2014-04-13 16:26:25

Papa në Meshën e së Dielës së Larit: kujt i ngjaj, Judës a Marisë, që qan Jezusin e saj? Në Engjëllin e Tënzot, përshëndet të rinjtë e DBR-së


Java e Madhe nisi me një pyetje: jam si Juda, si Pilati, a si Maria, Kirineu e gratë, që ndenjën pranë Jezusit deri në vdekje? Me këto fjalë, plot thellësi shpirtërore, Papa Françesku hapi kremtimin e Meshës të së Dielës së Larit e të Mundimeve të Zotit, në praninë e një turme prej 60 mijë vetësh. Në Ditën dioqezane të rinisë, gjatë Engjëllit të Tënzot, u kremtua edhe riti i kalimit të Kryqit të DBR-së nga të rinjtë e Rios, në ata të Krakovit, në sa Papa kujtoi takimin, që do të ketë, në gjysmën e gushtit, me të rinjtë aziatikë, në Korenë e Jugut. RealAudioMP3

Cilit nga këta njerëz i ngjas? Pyetja e Papës Françesku preku në zemër të fesë. Në mes të një heshtjeje absolute, ndonëse i rrethuar nga dhjetra mijëra njerëz, që gjithsesi dinë të heshtin, zëri i tij i ngadalshëm, reflektiv, iu drejtua, si objektivi në plan të parë i një telekamere, fytyrave të protagonistëve të Mundimeve të Krishtit, që u kujtuan në fragmentin e Ungjillit. Foli gati-gati pa ia shkëputur fare sytë turmës oqeanike, që kishte përpara. Papa Françesku u duk që në orën 09.30 ndërmjet turmës, në Sheshin e Shën Pjetrit, ulur në makinën e tij të zbuluar, pa buzëqeshjen e tij të zakonshme, duke dhënë, me maturinë e deri me petkun e kuq si gjaku, mbi shpatulla, edhe shenjën fizike të këtij kremtimi solemn, që na çon pas Krishtit, në Kalvar:
Kush jam unë? Kush jam, para Zotit tim? Kush jam, para Jezusit, që hyn ngadhënjimtar në Jeruzalem? A jam i aftë ta shpreh gëzimin, ta lavdëroj? Apo largohem prej Tij? Kush jam para Jezusit, që mundohet?”.
Riti nisi me bekimin e Palmave. Palma tradicionale, ardhur nga Sanremo e Bordigera: trimijë degë palmash, të gërshetuara sipas traditave të krahinës veriore të Liguries, që njihen me emrin ‘parmurelo’. Për parmurelin e Papës janë gërshetuar tri degë palmash të bashkuara, simbol i Trinisë Shenjte. Ullinjtë dhe lulet, që stolisin Sheshin e Shën Pjetrit, kanë ardhur nga Pulia. Posaçërisht, rreth obeliskut, është krijuar një mjedis i gjelbër pranveror, që të kujton menjëherë hyrjen ngadhnjimtare të Krishtit në Jeruzalem.
Nga Obelisku, në elter, ku spikat ngjyra e veshjeve të kuqe gjak të kardinajve, ngadhënjimi bëhet urrejtje, miqësia nëpërkëmbet nga tradhtia. E Papa Françesku nuk lexon as një rresht nga homelia. Nuk i flet goja, sot, i flet zemra. Dëgjuam shumë emra, nënvizon, duke kujtuar personazhet, që lëvizin e veprojnë në orët e fundit të Jezusit. E duke treguar me gisht grupin e udhëheqësve: priftërinj e farizenj, mësues të ligjit, që kishin vendosur t’ia merrnin jetën. Juda e shet për tridhjetë aspra. Po unë? A jam edhe unë si Juda?- pyet veten e turmën Papa. Apo jam si dishepujt?
Dishepujt, që nuk kuptonin gjë prej gjëje, që dremisnin, nësa Zoti mundohej. Po jeta ime, ç’bën? Dremit edhe ajo? Apo jam si dishepujt, që nuk e kuptojnë ç’do të thotë ta tradhtosh Zotin? Si dishepulli, që donte t’i jepte fund gjithçkaje me shpatë? Jam si Juda, që shtihet sikur e do Jezusin, që e puth Mësuesin, për ta dorëzuar, për ta tradhtuar? Jam ndoshta, si krerët që, duke dashur ta gjykojnë sa më shpejt, kërkojnë dëshmitarë të rremë? Jam ai ata?”.
Papa Françesku ishte sot si një çekan, që nuk pushon së godituri: sepse nga Sinedri, në Pallatin e qeveritarit romak udha e ndërgjegjes është e shkurtër. A jam edhe unë si Pilati, pyet veten e turmën Papa, që kur shikoj se situata është e vështirë, laj duart e nuk di as nuk dua të marr mbi vete përgjegjësinë, që më takon e lejoj të dënohet, a dënoj unë vetë, njerëzit? Apo jam si ata të popullit, që tallen me Jezusin?
