2014-04-16 18:44:57

Navarro-Valls: Gjon Pali II është shenjt edhe për mënyrën si komunikonte me Hyjin


Navarro-Valls, i cili ndenji për më se 20 vjet pranë Gjon Palit II, i përjeton me emocion të veçantë ditët që i paraprijnë shenjtërimit të Karol Wojtylës. Ish-drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, në një intervistë me Radion tonë, u ndalua tek trashëgimia që i la Papa Wojtyla botës së komunikimit:RealAudioMP3
Më vjen ndër mend takimi i parë me të, me intuitën – sepse ende nuk ishin dhënë provat – për një faqe të re në historinë e Papnisë. Gjon Palin II, aq i ri si Papë, me forcën ndikuese, me mendjen e hapur, me harenë, me karakterin pozitiv që kishte, e shikoja sigurisht si një faqe të re në historinë e Papnisë. E sot koha e konfirmon këtë gjë. Ai ka qenë një pikë referimi, me të cilën duhet të përballemi, jo vetëm për historinë e Kishës, por për historinë e njerëzimit në të gjitha nivelet, që nga intelektualët deri tek njerëzit e thjeshtë të rrugës.
A ka pasur një çast, gjatë shërbimit tuaj të gjatë përkrah Gjon Palit II, në të cilin keni filluar të mendoni: “Ky njeri është shenjtor, jo vetëm një Papë i madh. Ky njeri është shenjtor...”
Çasti në fjalë erdhi shumë shpejt: që në fillim, kur u gjeta afër tij dhe punoja me të, si edhe herët e para kur e pashë thjesht duke u lutur. Në ato çaste kam pasur këtë siguri: ky njeri është shenjtor; ka një afërsi aq të dukshme me Hyjin, që përkon me karakteristikat e shenjtërisë, sipas kritereve të Kishës Katolike.
Gjatë këtyre nëntë viteve, pas vdekjes, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje nga qëndrimi i shumë njerëzve ndaj Karol Wojtylës?
Do të thosha këmbëngulja me të cilën e kujtojnë Karol Wojtylën si një person të gjallë. Është interesante, pas kaq vitesh, flasin për Papën jo vetëm duke përmendur kujtimet e veçanta, imazhet, çastet, por shumë shpesh thonë: “Shiko, unë i kam kërkuar këtë gjë në jetën time”; pra, duke i aktualizuar këto kujtime me fakte personale në lidhje me Gjon Palin II. Njerëzit ende më ndalin në rrugë e më thonë: “Më lejo të ta tregoj këtë gjë...” Pra vijon të jetë shumë i pranishëm, shumë aktiv në jetën e njerëzve.
Gjon Pali II ishte një komunikues i natyrshëm, i jashtëzakonshëm. Sipas jush, a mund të gjejmë elemente shenjtërie edhe tek kjo dhunti e tij?
Sigurisht, shprehja “komunikues i madh” është e vërtetë, kur bëhet fjalë për Gjon Palin II. Është e vërtetë, por mund të krijojë keqkuptime, nëse mendojmë se ishte komunikues i madh, sepse komunikonte mirë në rrafshin formal. Kur njerëzit thoshin “Ai ka të drejtë”, nuk e thoshin për t’i dhënë të drejtë një zëri të bukur apo një aftësie komunikuese mahnitëse; i jepet të drejtë një njeriu që thotë të vërtetën! Tek ai më duket se e bukura, e mira dhe e vërteta ishin aq të bashkuara në komunikimin e tij, sa të kuptohej qartë cilësia e komunikimit, falë përmbajtjes së asaj që komunikonte. Me pak fjalë: ai komunikonte Hyjin, e bënte virtytin të dashur, parashtronte disa gjëra që mund ta mbushin ekzistencën. Mendoj se ky mund të jetë virtyti i aftësisë së tij komunikuese, jo aq ana formale.
Cila mendoni se është trashëgimia më jetëgjatë për Kishën, që na lë dëshmia e shenjtë e Gjon Palit II?
Mendoj se gjithmonë, jo vetëm në Kishë, por edhe në jetën shoqërore, kemi takuar njerëz që duket sikur kanë një qartësi të jashtëzakonshme, kur thonë çfarë nuk duhet bërë dhe çfarë do të ishte mirë të mos ishim, por në të njëjtën kohë duket se nuk e kanë të njëjtën qartësi për të përkufizuar dhe për të komunikuar çfarë mund të jemi ose në ç’drejtim duhet të ecim, nëse duam të përmirësohemi. Natyrisht, kjo etikë e kthyer përmbys e rëndon shpirtin me peshën e dyzimit, nuk krijon kurrë entuziazëm. Gjon Pali II ishte krejtësisht ndryshe. Mendoj se kjo ka mbetur si mënyrë ungjillizimi, si mënyrë për komunikimin e të vërtetës së krishterë. Pohimi i së vërtetës së krishterë duhet të jetë parashtrues. Për shembull, Gjon Pali II fliste më shumë për bukurinë e dashurisë njerëzore sesa për rreziqet e seksualitetit të çrregullt. Nuk fliste gati kurrë për egoizmin, por, përkundrazi, thoshte gati gjithmonë sa e mrekullueshme do të ishte bota, po të kishte bujari. Kjo mënyrë parashtruese e komunkimit të të vërtetave të krishtera është tërheqëse dhe unë mendoj se ky mbetet shembulli, mësimi i Gjon Palit II.








All the contents on this site are copyrighted ©.