Në mesazhin e Pashkëve, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ekumenik të Kishave,
pastori Olav Fykse Tveit (Olaf Fikse Tveit), nënvizon se këtë vit festa bie në të
njëjtën datë, më 20 prill, për të krishterët e Lindjes dhe të Perëndimit dhe ky përkim
përbën një “rast të volitshëm për ta dëshmuar bashkarisht ringjalljen”. “Kjo është
një ngjarje që do të ishte mirë të vërtetohej çdo vit, me qëllim që të arrijmë bashkimin
e të krishterëve, në shërbim të dëshmisë së përbashkët në botë”, shkruan pastori Tveit.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ekumenik të Kishave u bën thirrje Kishave “të
veprojnë me vendosmërinë më të madhe, në kërkim të rrugës drejt gjetjes së një date
të përbashkët për këtë festë”. Ai kujton se mbledhja e Halebit, më 1997, e pati tërhequr
vëmendjen tek fakti se “duke kremtuar Festën e festave në data të ndryshme, Kishat
japin dëshminë e ndarjes në një pikë themelore të fesë së apostujve dhe dëmtojnë
kështu besueshmërinë e tyre, si edhe përçimin me sukses të Shpirtit të Shenjtë në
botë”. Duke i siguruar të gjithë, kudo në botë, për lutjen e tij, pastori Tveit
përmend veçanërisht Sirinë dhe Lindjen e Mesme, rajone në gjendje të mjerueshme, për
shkaqe natyrore e njerëzore. Ai lutet për fundin e dhunës në Ukrainë, në Sudanin e
Jugut, në Nigeri dhe në Republikën e Afrikës Qendrore.