Imzot Bregantini mbi meditimet e Udhës së Kryqit: Tani e kuptoj pse në Zotin të gjitha
fragmentet bashkohen në një
Dramat e botës së sotme, pasojat e krizës ekonomike, problematikat dhe të këqiat e
Italisë së jugut. Janë këto, disa nga temat që kryeipeshkvi i Kompobaso-Bojanos, imzot
Xhankarlo Bregantini ka paraqitur në meditimet për Udhën e Kryqit në Koloseum me Papën
Françesku, të Premten e Madhe, në orën 21.15. Por të 14 ndalesat e Mundimeve të Krishtit
i bashkon një çast i vetëm: ringjallja, që kthehet në bosht për reflektimet. Të dëgjojmë
vetë imzot Bregantinin, në mikrofonin tonë: Forca e Udhës
së Kryqit tradicionale është se nuk ka ndalesë të pesëmbëdhjetë. Nga të gjitha ndalesat
duhet të dalë në pah forca e ringjalljes! Krejt Udha e Kryqit është e endur me këtë
karakter të dyfishtë: dhimbja dhe shpresa, lotët dhe ata që i fshijnë, përvoja e tragjedisë
dhe ajo e guximit. Pra, e gjithë Udha e Kryqit ka ngarkesën e ringjalljes. Të gjithë
shembujt e marrë përshkruajnë dramat e sotme. Edhe këtu, nga vjen shpresa? Vjen nga
fakti se Jezusi merr për zemër këtë peshë, nuk e shkarkon në shpatullat e dikujt tjetër,
as e lë pa përgjigje, por duke marrë kryqin, merr mbi vetë krizën e na tregon udhën,
e cila është ajo e përballimit të problemeve dhe jo e përjetimit me frikë të tyre.
Na fton të jemi të përgjegjshëm, por në një mënyrë të veçantë: duke e mbajtur së bashku
peshën e krizës. Për shembull, flas për kontratat e solidaritetit, që aty ku ndërmarrja
është në krizë ta kalojë atë më lehtë. Kështu, edhe për raste të tjera të ngjashme. A
ka ndonjë ndalesë, që e doni më shumë se të tjerat? Atë të nënës, sepse aty
shoh nënën time, çdo nënë. Në veçanti, pashë nënat krah shtretërve të bijve. Kam qenë
prift në burg dhe në spital. Nga përvoja në burg kam mësuar se të gjithë mund të tradhëtojnë,
por jo nëna: në spital, kam parë një nënë që u kujdes kaq shumë për birin e saj të
keq, saqë ky djalë, kur doli, tha: “Tani e kuptoj kush është nëna ime”. Ia kushtoj
këtë ndalesë nënave, që kanë humbur bijtë për shkak të tumoreve në tokën ku digjen
plehrat, ndërmjet Napolit e Kazertës. Me meditimet tuaja, në këtë Udhë Kryqi,
cili është mesazhi që doni t’u jepni të krishterëve? Se nuk vuajmë kurrë kot,
se Krishti është fytyra që na shndrit dhe njeriu është fytyra që mishëron. Ky është
edhe titulli: “Fytyra e Krishtit, fytyrë e njeriut”. Prandaj është bukur të themi:
“Unë vuaj së bashku me Zotin tim. Vuajtja është puthja e Tij, besa që lidh me Të më
nxit t’i bëhem aleat”. Ndërsa mesazhi tjetër është ai, që nënvizohet shumë në Thirrjen
Apostolike “Evangelii Gaudium”: “Vuajtja e tjetrit e shpagon vuajtjen time. Nuk ka
kuptim të shoh vetveten e të përkëdhel plagët e mia, por gjej shpresë kur shoh plagët
e të tjerëve”. Ndalesa e dymbëdhjetë, që kujton shtatë fjalët e Jezusit, nuk bën tjetër,
veçse na mëson si ta shpagojmë vuajtjen tonë përmes vuajtjes së të tjerëve: fjalë
për fjalë, hap pas hapi, shkallë pas shkalle, Krishti arrin për mrekulli t’i japë
kuptim vuajtjes. E më lejoni, përmes Radio Vatikanit, të shpjegoj pse rreshti i fundit
i ndalesës së dymbëdhjetë mban një fjalë pak të mistershme, që thotë: “Në Zotin, të
gjitha fragmentet bashkohen në një”. Kjo frazë, më është thënë shumë mallëngjyeshëm,
nga një mësuese matematike, që po vdiste për shkak të një tumori. Për ta ngushëlluar
nuk i thashë fjalë të vagullta, por lexova dhe komentova shtatë fjalët e Jezusit në
Kryq. Ajo, që në fillim më shihte me zemërim, si për të më thënë: “Pa shiko ky, që
vjen të më thotë po ato gjëra gjithmonë, ndërsa unë po vdes”, kur dëgjoi shtatë fjalët
e Jezusit i shndriti fytyra, zemra iu mbush plot e më dëgjoi me vëmendje mallëngjyese.
Kur i vura rresht shtatë fjalët e Jezusit, siç janë në këtë ndalesë, ajo më tha: “Tani
e kuptoj pse në Zotin të gjitha fragmentet bashkohen në një”.