Patriarku Bartolomeu I për takimin e ardhshëm me Papën Françesku
“Sot, ndoshta shumë më tepër se 50 vjet më parë, kemi nevojë urgjente për pajtim e
kjo e bën takimin e ardhshëm me vëllain tonë, Papën Françesku, në Jeruzalem, një ngjarje
me domethënie të madhe”. Kështu i shpjegon Patriarku ekumenik Bartolomeu I, në një
intervistë për agjensinë kishtare Sir, arsyet, që i nxitën krerët e të dyja Kishave
të krishtera të takohen në Jeruzalem më 25 e 26 maj, për të kujtuar 50-vjetorin e
përqafimit historik të Papës Pali VI me Patriarkun Atenagora. Të shumta janë çështjet,
që sot, kërkojnë bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Kishave, për të folur me një zë të
vetëm. I rreshton Patriarku
në intervistë: “Vuajtja e njerëzve në çdo kënd të planetit; abuzimi i fesë për arsye
politike apo të tjera; vështirësitë e të krishterëve, sidomos aty ku ka lindur Kisha;
padrejtësitë ndaj anëtarëve më të brishtë të shoqërisë bashkohore dhe kriza alarmuese
ekologjike, që kërcënon integritetin dhe vetë mbijetesën e krijesave të Zotit: të
gjitha këto kërkojnë veprime të përbashkëta, por zgjidhja e problemeve akoma na ndan”. Prandaj,
thekson Patriarku, kemi nevojë urgjente për pajtim. “Jemi të bindur – pohon Bartolomeu
I – se krerët e Kishave duhet të ndërmarrin hapa vendimtare për pajtimin e Krishterimit
të ndarë e për t’iu përgjigjur nevojave urgjente të kohës sonë. Sigurisht, Papa Françesku
është një lider i sinqertë dhe altruist, që e ka për zemër si çështjen e ndarjeve
në Kishë, ashtu edhe problemin e vuajtjes në botë”. E më pas, duke bërë bilancin e
udhës së përshkuar në 50 vjet dialogu katoliko-ortodoks, Patriarku pohon: “Nuk ka
dyshim se udha e të dyja Kishave, gjatë 50 vjetëve të fundit, nuk ka qenë e lehtë.
Pavarësisht nga kjo, fryma e dashurisë vëllazërore, plot respekt, fatmirësisht, ka
zënë vendin e polemikës së vjetër, ushqyer nga dyshime e paragjykime. Ka akoma shumë
për të bërë e rruga duket e gjatë. Megjithatë, ajo duhet përshkuar, pavarësisht nga
vështirësitë; nuk ka udhë tjetër ”. Udhëtimi i Papës Françesku në Jeruzalem, pra,
pritet me padurim nga ortodoksët, por edhe nga besimtarët e tjerë, katolikë pa dyshim,
por edhe hebrenj e myslimanë. Të dëgjojmë atë Giovanni Claudio Bottini, dekan nderi
i Institutit Françeskan të Studimeve Biblike në Jeruzalem: Sipas meje, Papa
do ta konfirmojë udhën e vendosur të Kishës, e cila, vitet e fundit, ka vepruar duke
u mbështetur në profecinë e Shën Françeskut: krishterimi, i krishteri, nuk është armik
i askujt e dëshmia e tij është paqësore. Dialogu është udha e njohjes së ndërsjelltë,
e respektit dhe e ndihmës. Në këtë udhë dialogu, të krishterët e myslimanët, por edhe
hebrenjtë, mund të kontribuojnë në mirëqënien e njerëzimit. Në veçanti, bashkësia
katolike pret një fjalë inkurajuese nga Papa, për të qëndruar në Tokën Shenjte e për
të dhënë kontributin e saj për paqen e drejtësinë. Të mos harrojmë se kjo Tokë u përket
tri feve të mëdha monoteiste, por është pasuri e çmuar edhe për gjithë njerëzimin. Çfarë
prisni ju si françeskanë, si Rojtari e Tokës Shenjte, nga udhëtimi i Papës? Mendoj
se Papa do të na ftojë sërish të jemi ne vetë mesazh: si françeskanë, të jetojmë paqësisht
në këto toka, në mesin e popujve, që jo gjithnjë arrijnë të merren vesh e madje, edhe
sillen si armiq me njëri-tjetrin. Duke qenë bashkësi ndërkombëtare, Rojtaria e Tokës
Shenjte është ajo vetë prani paqësore, dëshmon një mënyrë jetese në paqe ndërmjet
njerëzve, që vijnë shpesh nga vende, të cilat janë në luftë, ose kanë interesa të
kundërta. Ftesa e dytë, që mendoj se do të na bëjë Papa, është konfirmimi i detyrës
sonë për pritjen e shtegtarëve në vendet e shenjta, duke pasur kujdes të veçantë për
gurët e gjallë, për të krishterët e Tokës Shenjte. Rojtaria, së bashku me Patriarkatin
Latin dhe me institucione të tjera katolike kanë për ta, shërbime edukative, asistenciale,
i mbështesin përmes apostullimit, në forma nga më të ndryshmet.