“Jam edhe unë si turma, që nuk e merrte vesh mirë ishte një mbledhje fetare, gjykim a shfaqje cirku, e zgjedh Barabën? Për ta është njëlloj: madje, ajo që ndodh, i dëfren edhe më shumë, nga që duan ta poshtërojnë Jezusin. A jam edhe unë si ushtarët, që e rrahin Zotin, e pështyjnë, e tallin, dëfrehen duke e poshtëruar?”.
Por turma nuk është thjesht masë, që kënaqet duke tallur të pafajshmin. Ndërmjet saj ka edhe nga ata, që e njollosin dashurinë, duke ngacmuar histerinë e masës, së cilës nuk i intereson drejtësia, sepse do gjak! E Papa Françesku vijon t’i shikojë këto fytyra, për t’ia rikujtuar çdo zemre të krishterë:
A jam si Kireneu, që kthehej nga puna i lodhur e i këputur, por me vullnetin e mirë për ta ndihmuar Zotin, duke mbartur për një copë rrugë me Të Kryqin? A jam si gratë guximtare e si nëna e Jezusit, që ishin aty, që vuanin në heshtje? Jam si Jozefi, dishepulli i fshehtë, që e mbart korpin e Krishtit me dashuri, për ta varrosur denjësisht? Jam si dy Maritë, që mbeten te gryka e varrit, duke qarë e duke u lutur?”.
“Po nis Java e Madhe, e nuk është nevoja për fjalë të tepërta”, e përfundon homelinë Papa Françesku. Mjafton një pyetje:
“Ku është zemra ime? Kujt nga këta njerëz i përngjas? E unë uroj që kjo pyetje t’ju shoqërojë gjatë gjithë kësaj Jave”.
Lutja e Engjëllit të Tënzot, që mbyll kremtimin, i kushtohet plotësisht të rinjve. Mbi shkallët e tremes së Bazilikës, të kryesuar nga kryeipeshkvijtë përkatës, kardinajtë Orani Jãoa Tempesta e Stanislao Xhivish, të rejat e të rinjtë e Rio-de-Zhanejros i dorëzojnë Kryqin e Ditëve Botërore të Rinisë bashkëmoshatarëve të tyre të Krakovit, qytet ku do të kremtohet takimi i madh i vitit 2015. Kryqi, kujtoi Papa, "është shenja gjithnjë në shtegtim, e dashurisë së Krishtit për njerëzimin”, që ua dorëzoi të rinjve të DBR-ve, Papa Gjon Pali II, i cili së shpejti do të bëhet pajtori i madh i këtyre takimeve. Por më parë, do të jetë një takim tjetër i posaçëm, për të cilin Papa kërkoi lutje e mbështetje:
“Në këtë rrethanë, kam gëzimin të njoftoj se, në dashtë Zoti, më 15 gushtin e ardhshëm, në Daejon të Republikës së Koresë, do të jem në mes të të rinjve të Azisë, në takimin e tyre të madh Kontinental”.
Takim, që do të zgjasë nga 14 deri më 18 gusht.
Buzëqeshja rikthehet në fytyrën e Papës në përfundim të kremtimit, kur sillet rrotull Sheshit, duke u ndaluar vazhdimisht për të puthur fëmijët, ndërmjet turmës që, pas parmakëve, zgjat duart me shpresën e një çikjeje të vetme të dorës së Atit të Shenjtë, për ta pasur si kujtim. Posaçërisht e këndshme përshëndetja, dhënë nga larg, të rinjve të Rios e të Krakovit, që përpiqen të kenë patjetër me të selfie të këtij rasti të papërsërishtëm festiv.



Ungjilli i propozuar nga liturgjia ishte ai i Mundimeve të Zotit sipas Mateut. Gjatë lutjes së besimtarëve pati edhe një ndjet, në gjuhën franceze, kushtuar të persekutuarve për shkak të fesë, që flijimi i Zotit t’i mbështesë e t’i ndihmojë të krishterët, besnikë, zemërbutë e të përvuajtur, si Mësuesi i tyre. Në gjuhën kineze, lutja për paqen ndërmjet popujve dhe për drejtësinë në botë.
Pas Meshe, Papa kremtoi, gjithnjë në Sheshin e Shën Pjetrit, lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Me këtë rast, Kryqi i Ditëve Botërore të Rinisë dhe Ikona mariane “Shpëtimi i Popujve Romakë” kaluan nga duart e të rinjve brazilianë, në ato të të rinjve polakë, që do t’i mbartin, në shtegtim, deri në Krakov, seli e Ditës së ardhshme BR-së, në verën e vitit 2016.








All the contents on this site are copyrighted ©.