2014-04-15 15:47:19

Ju kumtojmë Lajmin e Mirë (XIII) – Të gjithë e kërkojnë Jezusin


Pas predikimit të parë në sinagogën e Kafarnaumit dhe mrekullisë së parë të lirimit të një njeriu nga shpirti i keq, Jezusi shkon në shtëpinë e Pjetrit, bashkë me katër apostujt e parë. RealAudioMP3
Falë pranisë së Jezusit, shtëpia e Pjetrit shndërrohet në vendin ku të sëmurët kërkojnë shpëtim. E para që shërohet është vjehra e Pjetrit, ndërsa pas perëndimit të diellit, sapo përfundojnë rregulloret e të shtunës, “i sillnin të gjithë të sëmurët dhe të djallosurit” (Mk 1,32).
Është mbrëmja e ditës së parë të predikimit të Jezusit dhe Marku tregon se “gjithë qyteti ishte mbledhur para derës” (Mk 1,33). Ky shënim thekson besimin që ngjalli Jezusi atë ditë tek njerëzit, besim që u përforcua me shërimet e të sëmurëve dhe dëbimin e djajve. Nevoja e njerëzve për Mësuesin nga Nazareti del në pah fort edhe më tej në kapitullin e parë të Ungjillit sipas Markut, të nesërmen, kur Jezusi del herët dhe shkon në një vend të vetmuar për t’u lutur. Nxënësit e gjejnë dhe i thonë: “Të gjithë po të kërkojnë” (Mk 1,37).
Përveç kureshtjes së njerëzve, nevojës për shërim dhe dëshirës për ta njohur Jezusin, Marku vë në dukje edhe qëllimin e Jezusit për të takuar sa më shumë njerëz. Ai vetë u thotë apostujve: “Të shkojmë tjetërkund, në fshatrat fqinje, që të predikoj edhe atje, se për këtë kam ardhur” (Mk 1,38). Jezusi është përherë në lëvizje dhe gjithmonë mes njerëzve, nga të cilët tërhiqet vetëm kur ka nevojë të bisedojë, i vetmuar, me Atin qiellor, ose të flasë me apostujt, për t’u shpjeguar domethënien e fjalëve dhe të gjesteve që bën në popull.
Marku thekson, në këtë kapitull, se predikimi i Jezusit shoqërohet me dëbimin e djajve. Mësimi i tij nuk ka vetëm vlerë morale, por, mbi të gjitha, fuqi çlirimtare. Ai nuk është përsëritës i doktrinave të vjetra, por lajmëtar i një “mësimi të ri” (Mk 1,27). Ndryshe nga mësuesit e tjerë në Izrael, nuk kufizohet me denoncimin e së keqes, por e prek me dorë të keqen që ka goditur njeriun dhe e shëron. Ky ndryshim u bie në sy nevojtarëve, prandaj i gërbuluri i thotë: “po të duash, mund të më shërosh” (Mk 1,40). Jezusi, duke sfiduar ligjin e Besëlidhjes së Vjetër, që thotë se kush e prek të gërbulurin bëhet i papastër, “shtriu dorën, e preku (...) dhe menjëherë gërbula u zhduk e ai u pastrua” (41-42). Jezusi nuk ka frikë nga papastërtitë tona. Ai është Hyji pranë njerëzve nevojtarë, prandaj të gjithë e kërkojnë aq shumë sa “nuk mund të hynte haptas në ndonjë qytet, por rrinte përjashta, në vende të shkreta, dhe njerëzit vinin tek ai nga çdo anë” (Mk 1,45).








All the contents on this site are copyrighted ©.