2014-04-13 12:23:55

Shenjtorët e javës 14 - 20 prill


Më 14 prill përkujtohet shën Liduina. Fare e re, ndërsa bën patinazh me shoqet në fushat e ngrira të fshatit të vet Skiedam (Hollandë), ku kishte lindur më 1380, Liduina rrëzohet, thyen një brinjë, që i shkakton lëndime të brendshme dhe, prej asaj dite do të rrijë në shtrat për 38 vjet, deri sa të ndërronte jetë. Kalon nga një sëmudje në tjetrën dhe është fare pranë dëshpërimit, deri kur, një ditë, meshtari Jan de Pot i flet për kuptimin e vuajtjes. Liduina vendos t’ia kushtojë vuajtjen shpëtimit të shpirtrave, por kërkon një shenjë nga qielli. Para syve të saj shfaqet shkëlqimtare hostja eukaristike, të cilën e shohin edhe të afërmit. Që prej asaj dite shtëpia e saj shndërrohet në vend shtegtimi nga gjithë Evropa e veriut.
Më 15 prill përkujtohet Shën Maroni. Sipas dëshmive më të lashta, jetoi gjatë periudhës kur në fronin perandorak ishte Domiciani (81-96), nga dinastia e Flavëve. Edhe Domitila, kushërira e perandorit, i përkiste të njëjtës dinasti, por ishte bërë e krishterë. E kishin fejuar me Aurelianin që në moshë të njomë, por Maroni, bashkë me miqtë e tij Eutikun dhe Viktorin, e bindën të hiqte dorë nga martesa me Aurelianin, për shkak të fesë. Perandori, atëherë, e dënoi me dëbim në ishullin e Poncës. Edhe tre miqtë e saj shkuan me të, por Aureliani e dënoi Maronin me punë të detyruar për ndërtimin e rrugës Salaria, ku vdiq në vitin 100.
Më 16 prill përkujtohet Shën Benedikt Jozef Labbre (1748-1783). Jetoi për një farë kohe me trapistët, por, për shkak të karakterit të trazuar, që kishte, e pati të vështirë të rrinte në kuvend. U nis për Romë dhe, gjatë shtegtimit, zbuloi thirrjen e vet të vërtetë: Hyji i kërkonte të merrte rrugët e rrugëve vendosi të rrinte. U bë “endacaku i Hyjit”, me librin “Të përngjamët e Krishtit” në dorë, me Breviar, me kryq dhe me rruzare në dorë shtegtoi në Itali e në Francë dhe jetoi me lëmoshë, të cilën shpesh herë ua jepte nevojtarëve. Vdiq në Romë, në dhomën e pasme të një thertoreje, ku e kishin strehuar, pasi e kishin marrë pa ndjenja nga rruga. Pas trembëdhjetë vjet shtegtimesh, u kthye në shtëpinë e Atit ai që e kishte zakon të thoshte: “Në këtë botë jemi të gjithë shtegtarë drejt Parrizit”.
Më 17 prill është e Enjtja e Madhe. Në këtë ditë zhvillohen dy kremtime liturgjike të ndryshme: gjatë paraditës, nëpër katedrale, ipeshkvi shuguron vajrat, ndërsa pasdite vonë kremtohet mesha në përkujtim të Darkës së Fundit të Zotit.
Më 18 prill është e Premtja e Madhe, dita e Kryqit. Në të gjithë historinë njerëzore të Jezusit, “Mundimet” përbëjnë tërësinë e ngjarjeve të dhimbshme, që vuajti deri në vdekje, në kryq.
Më 19 prill është e Shtuna e Madhe. Mbizotëron heshtja, thellimi, meditimi për Jezusin, që prehet në varr. Në pritje të haresë së mbrëmjes, me Përgjimin e Pashkëve dhe me Ringjalljen e Krishtit, Birit të Hyjit.
Më 20 prill është Pashka e Ringjalljes së Zotit, kulmi i Javës së Madhe, solemniteti më i madh për botën e krishterë, që vijon për tetë ditë me të njëjtën denduri dhe për pesëdhjetë ditë në pritje të Rrëshajëve.
Ringjallja është shfaqja më e fortë e hyjnisë së Jezusit dhe jo njëra ndër mrekullitë e shumta që bëri gjatë jetës publike, në dobi të njerëzve që besuan në të. Këtë herë është Jezusi vetë ai që tregon vlerën e vuajtjes, të cilën e ndan me të gjithë njerëzt dhe e shndërron në shpresë për jetën e amshuar, falë vdekjes dhe ringjalljes së tij shpëtimtare.









All the contents on this site are copyrighted ©.