2014-04-13 16:27:17

Kremtimet e Javës së Madhe 2014, që do të kryesohen nga Françesku


Me Javën e Shenjtë ose Javën e Madhe, siç quhet ndër shqiptarë – përfundojnë Krezhmët e hyjmë në kremtimet e Pashkëve. Zyra e Kremtimeve liturgjike publikoi programin e kremtimeve të Javës së Madhe që do të kryesohen nga Ati i Shenjtë.

Java e Madhe nisi me të Dielën e Larit e do të arrijë kulmin me Triditshen e Pashkëve, qendër e gjithë vitit liturgjik.
Në Javën e Madhe, Kisha kremton misteret e shëlbimit: “Vepër e shpërblimit e kryer nga Krishti i cili, duke vdekur, e mundi vdekjen e, duke u ngjallur, na dha përsëri jetë ne të gjithëve”.

Të Enjten e Madhe, më 17 prill 2014, duke nisur nga ora 9.30, Shenjtëria e Tij do të kryesojë bashkëkremtimin e Meshës së Bagmit në Bazilikën e Vatikanit. Gjatë kremtimit do të bekohet vaji i katekumenëve dhe i të sëmurëve. Bashkëkremtimi i Papës me kardinajtë, ipeshkvijtë e meshtarët e pranishëm në Romë do të jetë simbol i bashkimit të ngushtë ndërmjet Kryebariut të Kishës universale dhe bashkvëllezërve të tij në meshtari.

Meshën e Darkës së Mbrame, Papa do ta kremtojë në Qendrën e Zojës së Provanisë Hyjnore të Fondacionit “Don Karlo Njoki”. Në kremtimin, që do të nisë në orën 17.00, do të marrin pjesë të sëmurët e shtruar në këtë Qendër, së bashku me familjarët, personelin dhe përgjegjësit.


Të Premten e Madhe, më 18 prill, në orën 17.00, Shenjtëria e Tij do të kryesojë, në Bazilikën e Vatikanit, Kremtimin e Mundimeve të Zotit me ritin e Adhurimit të Kryqit
e pastaj, në mbrëmje, në orën 21.15, Udhën tradicionale të Kryqit në Koloseum, në përfundim të së cilës do të përshëndesë besimtarët dhe do të japë bekimin e tij apostolik.
Sivjet meditimet me temë “Në fytyrën e njeriut, që vuan, profili i Jezusit”, Papa Françesku ia besoi imzot Xhankarlo Bregantinit, kryeipeshkëv i Kampobaso-Bojanos.

Të Shtunën e Madhe, ndërmjet 19 e 20 prillit, në orën 20.30 Papa Françesku do të kryesojë kremtimin e Natës së Pashkëve në Bazilikën e Vatikanit. Sipas traditës, kjo natë në të cilën Krishti u ngjall njihet si ‘Nëna e të gjitha netëve të lutjes’, prandaj edhe kalohet në uratë. Kisha rri zgjuar duke pritur Ngjalljen e Zotit me kremtimin e sakramenteve fillestare të jetës së krishterë. Kremtimi do të nisë me ritin e bekimit të zjarrit të ri në tremen e Bazilikës e do të vijojë me ndezjen e qiriut të Pashkëve e me Exsultet, pasuar nga Mesha Shenjte, e kryesuar nga Papa Françesku.

Më 20 prill, Solemniteti i Pashkëve, në orën 10.15, Papa do të kremtojë Meshën e Ditës në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit e më pas, nga lozha qëndrore e Bazilikës, do të japë Bekimin “Urbi et Orbi” – ‘Romës e Botës’.

Fillon kështu “Koha e gëzueshme’ e Rrëshajëve, kur Kisha kremton praninë e Krishtit të ngjallur dhe ndikimin e Shpirtit Shenjt.








All the contents on this site are copyrighted ©.