Papa në Meshën e së Dielës së Larit: kujt i ngjaj, Judës a Marisë, që qan Jezusin
e saj?
Dhjetra mijëra njerëz mbushën sot Sheshin e Shën Pjetrit ku, në orën 9.30 filloi kremtimi
solemn i së Dielës së Larit e Mundimeve të Zotit. Papa Françesku kryesoi, në Shesh,
procesionin, Meshën dhe lutjen mariane të Engjëllit të Tënzot. Me këtë rast u kremtua
edhe Dita e 29-të e Rinisë, në nivel dioqezan, me temë: “Lum të varfërit në shpirt,
sepse e tyre është Mbretëria e qiejve” (Mt 5:3). Papa kishte një shkop baritor
prej druri të ullirit, realizuar nga të burgosurit e burgut të San Remos, me Kryqin
dhe stemën e Françeskut në majë. Riti nisi me bekimin e Palmave. Ishin palma tradicionale,
ardhur nga Sanremo e Bordigera: trimijë degë palmash, të gërshetuara sipas traditave
të krahinës veriore të Liguries, që njihen me emrin ‘parmurelo’. Për parmurelin e
Papës ishin gërshetuar tri degë palmash të bashkuara, simbol i Trinisë Shenjte. Ullinjtë
dhe lulet, që stolisin Sheshin e Shën Pjetrit, kanë ardhur nga Pulia. Posaçërisht,
rreth obeliskut, është krijuar një mjedis i gjelbër pranveror, që të kujton menjëherë
hyrjen ngadhnjimtare të Krishtit në Jeruzalem. Ungjilli i propozuar nga liturgjia
ishte ai i Mundimeve të Zotit sipas Mateut. Gjatë lutjes së besimtarëve pati edhe
një ndjet, në gjuhën franceze, kushtuar të persekutuarve për shkak të fesë, që flijimi
i Zotit t’i mbështesë e t’i ndihmojë të krishterët, besnikë, zemërbutë e të përvuajtur,
si Mësuesi i tyre. Në gjuhën kineze, lutja për paqen ndërmjet popujve dhe për drejtësinë
në botë. Pas Meshe, Papa kremtoi, gjithnjë në Sheshin e Shën Pjetrit, lutjen e
Engjëllit të Tënzot. Me këtë rast, Kryqi i Ditëve Botërore të Rinisë dhe Ikona
mariane “Shpëtimi i Popujve Romakë” kaluan nga duart e të rinjve brazilianë, në ato
të të rinjve polakë, që do t’i mbartin, në shtegtim, deri në Krakov, seli e Ditës
së ardhshme BR-së, në verën e vitit 2015.