2014-04-13 12:24:28

Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, Dom Gjon Gazulli


Dom Gjon Gazulli (Dajç i Zadrimës, 26. 03. 1893- Shkodër, 05. 03. 1927) u var nga Zogu në një shesh të Shkodrës, në vitin 1927.

Fjala është e diskutueshme, shembulli flet vetë!

Në Shkodër është një varr, ndërmjet varreve të Rrëmajit, i kthyer kahmot në cak shtegtimesh. Atje, ku era vijon këngën e përjetshme, duke luajtur me çinarë e selvi. Vizitorët ndalen pranë tij një ças, për të ndezur një qiri. Për të lënë mbi rrasë, një lule e një lot. E për t’i treguar të vdekurit, si të ishte gjallë, sesi vijojnë punët mbi këtë tokë.
Atje, mes mermeresh e carajsh, është një varr i bardhë, që në ag vezullon nga pikat e vesës, mbi petalet e luleve, lënë aty nga lutësit e një dite më parë. Që ndalen pranë kryqit të bardhë, në lutje ndërmjetësimi, a falënderimi për hirin e gjetur.
Në muzg varri duket si lundricë dritash, në detin e blerimit, nën selvi. Aq qirinj ndizen aty gjatë ditës. E çuditërisht, nuk shuhen as kur bie shi. Duke e veshur varrin, me vezullime e me stalaktite dylli.
Është një varr në Rrëmaj, që nuk vithiset kurrë. E as harrohet, si shumë të tjerë. Një varr, ku prej një shekulli, u kall një djalosh i ri. I veshur me veladon. I sapo zbritur nga trekëmbëshi.
Varja e tij ishte epilog i një tragjedie, që u luajt në malet e egra të Dukagjinit e të Pukës ku, në nëntor 1926, shpërtheu rebelimi kundër qeverisë. Zogu thirri menjëherë disa prijës myslimanë fanatikë, të cilët i nguci të rrëmbenin armët për të mbrojtur fenë e tyre, kundër katolikëve në revoltë. Fanatizmi, i nxitur nga Zogu për interesat e veta, dha fryte tejet të hidhura për malësorët. Fiset katolike të Dukagjinit e të Pukës u sulmuan nga një mori bandash të armatosura. Pas një lufte tejet të ashpër, fiset në revoltë u detyruan të dorëzohen. U trajtuan me një mizori të pashoqe. Fshatrat kryengritëse u rrafshuan. Kush nuk mundi të ikte, u vu ndër hekura e iu nënshtrua torturave. Gra e fëmijë pësuan poshtërime çnjerëzore. Pastaj u lanë të vdesin nga e uria e nga e ftohta.
Tragjedia përfundoi me ekzekutime kapitale. U dënuan me vdekje dymbëdhjetë burra dhe dy priftërinj katolikë të Dukagjinit e Pukës: Shtjefën Vjerdha, të cilit më pas iu fal jeta dhe Gjon Gazulli, i lindur në Dajç të Zadrimës, më 26 maj 1893, shguruar më 5 gusht 1919.
Gjonin, 34 vjeçar, e kapën në Kalivare, më 28 dhjetor 1926, së bashku me Dom Nikoll Gazullin e Dom Lekë Dredhën, me padinë se komplotonin kundër shtetit. Thjesht sepse qenë gjithnjë përkrah malësorëve. Protestat e Vatikanit e të shteteve evropiane nuk mundën ta ndalonin dorën kriminale. Meshtari u zvarrit, i lidhur, nëpër rrugët e qytetit, deri tek trekëmbëshi. Kur kaloi para Kishës françeskane, ra në dy gjunj të mëdhenj, pa mundur të bëjë kryq, sepse i mbërthyer në hekura. E ngritën me forcë, e varën dhe e lanë një copë herë të mirë ta shikonin të gjithë e të tmerroheshin. Pastaj, të paktën, lejuan që trupi të varrosej në Rrëmaj. Në varrin, që u bë menjëherë cak shtegtimesh, aq sa as diktatura tjetër, që erdhi pas, nuk mundi ta ngrinte të varurin nga varri, për ta rivarur, si do të kishte dëshiruar.
Në Rrëmaj është një varr, ku pushon në paqe Njeriu i ardhur nga prova e madhe e kryengritjes së Dukagjinit kundër Mbretit Zog. Bir i familjes së fisme të Gazullorëve, që i dha kombit humanistin e famshëm domenikan me të njëjtin emër, nderuar nga mbarë bota, e edhe Dom Nikollë Gazullin, pushkatuar nga diktatura komuniste më 1946, autor i famshëm i "Fjalorth i ri”1dhe i "Fjalori Onomastik"2 .
Vite më pas, më 28 qershor 1933, gazeta franceze “La Croix” botonte për herë të parë fotografinë e priftit të varur, nën titullin “Kush e qeveris Shqipërinë?”.
Pyetje, që u përsërit qindra herë, që asokohe, nga shqiptarët, gjithnjë me probleme shqetësuese, të pazgjidhura, që rendin tek varri i bardhë, nën selvi e çinarë, ku kërkojnë, nga një i vdekur, për ta prej kohe shenjt, të ndërmjetësojë për t’u nxjerrë hirin, që duhet ta nxirrnin nga të gjallët, nga ata, që qeverisin Shqipërinë.
Në Varrezën e Rrëmajit në Shkodër, është një varr i bardhë, që rrezaton hirin e Zotit!

1 "Fjalë të rralla të përdoruna në Veri të Shqipnisë, Tiranë, 1941, përfshirë në vargun "Visaret e kombit", XI, (524 faqe me 4819 fjalë),2 Botuar pjesë-pjesë në revistën "Hylli i Dritës” nga nr. 2, fruer 1939, vjeti XV, f. 120-129 e gjer në nr. 9-12, 1943, f. 391-406 (shkronjat A-K), gjithsej 21 numra të revistës, në 173 faqe, (i papërfunduar).







All the contents on this site are copyrighted ©.