2014-04-15 15:49:20

Siri: zbulohet shkretimi i kishave dhe përdhosja e ikonave


Pas rimarrjes së qytetit të krishterë të Maalulës – 55 kilomentra në verilindje të Damaskut – nga ushtria qeveritare siriane, filmimet dhe përshkrimet që nxorën në qarkullim burimet qeveritare dhe agjencitë ndërkombëtare të lajmeve dokumentojnë shkretimin e vendeve të krishtera të kultit përgjatë katër muajve pushtim nga ana e trupave kryengritëse. Dëmet më të mëdha i ka pësuar shenjtërorja greko-melkite e Mar Sarkis, ku kisha është shkretuar, dyshemeja u gjet e mbuluar me objekte devocionale, figura dhe libra të shenjtë të dëmtuar, ndërsa ikonat e ruajtura në sakristi nuk gjenden më. Është zhdukur edhe këmbana dhe kryqi, që ishte mbi kupolën e kuvendit.
Shenjtërorja e themeluar në shekullin V i kushtohet Shën Sergjit e Bakut, ushtarë romakë të martirizuar për shkak të fesë nën perandorin Galer (250-311).
Para se të përçudnohej nga lufta civile, në fshatin shkëmbor të Maalulës – që sot është i braktisur – jetonin 5 mijë sirianë, shumica të krishterë.
Rimarrja e Sarkës, Maalulës dhe Xhibehut u bë e mundur pas sulmeve të ushtrisë qeveritare siriane, që kishin si synim vënien nën kontroll të tërë territorit të Kalamunit, ku kalon edhe rruga strategjike nëpër të cilën kryengritësit transportonin armët për fortesat e tyre në afërsi të Damaskut.








All the contents on this site are copyrighted ©.