Udha e Kryqit në Koloseum, Lev boton meditimet e imzot Bregantinit
E Premtja e Madhe, 18 prill, në Koloseum. Udha e Kryqit do të kremtohet përsëri, e
kryesuar nga Papa Françesku. Krishti, i ngarkuar me kryq, sivjet do të ecë mes nesh
në një udhë, që na fton të reflektojmë për krizën ekonomike dhe pasojat e saj të rënda,
për historitë tragjike të emigrantëve, të këqijat, që ua marrin jetën shumë të rinjve…
Tekstet e meditimeve, shtypur nga Shtëpia Botuese e Vatikanit (Lev), të martën e ardhshme
në librari, i shkroi imzot Xhankarlo Bregantin, kryeipeshkëv i Kampobasso-Boianos.
Të 14 stacionet e Udhës së Kryqit 2014, janë të ngarkuara me plagët e botës së sotme,
me dramat, që autori i njeh nga afër, si bari i dioqezës së Jugut të Italisë: dramën
e varfërisë, të vdekjes, shkaktuar nga mbeturinat helmuese, të të burgosurve në burgjet
e mbipopulluara, të papunëve, njerëzve pa shpresa që, megjithatë, vijojnë të shpresojnë,
me sytë ngulur tek Kryqi. Krishti në Kryq merr mbi vete mëkatet e njeriut, padrejtësitë,
pasojë e krizës ekonomike, varfërinë, papunësinë. Merr mbi vete spekulimet financiare,
vetvrasjet e sipërmarrësve të rrënuar, korrupsionin e njerëzve të pushtetshëm, pasojat
e fajdesë, që shkatërron jetë njerëzish. E edhe mëkatet e dramat e secilit nga ne. Por,
për më gjatë do të ndjekim Udhën e Kryqit 2014, Natën e së Premtes së Madhe, në vendin,
që është kthyer tashmë në simbol të martirëve dhe të martirizimit. Do të jetë
pika kulmore e Udhës sonë të Kryqit, nisur që ditën e parë të Krezhmëve, pas Krishtit,
me ata, që erdhën nga prova e madhe! Duke ecur çdo ditë pas njërit nga 40 martirët
shqiptarë, kandidatë për nderimet e elterit e shokë udhe kah Pashkët.