.
Udha e Kryqit, për shkak të gjatësisë së meditimeve, sivjet do të zgjasë një orë e tre çerekë, një gjysëm ore më shumë se vitin e kaluar, e duhet të përfundojë rreth orës 23.00. Meditimet do të lexohen nga aktorja Virna Lisi dhe Oracio Koklite. Zëri, që i prin lutjes, do të jetë i Simona De Santis. Njerëzit, që mbajnë Kryqin, nuk ecin me procesionin, por presin, njëri pas tjetrit, në çdo stacion. Janë më se 50, vendet që do ta ndjekin Udhën e Mundimeve përmes televizioneve të tyre. Gjatë Lutjeve mbrëmësore, njofton akoma atë Lombardi, do të pagëzohen 10 katekumenë: 5 janë italianë; të tjerët, nga Bjellorusia, Senegali, Libani, Franca e Vietnami.
Përsa i përket Meshës së Pashkëve, Papa, si zakonisht në këtë Solemnitet, do ta kryesojë, por nuk parashikohet mbajtja e homelisë. Sipas parashikimit, do të mbajë vetëm Mesazhin “Urbi et Orbi”, pa përshëndetjen në gjuhë të tjera: “Do të jenë edhe sivjet, këngët lindore Stiki e Stikirà, që këndohen kur kremtimi i Pashkëve përkon për latinët e lindorët. Prej këndej, për të kujtuar edhe këtë çast bashkimi në kremtimin e Pashkëve, është ky element i posaçëm i ritit, tashmë tradicional, që këndohet, siç e kujtoni, çdo tri vjet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.